Kryeministri Mustafa ka pritur në takim studiuesin nga Bujanoci, Shukri Fetahun

239

20161124111115213646Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e ka pritur në një takim zbuluesin e kultivarit të parë të grurit të quajtur “Dardania1”, Shukri Fetahu, prejardhje nga Letovica e Bujanocit, njëherit profesor i rregullt në Fakultetin e Bujqësisë në UP.

Kryeministri Mustafa me studiuesin Fetahu, kanë diskutuar për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet shkenca në Kosovë.

Is Mustafa, kryeministër i Kosovës, ka thënë se si përfaqësues të institucioneve nuk ka si të mos krenohen për këtë të arritur shkencore që është bërë në vendin tonë derisa e ka përgëzuar në emër të Qeverisë së Kosovës profesor Fetahun për një gjë të tillë.

Mustafa ka theksuar se këso lloj zbulimesh i duhen Kosovës, edhe në fusha tjera.

“Ky është një zbulim që e afirmon jo vetëm Kosovën por edhe në tërësi rajonin në Evropë dhe në botë. Kontribuon në zhvillimin bujqësor, rendimenteve më të larta por edhe shfrytëzimin më të mirë të cilësisë së tokës edhe të ambientit në të cilin ne tash gjendemi. Ju uroj shumë për këtë gjithashtu dëshiroj të shpreh përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të mbështes punën shkencore sidomos në fushat, të cilat ndikojnë që të ndryshohet edhe struktura e prodhimit në vend dhe të kemi edhe brendin tonë të kemi edhe markën tonë me të cilën ne mund të identifikohemi edhe në Ballkan edhe në Evropë e në botë”, tha ai.

Kurse profesor Shukri Fetahu i cili e ka bërë këtë zbulim, ka thënë se për punën e tij shkencore i falënderon më së shumti studentët, të cilët kanë qenë pjesëmarrës me punimet e tyre studimore gjatë tërë këtij rrugëtimi.

“Ishte një sfidë fillimisht me shumë pikëpyetje por e përballuam duke iu falënderuar edhe ekipit vendor dhe në bashkëpunim edhe me disa kolegë ndërkombëtarë si Austrinë dhe Tiranën bashkë dhe në rend të parë gjithmonë po flas se kjo punë më shumë i takon ekipit të studentëve për shkak se në rrethanat në ë cilat kemi vepruar kanë qenë pak më të vështira sepse ka filluar para 15 viteve kjo punë dhe kështu e do natyra e gjenetikës së bimëve fillimin e pastaj me i zhvillua gjeneratat. Ndërsa lidhur me këto unë mund të ju informoj se është kultivari i parë që e krijuam dhe deri tash kemi thënë që nuk kemi kultivarë tash e them pa modesti , po dal prej modestisë që të them se Kosova e ka kultivarin e saj të parë të grurit dhe ky është kontributi i fakultetit, universitetit studentëve të gjithëve”, ka thënë Fetahu.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi i cili ishte i pranishëm në takim, tha se ky kontribut është shumë domethënës derisa ka shtuar se këto kontribute shkencore institucionet shtetërore duhet t’i stimulojnë.

“Profesori e ka bërë një kontribut tepër domethënës, po flasim për kultivarin e parë autokton ta quaj të grurit dhe mbi të gjitha nuk po flasim për çfarëdo kulture por për kulturën më strategjike për secilin vend. Ajo që vlen të theksohet është fakti që tash për tash ne këtu po flasim për një kontribut shkencor por është qëllimi ynë i përbashkët që këtë kontribut shkencor ta stimulojmë dhe ta ndihmojmë që të transformohet në një kontribut ekonomik dhe zhvillimin e bujqësisë në vend sidomos kur kihet parasysh fakti i sipërfaqeve të limituara të cilën e kemi dhe fokusit ton, kultura më profitabile sesa gruri është tepër e rëndësishme kur kemi një kultivar i cili në njërën anë e zvogëlon investimin fillestar për fermerët ndërsa e rritë rendimentin”, tha Krasniqi.

Kultivari i parë i grurit “Dardania 1” është zbuluar nga profesori i Fakultetit të Biologjisë në Universitetin e Prishtinës, Shukri Fetahu dhe deri më tani ka marrë dy njohje: një vendore dhe një ndërkombëtare për këtë zbulim./Lugina-Lajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *