LAJMI I FUNDIT: Enver Sekiraqa lirohet nga paraburgimi

Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së zyrtarit policor, Triumf Riza është liruar nga paraburgimi, shkruan Gazeta Express.

Rastin për Gazetën Express, e ka konfirmuar avokatja e tij, Kosovare Kelmendi.

“Po, e vërtetë”, ka thënë shkurt ajo për Gazetën, kur u pyet nëse Sekiraqa është liruar në arrest shtëpiak.

Përndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-zyrtarit policor Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet./Express/

Leave a Reply

Your email address will not be published.