Kryeministri Kurti priti në takim kryetarin Mustafa: Fushata e pasivizimit të adresave në Luginë duhet të ndërpritet

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së bashku me zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë takuar sot kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa me bashkëpunëtorë.

Në ketë takim u bisedua për situatën aktuale në Luginën e Preshevës, në veçanti çështjen e pasivizimit të adresave të banorëve shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare, që posaçërisht është intensifikuar në Medvegjë.

Kryeministri Kurti tha që është duke e përcjellë me vëmendje situatën me pasivizimin e adresave të shqiptarëve.

Sipas një njoftimi të qeverisë Kurti ka thënë se ‘përderisa në të kaluarën Serbia tentonte të shpopullojë komunat me shumicë shqiptare me dhunë e tanke, tash po e bën në mënyrë administrative. Kjo fushatë kundër banorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës është e papranueshme dhe duhet të ndërpritet sa më parë, tha  Kurti.

Nga ana tjetër Ragmi Mustafa e falenderoi kryeministrin Albin Kurti, për pritjen në takim e në veçanti për fondet e ndara nga Qeveria Kurti 1, gjatë krizës së pandemisë. Ai paraqiti projekte të ndryshme që komunat me shumicë shqiptare synojnë t’i realizojnë. Kryeministri Kurti dhe kryetari Mustafa u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *