Kur bëhemi bashkë asgjë nuk na ndal!
Ashtu siç historikisht kemi fituar kur jemi bërë bashkë, përballë sfidave të mëdha, përballë padrejtësisë e pabarazisë, shtypjes e nëpërkëmbjes, ashtu edhe sot do të fitojmë ndaj përjashtimit e shfrytëzimit, ndaj pabarazisë, ndaj korrupcionit e inkompetencës.
Është e pamundur ta kuptosh pozitën e shqiptarit në Luginë pa qenë shqiptar i Luginës, pa e ndjerë në lëkurën tënde për çdo ditë nacionalizmin shovenist që vjen nga Boegradi, dhe nënçmimin e diskriminimin që sjellë ky nacionalizëm ndaj shqiptarëve dhe komuniteteve tjera kombëtare në Serbi.
Por po ashtu është e pamundur ta kuptosh pozitën e gruas në shoqërinë tonë, pa qenë grua. Pa e ndjerë në lëkurën tënde diskriminimin, paragjykimin, përjashtimin që ndodh për çdo ditë e në secilën instancë të jetës sonë. Ne përballemi për çdo ditë me fjali si “Politika nuk është punë për gra”, “Gruja s’ka çka lyp me punu”, “Boll e ki shkollën e mesme”, “Familja është më e rëndësishme se sa karriera”, etj.
Por këtë nuk e pranojmë. Për të ecur drejt barazisë gjinore duhet t’i thejmë temat tabu, duhet t’i luftojmë paragjykimet. Duhet të punojmë me njëra tjetrën dhe për njëra tjetrën.
Unë e kuptoj se në çfarë gjendje është sot gruaja shqiptare, e veçanërisht gratë në Preshevën tonë. Dhe e them me gojën plotë – nuk do të lë gurë pa lëvizur në mënyrë që kjo pozitë të përmirësohet. Gruaja në politikë e dëshmon se nuk ka fusha që nuk janë për gratë. Gruaja e shkolluar është hapi i rëndësishëm drejt emancipimit. Ne insistojmë të jemi të barabarta në punësim. Po, e duam edhe familjen edhe karrierën. Jemi të vendosura në të drejtat tona e për të drejtat tona.
Po jemi ndryshe. Por jemi të barabarta.
Unë vërtetë jam ndryshe. Ama ndryshe përnime. E dua Preshevën sikur të gjithë ju. Dhe do të punojë për Preshevën ashtu siç e doni ju.
Nga kohështrirja e Ardita Sinanit, kandidate për kryetare të Preshevës