Kosovarët “në solidaritet me popullin palestinez”

Me dhjetëra aktivistë e qytetarë kanë marshuar sot në Prishtinë, kundër dhunës së shtetit të Izraelit ndaj palestinezëve.

Me parullat “Liri për Palestinën”, “ Mos e prekni Al-Aksën”, “Kundër spastrimit etnik”, “Free Palestine”, “Izraeli po vret fëmijët palestinez”, “ Poshtë fashizmi e shoviznizmi”, “ Mos vrisni fëmijë, gra, pleqë e askënd”, marshuesit po kërkojnë drejtësi për të drejtat elementare të popullit palestinez.

Aktivisti Gazmend Qyqalla tha se ky marsh është organizuar për të treguar mbështetjen dhe solidarizimin e tyre me palestinezët.

“Ne jemi mbledhur këtu për të thënë se feja po keqpërdoret nga shteti fashist i Izraelit për të arsyetur spastrimit etnik që po bëjnë në Izrael. Jemi këtu për të kundërshtuar krimet e luftës nga bombardimet e vazhdueshme ndaj 2 milionë banorëve të Gazës. Jemi këtu që të drejtat e popullit palestinez që tash e 73 vite që po vuan nën okupim, kolonizim dhe bombardim dhe po jeton nën aparteidin e Izraelit”, tha Qyqalla.

Ky marsh është organizuar nga ‘Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist’ por të cilit iu bashkuan edhe shumë aktivistë nga organizata të tjera dhe qytetarë të Kosovës.

“Izraeli i sotëm është fashizmi i dikurshëm, andaj  ne kemi përgjegjësi morale e njerëzore që ta kundërshtojmë. Padrejtësia kudo që ndodh pamundëson drejtësinë kudo në botë”, tha Qyqalla.

Gjithsej 103 persona, përfshirë të paktën 27 fëmijë, janë vrarë në Gaza. Vetëm të enjten, 49 palestinezë janë vrarë në enklavë. Në Izrael janë vrarë shtatë persona, përfshirë dy fëmijë.

Të mërkurën në mëngjes, Izraeli kreu qindra sulme ajrore në Gaza, ndërsa grupi islamist Hamas dhe militantët tjerë palestinezë, qëlluan me breshëri raketash në drejtim të Tel Avivit dhe qyteteve tjera.

Jerusalemi ka qenë skenë e konfrontimeve të dhunshme midis hebrenjve dhe arabëve për 100 vite.

Përleshjet e fundit filluan një muaj më parë, në fillim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kur Izraeli bllokoi disa tubime të palestinezëve. Pasi ato kufizime u zbutën, plani për të dëbuar dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jerusalemit Lindor vazhdoi të nxiste konfrontime.

Leave a Reply

Your email address will not be published.