Lul, më fal!

380

Ibrahim_rexhepi1-848x478Dogana e Kosovës shënon rekorde. Kjo tregon se sa të domosdoshëm e ka qeveria stimulimin e importit. Ndërkaq, paraja shpenzohet për seminare  jashtë vendit, honorar dy herë më të madh se paga bazë dhe për të siguruar para për të paditurit e emëruar nëpër borde.

Nga Ibrahim Rexhepi

Hiq lëvdatat e fundvitit që bëjnë qeveritarët, gjatë javës përshtypje më bënë dy lajme, që ndoshta, krahasuar me problemin e liberalizimit të qarkullimit, apo protestat neurotike të opozitës, duken më pak të rëndësishëm.

Lajmi i parë ka të bëjë me një sukses, madje- rekord:Dogana e Kosovës ende pa e përmbyllë vitin afarist ka arkëtuar 902,3 milionë euro, ose 9 për qind më shumë  se vjet, e që është bukur afër që të përmbushë edhe planin vjetor prej 946 milionë eurosh.  Secili punëdhënës  do të shprehte  respekt dhe mirënjohje për menaxherin Lulëzm Rafuna, i cili  me përpikëri ka zbatuar detyrat  që iu kanë besuar. Puna e tij nuk është që të përcaktoj politika fiskale, e as të bëjë plane për institucionin që drejton, por të sjell para në arkën e shtetit. Sa më shumë. Madje edhe atëherë kur bijnë çmimet  dhe sasia e mallrave të importuara.  Në këtë pikë ia ka arritur, edhe pse importi në periudhën janar- tetor ishte 2,8 për qind më i lartë se një vit më parë. Do të thotë se ndryshimi i rritjes që ka arritur dogana ( 6,2 për qind) ka të bëjë me luftimin e kontrabandës,përkatësisht uljen e evazionit fiskal.

lulzim-rafunaPor, më fal, Lul (Rafuna) ! Më duhet ta them  qartë se rritja e të hyrave në kufi, nuk është një lajm  për të cilin duhet të gëzohemi  aq shumë. Ju keni arsye, por jo edhe punëdhënësit e juaj, si edhe e tërë popullata e Kosovës.  Mbështetja kaq e madhe e buxhetit të shtetit në të hyrat nga Dogana e Kosovës dhe pjesëmarrja kaq e vogël e Administratës Tatimore të Kosovës në totalin parasë publike, flet për nivelin e zhvillimit ekonomik dhe për politikat që po udhëheq Qeveria e Kosovës. Madje, do të thoja të gjitha qeveritë e deritashme, jo vetëm kjo e prirë nga Isa Mustafa.  Në këtë aspekt nuk ka ndryshime-  vendi ka varshmëri tepër të madhe nga importi dhe ëhstë duke e shtrydhë prodhimin vendor. Kështu do të vazhdoj edhe për shumë vite.  Fajtor kryesor për këtë janë politikat qeveritare, përmes të cilave  me përparësi është importi. Madje, qeverinë e kap paniku nëse ka minuese në të hyrat nga kufiri.

Sa do që ministri i financave Avdullah Hoti flet për masat që kanë për qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik, megjithatë, ato janë të pamjaftueshme. Të këtilla do të jenë edhe për disa vite, meqenëse,  pjesëmarrja e Doganës së Kosovës në të hyrat e buxhetit do të rritet nga 61,6 për qind sa është sivjet, në 62,8 për qind në mot,  për të arritur në 64 për qind në vitin 2017.  Ndonëse gjatë këtyre viteve do të ketë edhe rritje të të hyrave të brendshme, megjithatë, ato mbeten modeste dhe nu rritin pjesëmarrjen në shumën e përgjithshme.

Me këtë rast, duhet të përmendim se për shkak të mbështetjes së madhe të buxhetit në të hyrat nga kufiri, deficiti tregtar që nga viti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e deir në fund të tetorit të këtij viti ishte mbi 16 miliardë euro, ose gati tri herë më i lartë se GDP-ja.

Ndërkaq, lajmi i dytë ka të bëjë me Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, e cila ka zgjedhur Tiranën si vendin më të përshtatshëm për të  vlerësuar punën e Këshillit Ekonomik e Social. Ndonëse  kjo punëtori është mbështetur nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, përkatësisht projekti “Përkrahje Partnerëve Social’, megjithatë tregon  për lehtësinë e  shpenzimit të parasë publike. Nuk e ka vetëm MPMS këtë qasje, por të gjitha agjencionet buxhetore. Aty ende ka pagesa për punë jashtë orarit, për honorare, deputetët e Kuvendit të  shtetit më të varfër në Evropë marrin pagat më të larta në rajon, në Universitetin e Prishtinës  profesorët paguhen dy-tri herë më shumë se që kanë pagat bazë ( krejt në emër të punës shtesë, pjesëmarrjes në komisione të ndryshme, apo edhe për honorarë), në ndërmarrje publike dhe te autoritet e rregullatorët e  pavarur për  një takim mujor anëtaret e bordeve marrin rreth një mijë euro, ndonëse, dihet, se aty janë akomoduar njerëz pa referencë të mjaftueshme profesionale, por të njohur si militantë partiakë, apo për afërsinë që kanë me ndonjë të fuqishëm në pushtet.

Ndonëse të gjitha këto duken cikërrima  kur kemi parasysh buxhetin prej 1,6 miliardë eurosh, megjithatë, kursimet janë të domosdoshme. Tek e fundit, grykësia që paratë t’iu shpërndahen vetëm atyre që janë “nën dardhë”, flet për mungesë përkushtimi ndaj zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe  përmirësimit të gjendjes sociale përmes punësimit. Me këtë qasje do të kalojnë edhe shumë buxhete ku komponenti social dominon mbi atë zhvillimor. Kështu, shpenzimet kapitale në vazhdimësi do të jenë më të ulëta se ato për paga dhe mëditje. Sado që për zhvillim në vitet në vijim do të ketë më shumë para , krahasuar me vitin 2015, por ato mbete nën vëllimin e parave që duhet të iu shpërndahen rreth 82 mijë punëtorëve që financohen nga buxheti. Mënyra e këtillë e shpërndarjes së parasë tregon se sa i padrejtë  dhe diskriminues është buxheti- ai mbushet nga paratë e taksapaguesve në tërë Kosovës, ndërkaq prej tij përfitojnë vetëm 4,5 për qind e popullatës.

Për më keq, buxheti i këtillë kalon pa asnjë debat të mirëfilltë, apo vetëm me disa vërejtje periferike. Këtu fajin a edhe opozita, e cila ka zgjedhur rrugën si formë të debatit, duke i lënë hapësirë që në Kuvendi i Kosovës buxheti të miratohet pa asnjë kundërshtim .




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *