Kryetari i Bujanocit: Zgjidhja e vetme është bashkimi me Kosovën (VIDEO)

2788

Sot liderët politikë të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës iu kanë drejtuar me një kërkesë publike liderëve të Kosovës, që në një periudhë sa më të shkurtër kohore të miratojë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës do ta përkrahin vullnetin e tyre politik të shpallur me një rezolutë të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për bashkimin e tyre me Kosovën.

Kryetar i Bujanocit, Shaip Kamberi, në Express Intervistën në KTV, tha se i kanë konfirmuar presidentit se zgjidhja tyre, është bashkimi me Kosovën.

“Zgjidhja e vetme për ne është bashkimi me Kosovën”, tha ai.

Kamberi tha se kanë pasur e do të kenë takim me të gjitha partitë politike, për të kërkuar nga ta që Lugina të trajtohet si e Kosovës. “Unifikimi i qëndrimeve është i rëndësishëm për ne e të gjithë. Me shumë gjasë një marrëveshje që do bisedohet e vështirë të arrihet, por duhet t’i rikthehet Kosovës për ratifikim”, tha ai.

Lugina e Preshevës, thotë Kamberi, ishte e harruar krejtësisht, dhe tani thotë se është kthyer me “të madhe”. Sipas tij, pret që kjo çështje të diskutohet në Bruksel e të ngritët në nivel të lartë.

“Kemi kërkuar që spektri politikë të ketë një qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje”, tha ai.

Kamberi, mes të tjerash, pret nga partitë kosovare mbështetje që kjo çështje mos të lihet anash. “Na dha përkrahje presidenti, presim tani takim me kryeministrin e partitë të na përkrahin”, tha ai.

Ai thotë se në Bruksel, do vendoset gjithçka në lidhje me ta, pasi Kosova nuk e kontrollon atë anë, pra Luginën, prandaj pret unifikim.

“Ne e paraqitëm kërkesën e shqiptarëve të Luginës, tani mbetet në dorë të Kosovës se cilat do jenë pikat e kuqe apo kërkesat tjera”, tha ai.

Në rast se Serbia do kërkojë veriun në shkëmbim të Preshevës, Kamberi tha se nuk do donin që të rrezikohej Kosova e asnjë pjesë e saj.

“Reciprociteti është kërkesë e jona e vazhdueshme. Të shtrohen në tavolinë të drejtat e shqiptarëve në atë pjesë”, tha ai.

Kamberi tha se pret të mos ndodhin incidente që të tensionohet situata në Luginë.

Kryetari i Bujanocit, në fund të intervistës së tij, tha se kërkesa e tyre që i është adresuar BE-së, t’i adresohet edhe Serbisë, pasi ata i duan të drejtat e tyre.

Kujtojmë se pas takimit të liderëve të Luginës sot me presidentin Hashim Thaçi, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, lexoi kërkesën e nënshkruar nga përfaqësuesit politikë të Luginës, duke thënë se shpresojnë që kjo kërkesë sa më shpejt të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

Ai shtoi se kanë kërkuar përfshirje të liderëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në delegacionin negociues të Kosovës në Bruksel.

 




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *