Kamberi me kritika në 100 ditëshin e parë të Qeverisë së Serbisë: Asnjë rezultat në ecurinë e Serbisë drejt BE-së, dhe asnjë përparim në dialogun me Kosovën

Deputeti popullor shqiptar nga Tërnoci, Shaip Kamberi, përmes një postimi në facebook, ka kritikuar 100 ditëshin e parë të Qeverisë së Serbisë, për mosarritjen e rezultateve në rrugën drejt integrimeve europiane dhe ndalesës së negociatave me Kosovën.

“Përkundër që shumica qeverisëse në Serbi përbëhet nga 246 deputetë prej 250 sa numëron legjislatura komplet,  ‘shefes’ së qeverisë nuk i mjafton që të raportojë në Kuvendin republikan” – ka shkruar Kamberi.

Sipas tij, kjo qeveri, dëshmon se Serbia sot, nuk është as Republikë parlamentare dhe as Republikë qeveritare.

“Në 100 ditëshin e qeverisë së saj, vetë Kryeministrja dëshmon se Serbia e sotme nuk është as Republikë parlamentare dhe as Republikë qeveritare. Kjo shmangie e raportimit në Kuvend flet më së miri për performansën 100 ditore të Qeverisë Bërnabiq” – ka shkruar Kamberi.

Kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, për më tepër, 100 ditët e para të Qeverisë së Serbisë, i ka quajtur “100 ditët e para të Presidentit Vuçiq”.

“Asnjë rezultat në ecurinë e Serbisë drejt BE-së, polarizim të skajshëm të shoqërisë, cenim të pavarësisë së gjyqësorit, asnjë përparim në dialogun me Kosovën, asnjë përballje me të kaluarën, glorifikim i kriminelëve të luftës, demonizim i mediave opozitare, diskriminim i pakicave dhe forcim i autoritarizmit dhe presidencializmit” – ka shkruar ndër të tjera, deputeti Shaip Kamberi.

Kujtojmë që, Qeveria e re e Serbisë, është zgjedhur me 28 tetor të vitit 2020, nga 244 deputetë të pozitës, dhe duke u kundërshtuar nga 6 deputetë të opozitës, të listës “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”.

Më poshtë, mund t’a lexoni të plotë, postimin e deputetit, Shaip Kamberi, në 100 ditëshin e parë të Qeverisë së Serbisë:

100 DITËSHI I QEVERISË BËRNABIQ JANË 100 DITË TË AUTORITARIZMIT TË PRESIDENTIT VUÇIQ

Sot, në 100 ditëshin e Qeverisë së Republikës së Serbisë nuk ka seancë parlamentare.

Kryeministrja, znj.Ana Bërnabiq ka paralajmëruar se do të raportojë në seancë qeveritare, në prani të Presidentit të Republikës, z.Aleksandër Vuçiq.

Pra, as një shumicë parlamentare prej 243 nga gjithsej 250 deputetë nuk mjaftojnë që shefja e qeverisë t’i raportojë parlamentit i cili edhe ka zgjedhur.

Në 100 ditëshin e qeverisë së saj, vetë Kryeministrja dëshmon se Serbia e sotme nuk është as Republikë parlamentare dhe as Republikë qeveritare.

Kjo shmangie e raportimit në Kuvend flet më së miri për performansën 100 ditore të Qeverisë Bërnabiq.

Ato janë 100 ditët e Presidentit Vuciq :

Asnjë rezultat në ecurinë e Serbisë drejt BE-së, polarizim të skajshëm të shoqërisë, cenim të pavarësisë së gjyqësorit, asnjë përparim në dialogun me Kosovën, asnjë përballje me të kaluarën, glorifikim i kriminelëve të luftës, demonizim i mediave opozitare, diskriminim i pakicave dhe forcim i autoritarizmit dhe presidencializmit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.