Kosova drejt koalicionit “të luftës”

323

Zhvillimet e fundit brenda bllokut LVAN lënë të kuptojnë se ky koalicion paszgjedhor po i numëron orët para shpërbërjes.
Pozita e kryeministrit e ka thyer përfundimisht Bllokun, prandaj përgjigjja e LDK-së sot nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm do të jetë goditja e fundit.
Duke e parë ecurinë negative lidhur me pajtimin e AAK-së dhe LDK-së, tashmë janë shtuar zërat se kush me kë do t’i formojë tash institucionet.
Në njërën anën, opsioni që po qarkullon lidhur me koalicion të mundshëm mbetet ai ndërmjet dy partive të mëdha, PDK-së dhe LDK-së. Mirëpo, duke parë ngërçin brenda strukturave të LDK-së, vështirë që Isa Mustafa do të vendos “n’krye n’veti” që të hyjë në “gjirin” e Thaçit.
“Kryetari Mustafa ndodhet para një dileme të mëdha. Brenda Këshillit Drejtues janë dy grupe, njëri pro e tjetri kundër koalicionit me PDK-në. Do të shohim se si do të rrjedhin gjërat sot në mbledhjen e Këshillit, mirëpo zor që kryetari do të mund të shpërfillë votën e anëtarëve të Këshillit Drejtues”, ka thënë një burim brenda LDK-së për Indeksonline.
Në anën tjetër, ky zhvillim e ka nxitur një ide të re, atë të koalicionit të partive të dala nga lufta, PDK-AAK-Nisma.
Një zyrtar i lartë i AAK-së i ka thënë Indeksonline se nëse shkohet në koalicion me PDK-në, aty do të jetë edhe Nisma.
“Nëse hyjmë me PDK-në, do të jetë gjithsesi edhe Nisma për Kosovën”, ka thënë ky zyrtar i AAK-së. /Indeksonline/ – /LuginaLajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *