Këto janë detajet e marrëveshjes Kosovë-Serbi për targat, ja kur fillon largimi i Njësisë Speciale

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel lidhur me reciprocitetin për targa. Këtë e ka bërë të ditur, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak ka thënë se marrëveshja është arritur pas dy ditëve intensive të diskutimeve mes dy palëve.
Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi të shtunën më 2 tetor 2021. Sipas marrëveshjes, trupat e Njësisë Speciale në veri do të zëvendësohen me trupat e KFOR-it.

Pikat kryesore të kësaj marrëveshje janë sa vijon:

– Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.

– Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.

– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.