Kryetarja Sinani i reagon Qeverisë Kurti për ashpërsimin e masave Anti-COVID: Ka vështirësuar lirinë e lëvizjes

Kosova ka ashpërsuar masat Anti-COVID pas rritjes së numrit të rasteve të reja me COVID-19. Me masat e reja parashihet që çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë : Certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19, ose certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, raporton Gazeta Express.

Pas ashpërsimit të masave, ka reaguar kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Përmes një shkrimi në rrjetin e saj social Facebook, ajo ka thënë se vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës për ashpërsimin e masave ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës.

Ajo ka ftuar Qeverinë që ta rishqyrtojë vendimin e marrë, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve.

Shkrimi i plotë:

Vendimi i Qeverisë e Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVId-19 i cili ka hyrë në fuqi me 22 janar, përfshirë masat e reja mbi hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës, përkatësisht nevojën e domosdoshme për certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza, atë me dy (2) doza bashkë me testin RT-PCR negativ, ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës.

Duke qenë se një pjesë jo e pakët e tyre nuk mund ta marrin dozën e tretë sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin RT-PCR çdo herë që e kalojnë kufirin, kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre, etj.

Duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e rënduar me Pandeminë COVID-19, ftoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.