Kryetarja e Preshevës në intervistë për Insajderi.com: Cilado të jetë marrëveshja finale, Lugina e Preshevës, duhet të përfshihet

Gruaja e sapo ardhur në krye të Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, beson se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi në çfarëdo formati që arrihet duhet ta përfshijë çështjen e Luginës së Preshevës.

Në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, kryetarja e Preshevës deklaroi se pa marrë parasysh nëse marrëveshja arrihet mbi “parimet negociuese për të drejtat e minoriteteve”, “modelet e autonomive dhe territoriale” apo “korrigjimet e kufijve” – Lugina e Preshevës duhet të jetë pikë e trajtuar në të gjitha skenarët e mundshëm.

Është e vetëdijshme se politika e Luginës nuk mund ta përcaktojë agjendën, formatin e as përbërjen e delegacioneve Kosovë-Serbi për arritjen e zgjidhjes historike.

Por, mendon se Lugina e Preshevës nuk inkuadrohet në dialog me iniciativën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq e as me të kryeparlamentarit, Ivica Daciq – sipas saj kjo realizohet vetëm me këmbënguljen e Qeverisë së Kosovës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka kritikuar Beogradin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në komunat me shqiptarë në Serbi.

Të njëjtin shqetësim e ka edhe kryetarja e Preshevës.

“Pasivizimi i adresave është formë moderne e racizmit që jetësohet në emër të ligjit, duke pastruar/eliminuar administrativisht pjesëtarët e një komuniteti nga qytetaria dhe shtetësia”, tha ajo.

Akuzon se krejt kjo po bëhet me politikën e Aleksandër Vuçiqit, politikanin të cilin Sinani e cilësoi si “autoritar” dhe “neonacionalist”.

Thotë se presidentit serb ia larguan “ndikimin” nga Komuna e Preshevës e që qeveria lokale që drejtohet nga Sinani është opozitë e “regjimit të Vuçiqit”.

Por, opozitë e Sinanit në nivel lokal tash është ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, të cilit ia mori pushtetin duke siguruar shumicë në asamble komunale.

“Punë” me Arifin, Sinani nuk do të  përfundojë veç me akuzat për korrupsion gjatë fushatës zgjedhore.

Deklaroi se do ta krijojë një revizor profesional për të hetuar mënyrën sesi janë shpenzuar mjetet e buxhetit publik nga pushteti paraprak lokal.

Ndërsa, për qeverisjen e saj në koalicion me Partinë Demokratike Shqiptare dhe Lëvizja për Reforma, potencon se “kanë një plan” sesi ta drejtojnë komunën.

Ky plan përmban mbështetje të bizneseve, bujqësisë e blegtorisë, administratë cilësore për të gjithë, furnizim me ujë dhe menaxhim me mbeturina si dhe investim në hapësira publike.

Ardita Sinani foli edhe për mbështetjen që Lugina duhet të ketë nga Tirana dhe Prishtina, në mënyrë që të zhvillohen.

“Kur Serbia ka organ të posaçëm qeveritar për Luginën e Preshevës apo madje edhe për Kosovën, pse mos ta kenë edhe Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë për Luginën e Preshevës”, pohoi kryetarja.

Për Prishtinën e Tiranën, udhëheqja e Preshevës ka edhe një kërkesë tjetër; diskriminim pozitiv, për shqiptarët e Kosovës Lindore që jetojnë në dy shtetet e pavarura shqiptare.

E quan fatkeqësi faktin se ka shqiptarë të Luginës së jetojnë ende në Kosovë pa dokumente. /Insajderi.com

Insajderi.com:  Cila është platforma juaj si kryetare e Preshevës?

Ardita Sinani: Me konsolidimin e qeverisjes së re, ne do ta angazhojmë një revizor profesional dhe të pavarur, për të shqyrtuar sesi janë shpenzuar mjetet e buxhetit publik nga qeverisja pararake. Është me rëndësi t’i qartësojmë dyshimet e shumta për korrupsion dhe keqpërdorime të parave të taksapaguesve tanë. Nga ato që kemi parë deri tash, ka shumë vend për hetime.

Së pari do të ndërtojmë qeverisje transparente, profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Së dyti do të fillojmë me realizimin e zotimeve të fushatës sonë parazgjedhore në katër segmente prioritare e themeltare:

  1. Bizneset, Bujqësia dhe Blegtoria – përmes të cilave e rrisim punësimin dhe arrijmë zhvillimin
  2. Administratë për gjithë – administratë që qeverisë në mënyrë transparente dhe që i digjitalizon shërbimet për të garantuar barazi të qytetarëve në punësim e për ta luftuar nepotizmin
  3. Ujin dhe mbeturina – furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për të gjitha vendbanimet e Preshevës dhe pastrim e menaxhim të mbeturinave për të gjitha lokalitet e komunës
  4. Hapësira publike – shtimi i parqeve, këndeve të lojërave dhe hapësirave publike për qytetarët

Insajderi.com: Si e komentoni përpjekjen për pasivizimin e adresave të shqiptarëve?

Ardita Sinani: Pasivizimi i adresave është formë moderne e racizmit që jetësohet në emër të ligjit, duke pastruar/eliminuar administrativisht pjesëtarët e një komuniteti nga qytetaria dhe shtetësia. Ky është proces i dhunshëm shtetëror që ka për qëllim jo vetëm pastrimin përfundimtar të shqiptarëve nga Medvegja, por edhe ndryshimin demografik të Bujanocit në dobi të komunitetit minoritar vendor, siç janë serbët e Bujanocit

Insajderi.com: Si do ta adresoni çështjen e Luginës së Preshevës që të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi?

Ardita Sinani: Shteti i Serbisë po dëshmon se nuk do integrim të shqiptarëve. Beogradi zyrtar duket më e interesuar t`i përjashtojë ata. Vetë Beogradi po vërteton se çështja e Luginës së Preshevës është pjesë e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë.

Ne jemi të vetëdijshëm se nuk e përcaktojmë agjendën, formatin dhe përbërjen e delegacioneve në dialogun Kosovë-Serbi. Por është me rëndësi që si përfaqësues legjitim të Luginës të jemi të përfshirë direkt ose indirekt në çdo gjë që negociohet mbi Luginën e Preshevës. Duhet pasur kujdes që Lugina  e Preshevës të mos instrumentalizohet për interesa të kryeqendrave të ndryshme. E rrezikshme është ideja të vendoset fati politik i Luginës pa përfshirjen dhe pa vullnetin e qytetarëve të Luginës.

Pikërisht që mos të ndodhin zgjidhje të tilla të njëanshme e asimetrike që thellojnë krizën dhe konfliktin duhet të përfshihet Lugina e Preshevës. Është kundërproduktive të synohet paqe e qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës së Preshevës. Çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, edhe si temë, edhe përmes pranisë fizike të të zgjedhurve të Luginës së Preshevës.

Ndonëse në negociatat për çlirimin e Kosovës në Rambuje dhe në ato të Vjenës për pavarësinë e Kosovës, disi arsyetohej mungesa e çështjes së Luginës nga ana e palëve të përfshira dhe nga ndërmjetësuesit, në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve dhe për njohje reciproke Kosovë-Serbi nuk ka kuptim të mungojë çështja e Luginës së Preshevës. Nuk ka kuptim që të flitet për rirregullimin kushtetues, për organizimin administrativo-territorial, për të drejtat e minoriteteve të Kosovës, e të mos flitet për ato të Serbisë, aq më tepër kur merret parasysh se Serbia edhe sot është shtet shumë më i centralizuar territorialisht e administrativisht, si dhe me Kushtetutë e legjislacion që nuk mundëson të drejta për minoritete dhe zhvillim socio-ekonomik për zonat e margjinalizuara si Lugina e Preshevës.

Sigurisht se nuk presim nga Vuçiqi e Daçiqi që të angazhohen për përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës në ndonjë marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi në dobi të interesave të Luginës. Këtë e presim para së gjithash nga Qeveria e Republika e Kosovës.

Insajderi.com: Çfarë mendoni për idenë e korrigjimit të kufijve, është i mundur bashkimi  Luginës me Kosovën?

Ardita Sinani: Si të zgjedhur të Luginës, ne i kemi harmonizuar kërkesat dhe qëndrimet tona për të gjitha skenarët e mundshme.

Nëse parimet negociuese janë të drejtat e minoriteteve, atëherë kërkojmë reciprocitet në të drejta me serbët e Kosovës.

Nëse janë modelet e autonomisë politike dhe territoriale, atëherë duhet edhe Lugina e Preshevës të përfshihet në ato modele.

Nëse është ndryshimi/korrigjimi i kufijve, atëherë Lugina e Preshevës duhet të bashkëngjitet si e tërë me Republikën e Kosovës.

Por për ne, prioritet mbetet përfshirja e çështjes së Luginës dhe të zgjedhurve të saj në dialogun Kosovë-Serbi.

Insajderi.com: Çfarë prisni nga Prishtina dhe Tirana zyrtare?

Ardita Sinani: Ka pasur disa iniciativa nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, si Fondi për Luginën nga takimi i dy qeverive që është themeluar më 2016 i cili nuk u funksionalizua prej atëherë. Pastaj Qeveria Haradinaj dhe Kurti 1 ndajtën disa mjete financiare për Luginën dhe Qeveria Hoti themeloi zyrën qeveritare për Luginën. Njëjtë edhe Qeveria e fundit e Ramës ka ndarë disa mjete dhe ka qenë aktive sidomos në inkurajimin e koalicionit gjithëshqiptar në Bujanoc dhe për krijimin e listës së përbashkët për zgjedhje parlamentare. Mirëpo mungon ende një qasje më serioze shtetërore.

Lugina e Preshevës duhet të ketë trajtim institucional në bazë të një strategjie të përbashkët shtetërore ose idealisht ndërshtetërore nga autoritetet e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, për shkak të gjendjes së rëndë së Luginës së Preshevës, por edhe për shkak të proceseve politike që priten të zhvillohen lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, bashkëpunimit rajonal dhe integrimeve europiane.

Kur Serbia ka organ të posaçëm qeveritar për Luginën e Preshevës apo madje edhe për Kosovën, pse mos ta kenë edhe Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë për Luginën e Preshevës?

Unë pres nga Qeveritë Kurti dhe Rama qasje institucionale dhe shtetërore, që i japin fund veprimeve ad hoc dhe të lidhura mbi njohje personale ose preferenca partiake siç ka ndodhur në të kaluarën. Momentin që ndërtohen mekanizmat institucionale dhe vijat buxhetore, atëherë edhe më lehtë bashkërisht mund të hartohen e zbatohen planet dhe programet mbi prioritetet politike, ekonomike dhe shoqërore.

Insajderi.com: A do ta keni ndonjë kërkesë për institucionet e shteteve shqiptare për qytetarët e Preshevës që jetojnë në Kosovë e Shqipëri?

Ardita Sinani: Që autoritetet shtetërore në Prishtinë dhe Tiranë të miratojnë kornizën ligjore e të ndërtojnë mekanizmat institucionalë për diskriminim pozitiv për qytetarët e Luginës  që banojnë e punojnë në Kosovë e Shqipëri. Që ata të kenë drejta civile dhe të barabarta, respektivisht të kenë qasje lehtësuese në punësim, në arsim, në shëndetësi, asistencë sociale etj. Është fatkeqësi qe kemi ende sot qytetarë të Luginës që jetojnë pa dokumentacion në Kosovë.

Insajderi.com: Cila do të jetë qasja juaj me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq?

Ardita Sinani: Aleksandër Vuçiqi nuk është vetëm ish-krahu i djathtë i Sheshelit të rrethimit të Sarajevës me forcat e Ratko Mlladiqit dhe ish-ministri i propagandës së Sllobodan Millosheviqit në kohën e masakrave masive të Serbisë në Kosovë. Ai është sot lideri autoritar dhe neonacionalist i gjithëpushtetshëm i Serbisë i cili përkëdhelet nga qendrat ndërkombëtare për arsye gjeostrategjike e gjeopolitike. Ne as nuk mundemi, as nuk duam të jemi partner i tij politik. Do të jemi opozitë e regjimit të tij. Por njëkohësisht, pushteti i tij ka obligime të veçanta dhe të përgjithshme ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Partia-shtet e Vuçiqit viteve të fundit :

  • Bllokoi dialogun me të zgjedhurit e Luginës.
  • Bllokoi zbatimin e 3 marrëveshjeve ekzistuese për integrimin e shqiptarëve të Luginës dhe zhvillimin socio-ekonomik të rajonit
  • Marginalizoi organin qeveritar për Luginën e Preshevës (Trupin Koordinues)
  • Përjashtoi shqiptarët nga pushteti në Medvegjë
  • Mori nën kontroll komunën e Preshevës përmes Listës Serbe dhe partnerit të tij lokal shqiptar

Megjithatë arritem t’ia heqim ndikimin Vuçiqit nga komuna e Preshevës dhe ta pamundësojmë të njëjtën në Bujanoc. Sot, bashkë me Bujanocin, tashmë edhe Presheva është tashmë një nga të paktat komunat e vendit që nuk është nën kontrollin e pushtetit absolut e autoritar të Aleksandër Vuçiqit.

Katër vitet e pushtetit të ish-kryetarit të Preshevës Shqiprim Arifi dëshmuan se rruga e moskonfrontimit dhe të bashkëpunimit me pushtetin e Vuçiqit në nivelin qendror të pushtetit në Beograd nuk i solli asnjë dobi Preshevës. Përkundrazi u rrit diskriminimi buxhetor e faktik nga Beogradi.

Ne jemi e kundërta. Ne kemi zgjedhur rrugën e konfrontimit politik dhe nuk do të rreshtemi së kërkuari nga pushteti absolut i Vuçiqit t’i përmbushë obligimet e tij dhe do të ngrisim kryet për sa kohë që shtypemi e diskriminohemi në baza kombëtare e qytetare.

Është inkurajues fakti, që pas një heshtje disavjeçare, më në fund bashkësisa ndërkombëtare ka filluar që në raportet zyrtare (Raporti i progresit për Serbinë më 2020, Rezoluta e Parlamentit Evropian dhe Raporti i State Departamentit për të drejtat e njeriut dhe pakicave në Serbi për 2020) të kritikoi trajtimin e pakicave kombëtare nga ana e regjimit të Vuçiqit./Insajderi.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published.