Këshilltari i presidentes së Kosovës: “Shqiptarët e Luginës që kanë mbi pesë vite në Kosovë, do të pajisen me shtetësi të Kosovës”

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës që kanë mbi pesë vite qëndrim në Kosovë, do të pajisen me dokumentacion të Kosovës” – këtë e ka bërë të ditur këshilltari i Presidentes së Republikës së Kosovës, Artan Murati i cili me origjinë vije nga Komuna e Medvegjës.

“Me 29 dhjetor 2021, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për Shtetësinë.

Shumë i lumtur që në këtë koncept-dokument, prej të cilit më pas do të dalë edhe Ligji i ri për Shtetësinë, është përfshirë komenti dhe propozimi i Zyres së Presidentes, i cili do t’ua mundësojë shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci të pajisen me shtetësi të Republikës së Kosovës. Më konkretisht, të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku 5 vite nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të Shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë Koncept Dokument, ndërsa sa i përket kritereve procedurale do të rregullohet me akte nënligjore që nxirren nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Shqiptarët e Luginës nuk do të anashkalohen asnjëherë. Koordinimi institucional është i nivelit më të lartë, dhe kjo do të sjellë rezultate pozitive. Hapi i rradhës: hartimi i projektligjit dhe më pas miratimi i tij në Kuvend. Po duket vit i mbarë në këtë drejtim.” ka shkruar A.Murati, Këshilltar i Presidentës së Republikës së Kosovës.

Vlen të theksohet se një kërkesë e tillë Këshilli Kombëtar Shqiptar e ka bërë në vazhdimësi, e konkretisht edhe në takimin e fundit me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj.Donika Gërvalla në muajin e kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.