Murati: Bashkimi s’mund të ndodhë pa marrëveshjen Kosovë – Serbi

383

Aksioni i policisë së Kosovës në veri në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, si dhe hapja e temës së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë nga presidenti Hashim Thaçi kanë qenë ndër temat e trajtuara në “Studion e Hapur” në RTK 3 me kryetarin e Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.

Aksionin e djeshëm të policisë Murati e ka vlerësuar si të qëlluar dhe si pjesë e luftës kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës në veri.

“Ne dimë se për shumë arsye veriu vazhdon të jetë vrimë e zezë e krimit të organizuar, kontrabandës dhe strehë e shumë grupeve kriminale. Prandaj, ky veprim i policisë ka qenë thjeshtë veprim i ligjshëm në realizimin e detyrave të saj, por edhe në mbrojtjen e interesave të qytetarëve të të gjitha etnive. Është evidente që situata në veri është e tensionuar dhe çdo aksioni të policisë serbët mundohen t’i japin konotacion politik”, ka thënë Murati, i cili ka shprehur shpresën se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në mënyrë që personat e përfshirë në krim të organizuar të dalin para drejtësisë, kudo që ata veprojnë.

Ndërkaq, duke folur për deklaratat e fundit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, Murati ka thënë se si subjekt politik janë të lumtur që është hapur kjo temë, por sipas tij presidenti për një kohë të gjatë nuk e ka përmendur këtë terminologji.

“Ne si Lëvizje për Bashkim e kemi të qartë çështjen e bashkimit kombëtar. Ne si lëvizje misionin politik për bashkim e kemi parësor, derisa betejën politike për ta realizuar atë përmes votave e kemi pasur të dytën. Normalisht që votat dhe fuqia politike janë shumë të rëndësishme por për ne çdo herë ka qenë më i rëndësishëm projekti politik dhe në funksion të kësaj ne jemi në një farë forme subjekti politik misionar dhe nuk e kemi shumë gajle nëse dikush e merr agjendën tonë, as atëherë kur presidenti e ka hapur temën e bashkimit të Luginës së Preshevës. Për ne është e rëndësishme që të krijohen kushtet që Lëvizja për Bashkim të mos ketë nevojë të operojë politikisht me këtë projekt. Në këtë drejtim ne jemi të lumtur që subjekte të caktuara politike apo edhe presidenti i Kosovës e ka hapur këtë temë”, ka theksuar Murati.

Ai ka thënë se me presidentin aktual e kanë diskutuar edhe më herët këtë temë, por sipas tij Thaçi e ka injoruar si çështje “sepse ka menduar se është e pamundshme të realizohet ashtu siç e ka injoruar edhe çështjen e Kosovës Lindore”.

“Ne në vitin 2010 ja kemi prezantuar platformën tonë politike për zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe, që konsiston në reciprocitet të drejtave për Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin me Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveçanin, e që shkon deri në ripërcaktim të kufijve. Por, presidenti i Kosovës ka thënë në atë kohë që kjo është e pamundshme të bëhet për shkak se Bashkësia Ndërkombëtare sidomos SHBA-të nuk e lejojnë. Presidenti tash e ka hapur këtë temë dhe ajo nuk është hapur rastësisht. Nuk është hapur kjo temë vetëm me iniciativë të presidentit por është hapur për shkak të një konteksti të caktuar të cilin SHBA-të janë të interesuara ta zgjidhin. Pra është hapur me lejen e tyre. Ata janë të interesuar që ky proces të shkojë përpara, pra po flas për ridefinimin e kufijve, që Kosova të stabilizohet edhe si interes i tyre dhe të mos jetë pre e destabilizimit përmes veriut më shumë nga ana e Rusisë se sa nga ana e Serbisë si dhe të përcaktohen mirë kufijtë të etnikumit shqiptar dhe të interesave të NATO-s dhe SHBA-së përmes shqiptarëve dhe trojeve shqiptare në Ballkan”, ka shtuar Murati.

Ai tutje ka thënë se hapja e temës së Bashkimit Kombëtar është e lidhur drejtpërdrejt me çështjen e bisedimeve me Serbinë dhe ridefinimit të kufijve.

“Presidenti po e hap këtë temë si një lloj kërcënimi kundër Bashkimit Evropian. Mendoj se nuk është mirë të hapet kjo temë si kërcënim sepse projekti i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë nuk është dhe nuk duhet të jetë kërcënim. Është një e drejtë legjitime e popullit shqiptar për të jetuar në një shtet të përbashkët. Është një e drejtë elementare dhe ashtu duhet të prezantohet, por ajo nuk mund të realizohet pa këtë procesin politik të dialogut me Serbinë. Pra, janë dy procese të ndërlidhura. Nuk mund të ndodhë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në çfarëdo projekti, qoftë union, qoftë konfederatë, qoftë shtet centralist klasik pa u zgjidhur problemi i Kosovës me Serbinë sepse ne me Kushtetutë e kemi të ndaluar  bashkimin dhe ndryshimi i kësaj kushtetute nënkupton votat e serbëve. Një marrëveshje me Serbinë, ku bëhet ridefinimi i kufijve, ku pjesa e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit vjen me Kosovën dhe pjesa Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit shkon me Serbinë nënkupton edhe rënien e Kushtetutës së Kosovës përmes një marrëveshje ndërkombëtare. Pra, kur të ndodhë kjo nuk kemi më kushtetutë me privilegje për serbët dhe Kosova shndërrohet në një shtet normal të funksionimit të saj ku pakicat i kanë të gjitha të drejtat që u takojnë por jo privilegje për ta bllokuar sistemin dhe në këtë drejtim krijohen mundësitë pastaj që qytetarët e Kosovës të vendosin për bashkim me Republikën e Shqipërisë”, ka nënvizuar Murati.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *