Kujt po i pengojnë diskutimet e deputetit Kamberi?!

Nuk pajtohemi plotësisht me paraqitjet dhe qasjen e Deputetit Kamberi, po thonë, disa nga krerët politik në Luginë të Preshevës.

Pra, të tillët, nuk po pajtohen me politikën që ai ka përfaqësuar këto dy vite sa ishte deputet.

Po thonë është dashur të ketë qasje “më pragmatike” në raport me Qeverinë e Vuçiqit. Pragmatizëm me qeverinë në të cilën është ministër Aleksandar Vulini, autori i konceptit politik “Bota Serbe”, koncept në të cilin nuk ka vend për tjerët përveç serbëve.

Aleksandar Vulini i cili për Reçakun tha që është montim monstruoz i Perëndimit për të fajsuar serbët. Ai i cili gjatë tërë mandatit për shqiptarët nuk pati emër tjetër përpos “šiptari”. Ai që nuk u pendua asnjëherë dhe nuk kërkoi falje, kur u kërkua kjo. Por, vazhdoi, me tonet e njëta raciste.

Aleksandar Vulini i cili parapëlqen shqiptarët si Esat Pasha e jo sikur Shaban Polluzha.

Po kërkojnë qasje më pragmatike me Qeverinë që ka glorifikuar e po glorifikon kriminelët e luftës. Ata, që dikur, në Serbinë e demokratëve, fshiheshin për të mos iu dorëzuar Gjykatës së Hagës, e sot, në Serbinë e përparimtarëve muralet e tyre mbrohen nga vet shteti.

Pragmatizëm po kërkojnë me Qeverinë, kryeministrja e së cilës, asnjëherë nuk vizitoi Preshevën e në Bujanoc erdhi vetëm në cilësinë e anëtares së SNS.

Nuk pati as vullnetin e guximin të përballet me problemet e përditshme të qytetarëve por shkoi në zyret e partisë. Dhe vetëm aty. Në zyret e partisë shtet duke treguar edhe njëherë mosgadishmërinë të takojë përfaqësuesit e zgjedhur të kësaj popullate e të kësaj të komune. Njejtë, ama bash njejtë, sikurse edhe shefi i saj i cili, si president i Republikës vizitoi Bujanocin për të takuar vetëm militantët e partisë së vet.

Pragmatik me kë? Me ata që pas pensionimit të dy zv/prokurorëve shqiptarë, në vend të tyre, punësojnë dikë nga brendësia e Serbisë, duke mos i marr parasysh kandidatët shqiptarë.

Me Qeverinë që nuk ka vend për shqiptarët e Bujanocit e Preshevës as në pikëpagesat e rrugës e mos të flasim për institucione tjera të rëndësishme.

Për inspektorin Republikan të arsimit të pensionuar për gati 10 vite e që nuk u zëvendësua asnjëherë.

Për shërbimin kadastral pa asnjë shqiptarë.

Me ata që shqiptarët e Luginës i duan vetëm si pacijent në Spitalin regjional të Vranjës, por si të punësuar assesi. As si teknik medicinal e kurrsesi si mjek.

Për institucionet Republikane në nivel lokal ku shqiptarët janë të mirëseardhur vetëm si taksapagues por jo edhe të punësuar?

Pragmatizëm po kërkojnë e në fakt po thërrasin për nënshtrim. Për heshtje.

Jo të gjithë, dorën në zemër. Por jo edhe të pakët në numër, fatkeqësisht.

Shaip Kamberi ka kërkuar integrim, barabarësi në të drejta, ka kërkuar liri në përdorimin e gjuhës, shkrimit dhe simbolit kombëtar, ballfaqim me të kaluarën, pranim dhe marrje të përgjegjësisë për krimet e luftës, ndërprerjen e glorifikimit të kriminelëve të dënuar, zbardhjen e krimeve monstruoze në Kosovë e shumë e shumë tema tjera.

Pra me cilën pjesë të diskutimeve të Shaip Kamberit nuk pajtohen?

Dhe jo. Kjo nuk është krekosje mbi patriozmin por betejë për drejtësi, barabarësi, demokraci, mosnënshtrim.

 

 

Agon Islami

Leave a Reply

Your email address will not be published.