Lë familjen në Siri, e takon në Preshevë gjatë ikjes drejt Europës!

216

presevo8-1024x685Për tri ditë radhazi ai për asnjë çast nuk i është ndarë pritjes së kolonave me emigrantë në Miratoc të Preshevës. Nuk lë njeri pa e shikuar në fytyrë. Një natë e ka kaluat në qiell të hapur, e dy net tjera i ka bërë brenda xhamisë së fshatit. Duket shumë i mërzitur në fytyrë dhe nganjëherë mund ta shohësh duke e tradhtuar ndonjë lot. Muhamer Haxhim është nga Hamasi i Sirisë. Ai vazhdimisht mban një çantë të kuqe në dorë, dhe një qese me pak rroba. Janë këto të gjitha gjërat që ka mundur t’i ketë me vete, në rrugëtimin e tij të gjatë. Familja e Haxhimit kishte mbetur në Siri, kurse ai i ishte bashkëngjitur shokut të tij të ngushtë dhe familjes së tij, në rrugën për në Evropë.

Harron paratë në çantën e familjarëve të shokut të tij

Por, Haxhimi e ka ndërprerë përkohësisht rrugëtimin e tij drejt Evropës në Miratoc të Preshevës. Jo se dikush e ka ndaluar t’i bashkëngjitet turmës prej mijëra vetash në drejtim të kampit të refugjatëve në Preshevë, apo për të ikur në drejtim të Serbisë qendrore, për t’ia mësyrë Hungarisë dhe Evropës.

Por, ai aty ka mbetur pa asnjë cent në xhep. “Nga Siria deri këtu kemi bërë 15 ditë. Kam kaluar nëpër Turqi, Greqi, Maqedoni dhe para tri ditësh kam arritur këtu në Serbi”, thotë burri rreth 30 vjeç.

Deri në Turqi, ai kishte udhëtuar së bashku me një shok të tij dhe familjarët e tij. “Ai ishte me familje, kurse unë kam lënë familjen time në Siri. Andaj vendosa të nisesha me një grup të rinjsh për të kaluar në shtetin e Greqisë”. Rrugëtimin e tij, ai e ka vazhduar në drejtim të Maqedonisë, prej nga ai ka arritur në qytezën e Preshevës, në jug të Serbisë.

Por, momentin që Haxhimi ka ardhur në Preshevë, i janë harxhuar paratë, derisa një shumë të madhe të të hollave të tij, gjatë ikjes për në Greqi, i kishte harruar në çantën e familjarëve të shokut të tij.

Kjo, siç thotë ai, kishte ndodhur gjatë kalimit prej Turqisë për në Greqi ku nga ngutja për t’iu bashkëngjitur grupit të të rinjve, ai kishte harruar të marrë me vete të hollat.

“Paratë e mia janë në çantën e familjarëve të shokut tim. Meqë kemi dëgjuar për shumë vjedhje gjatë rrugës, vendosa t’i fsheh në çantën e tyre, për të marrë vetëm një pjesë të parave me vete”, thotë ai.

Haxhimi thotë se më pastaj është dëgjuar në telefon me shokun e tij, i cili i ka thënë ta priste aty. Ai thotë se disa banorë lokalë i kanë dhënë ushqime.

“Këtu më kanë dhënë disa ushqime. Por është shumë problem kjo që më ka ndodhur. Me shokun tim jam dëgjuar dje dhe më ka thënë që sot në mëngjes do të hyjë në Serbi. Unë po pres, por as ai e as familjarët e tij nuk kanë kaluar këtupari deri tash… Po më duhet të shikoj çdo njeri në fytyrë. Kam frikë që më ikin dhe nuk i shoh”, thotë Haxhimi pa u larguar asnjë çast nga rruga.

Por, në ditën që e takon ekipi i “Zërit”, Haxhimi kishte humbur kontaktet me shokun e tij. “Më nuk po funksionon telefoni. Nuk e di se çka ka ndodhur me ta”.

Takon familjarët, i vidhet telefoni

Një ditë më herët, Haxhimi i kishte telefonuar një shokut tjetër në Evropë, që t’ia përcillte disa para. Por, kur kishte shkuar për t’i tërhequr paratë nuk kishte mundur ta bëjë një gjë të tillë, pasi pasaporta i kishte mbetur te familja e tij në Siri.

“Paratë nuk m’i dhanë pa pasaportë… Nuk di si t’ia bëj”, thotë Haxhimi, tek qëndron skaj rrugës kryesore në Miratoc të Preshevës, duke përcjellë autobusët e shumtë që mbushen me emigrantë në këtë fshat, e që dërgohen në kampin për refugjatë në Preshevë.

Por, dy ditë më vonë, Haxhimi do të befasohet, tregojnë banorët lokalë të Preshevës. Dafina Aliji nga Këshilli i të Rinjve në Miratoc ka treguar se derisa Haxhimi po priste shokët e tij, i ka ndodhur një befasi e këndshme.

“Pa pritur para syve të tij dolën familjarët e tij të ngushtë. Ai nuk iu besonte syve. Filluan të gjithë të qajnë. Ishte përjetim i veçantë. Ata ishin takuar së bashku me shokun e tij dhe të gjithë erdhën bashkë në Preshevë. I sollën edhe pasaportën. Ishte vërtet prekëse. Qamë të gjithë…”, ka thënë Aliji.

Por, pikërisht në kohën sa Haxhimi përqafohej me familjarët e tij, dikush kishte shfrytëzuar rastin, për t’ia vjedhur telefonin. Por, ai s’e kishte kthyer më kokën mbrapa. Kishte falënderuar banorët që i ishin gjendur për tri ditë në Miratoc të Preshevës, për të vazhduar bashkë me familjarët e tij në drejtim të Evropës. /Zeri/ – /Lugina-Lajm




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *