Dështon City, Bayern, Barça, PSG e Porto në 1/8

163

Man. City rrezikon seriozisht të eliminohet në grup pasi u mund para tifozëve 1-2 nga rusët e CSKA-së.

Bajern, Barcelona, PSG dhe Porto janë katër skuadrat që kualifikohen në 1/8 e Champions League, ndërsa Messi me një dygolësh ndaj Ajaxit barazoi rekordin e Raul Gonzalezit me 71 gola në Champions duke parakaluar madje me 1 finalizim dhe rivalin e tij aktual, Cristiano Ronaldo. Bajerni i Mynihut, pasi i shënoi 7 gola në ndeshjen e vajtjes Romës këtë herë u mjaftua thjesht me sigurimin e kualifikimit. Skuadra bavareze e tregoi forcën e saj atëherë kur duhej, teksa në pjesën e parë shënoi në të 38-tën me Ribery pas një aksioni model.

Ndërkohë në pjesën e dytë realizoi dhe Mario Goetze që i vuri vulën jo vetëm kualifikimit por dhe të vendit të parë në grup. Man. City rrezikon seriozisht të eliminohet në grup pasi u mund para tifozëve 1-2 nga rusët e CSKA-së.
Ndeshja nuk nisi ashtu sic City e priste me Doumbia që realizoi që në minutën e 2-të. Yaya Toure me një goditje dënimi perlë u duk sikur i dha qetësinë anglezëve, por Doumbia ngriu sërish blutë e Manchesterit me golin e minutës së 35-të. Nga City pritej përmbysja por skuadra e Pellegrinit jo vetëm që nuk arriti të kthejë rezultatin por gjithashtu mbeti dhe me nëntë vetë pas daljeve me të kuq të Fernandinhos dhe Yaya Toures. Tashmë, Roma, Man.City dhe CSKA janë të treja në garë për të vazhduar më tej.
Në grupin F, PSG dhe Barcelona zyrtarizuan sëbashku kualifikimin pasi fituan ndeshjet me Apoel dhe Ajax, por historinë gjithsesi në këtë grup e bëri Messi, që arriti në kuotën e 71 golave duke barazuar rekordin e Raul Gonzalesit. Argjentinasi në pjesën e parë shënoi me kokë, ndërsa në fraksionin e dytë realizoi golin e tij të zakonshëm.
Në “Parc De Prince” kualifikimi i parizienëve mori formë që në minutën e 2-të, kur Cavani realizoi golin e epërsisë për parizienët. Tashmë dy gjigandët duhet thjesht të përcaktojnë me njëri-tjetrin se kush do të jetë skuadra që do të kualifikohet më tej.
Në Grupin G, Chelsea flaku tej mundësinë për të siguruar kalimin në turin tjetër duke barazuar 1-1 në transfertë me Mariborin. Shqiptari Ibraimi i dha epërsinë sllovenëve, por Matic barazoi në të 73-tën. Mundësinë për t’i dhënë fitoren londinezëve e flaku tej Hazard në të 85-tën, që humbi një 11-metërsh. Sportingu i Lisbonës i dha vetes një shans për në 1/8 pasi përmbysi Shalken nga 0-1 në 4-2, ku autogolit të Slimanit ju përgjigjën Sarr, Nascimento Nani dhe Slimani, ndërsa për gjermanët realizoi dhe Aogo. Në Grupin H, Porto siguroi kualifikimin në raundin tjetër pas një fitoreje të rëndë në Bilbao ndaj Athletic, ku vendosën golat e Brahimit dhe Martinezit në pjesën e dytë. Shakthtar Donetsk gjithashtu është me një këmbë në 1/8 pasi mundi me rezultatin e thellë 5-0 Bate Borisovin, pikët e së cilës në fakt janë ato që nuk ja sigurojnë matematikisht kalimin në raundin tjetër./supersport/ – /LuginaLajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Regjistrohu në Fakultetin Ekonomik – Bujanoc

Shiko videon