Ministri Cakaj mbështet fushatën e KKSH-së mbi mbledhjen e adresave të pasivizuara në Luginë të Preshevës – kemi kontakt të afërtë me Ragmi Mustafën

Ministri në detyrë për Europë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqiprisë, Gent Cakaj, përmes një postimi në facebook, ka mbështetur nismën e fundit të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Cakaj, fushatën e KKSH-së mbi mbledhjen e të dhënave personave që i’u është pasivizuar adresa e vendbanimit në Luginë të Preshevës, e ka vlerësuar si fushatë jashtëzakonisht të vyer.


“Këshilli Kombëtar Shqiptar këto ditë ka ndërmarrë një fushatë jashtëzakonisht të vyer për mbledhjen e të dhënave personale për gjithë shqiptarët me adresa të pasivizuara në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë” – thuhet në postimin e ministrit Cakaj.

Ai për më shumë, tha se, ka një komunikim të ngushtë me kryetarin e KKSH-së, Ragmi Mustafa mbi nisjen e kësaj fushate.

”Për këtë arsye, veçanërisht këto ditë kemi ruajtur komunikim të ngushtë me Kryetarin e Këshillit, z. Ragmi Mustafa, për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e kësaj nisme” – ka shkruar ministri Cakaj.

Gjithashtu ministri Cakaj ka thënë se: “Dokumentimi i saktë i adresave të pasivizuara është parakusht për trajtimin e këtij procesi krejtësisht arbitrar dhe diskriminues ndaj shqiptarëve të Luginës. Ndaj, ju lutemi të gjithë qytetarëve të cilëve u janë pasivizuar adresat, të paraqesin rastet e tyre pranë zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc e Medvegjë”.

“Ne do vazhdojmë mbështetjen e pakursyer me veprime konkrete politike, institucionale dhe diplomatike për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës” – ka përfunduar ministri Cakaj.

Këshilli Kombëtar Shqiptar, sot ka nisur fushatën mbi mbledhjen e adresave personale të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, adresët e të cilave i’u janë pasivizuar./LUGINALAJM/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *