Komandant Lleshi me memorial në Tërnoc, Mustafa: E shohim si një hero të historisë sonë të fundit

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në një kodër mbi Tërnocin e Madh, në jug të Serbisë, kanë nisur punimet për rregullimin e hapësirës dhe ndërtimin e një objekti kushtuar komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), Ridvan Qazimi, i njohur edhe si komandant Lleshi.

“Mund të quhet kompleks memorial, një park përkujtimor ose mund t’i vihet një emër tjetër, por në thelb, ky vend do të jetë një vend për të ruajtur kujtimin për komandant Lleshin, që ne këtu e shohim si një hero të historisë sonë të fundit, një njeri që sakrifikoi për të mirën e popullit të tij”, tregon Mustafi.

Pasi në opinion nisi të qarkullonte një informacion jozyrtar për nisjen e punimeve në këtë kompleks përkujtimor, për këtë temë u diskutua edhe në një seancë të rregullt të Parlamentit serb.

Në seancën e Parlamentit të Serbisë, të mbajtur më 13 prill, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Gjorgje Miliqeviq, pyeti Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale e të Veteranëve nëse Komuna e Bujanocit apo autoritetet lokale të Tërnocit të Madh, kanë paraqitur ndonjë kërkesë për miratimin e lejimit të ndërtimit të kompleksit përkujtimor për Ridvan Qazimin.

Me këtë rast, ai tha se Komuna e Bujanocit duhet të respektojë ligjet e Serbisë, pavarësisht përkatësisë etnike të qytetarëve të Bujanocit.

“Në Serbi ekziston një ligj ku rregullohet saktë se kujt dhe në çfarë kushtesh mund t’i ndërtohet monument përkujtimor. Kjo sigurisht nuk është e mundur për ata që morën pjesë në veprime terroriste”, u shpreh Miliqeviq.

Hero kombëtar për shqiptarët

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, tha për REL se asgjë e rrezikshme dhe e tmerrshme nuk është duke ndodhur për Serbinë në kodrën mbi Tërnocin e Madh, pasi sipas tij, çdo nismë e shqiptarëve në jug të Serbisë, trajtohet si e tillë.

“Deklaratat që vijnë nga Beogradi janë të rrezikshme, në të cilat, shqiptarët janë gjithmonë armiq të shtetit”, tha Mustafi.

Në vend të kësaj, ai shton se shteti do të duhej të respektojë Ligjin për amnistinë, i cili, sipas tij, ka sjellë paqe në këtë pjesë të Serbisë.

“Me këtë ligj është paraparë që të gjithë luftëtarët e UÇPMB-së të amnistohen për pjesëmarrje në konflikte”, tha Mustafi.

Çka parasheh Ligji për amnisti?

Ky ligj, i cili është miratuar më 3 korrik, 2020 thotë se u jepet amnisti personave, shtetas të Jugosllavisë, të cilët në periudhën 1 janar, 1999 deri më 31 maj, 2001, në territorin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë bërë ose ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale të terrorizmit.

Sipas organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut më 2000 dhe 2001, në këto tri komuna, të banuar me shumicë shqiptare, ishte vendi i konfliktit të armatosur në mes të policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave në njërën anë dhe UÇPMB-së në anën tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published.