Kamberi: Ideja për mbylljen e kufirit në Konçul është fashizëm i pastër
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ashpër ka kritikuar ngritjen e idesë mbi mbylljen e kufirit në Konçul
Deputeti Kamberi përmes një postimi në facebook, ka thënë se: “Nëse me të vërtetë ekziston ideja për mbylljen e kufirit në Konçul, atëherë mund ta paramendoj kush edhe është autori i saj. Por, është fakt që “nëpërmjet parandalimit të saj” Aleksandar Vuçiq po e paraqet vetën si paqeruajtës i Ballkanit.”
“Ideja e mbylljes së kufirit në Konçul vetëm për shqiptarët do të ishte edhe fundi i Open Balkan. Shqiptarët me siguri nuk do të duartrokisnin këtë rast. As nën kërcënimin e cilësdo fuqi nuk do të pajtoheshim me idenë që të na vendosin në ndonjë rezervat” – ka shkruar ndër të tjera deputeti popullor, Shaip Kamberi.
Ai tutje ka shkruar se “në elitën qeverisëse serbe, mjerisht, janë të përditshme idetë që prodhojnë konflikte me fqinjët, e të cilat, paqeruajtësi Vuçiq po i “parandalon”.
Sipas Kamberit i gjithë qëllimi i Aleksandar Vuçiqit, është që ai të prezentohet si “vetmi që i kontribuon paqes në rajon”.
Kryetari i PVD-së, tutje ka shkruar se: “Personi i cili e ka propozuar këtë ide duhet të jetë një budalla i pastër politik. Sepse ndërmarrja e masave represive ndaj popullsisë civile (shqiptare) që de fakto janë shtetas të Serbisë, është një masë fashiste të cilën as një budalla sikurse ai që e paska propozuar nuk do të ketë shans për ta aplikuar”.
Më poshtë mundë të lexoni të plotë reagimin e deputetit Shaip Kamberi:
Ideja për mbylljen e kufirit në Konçul është fashizëm i pastër
Nëse me të vërtetë ekziston ideja për mbylljen e kufirit në Konçul, atëherë mund ta paramendoj kush edhe është autori i saj. Por, është fakt që “nëpërmjet parandalimit të saj” A. Vuçiq po e paraqet vetën si paqeruajtës i Ballkanit.
Në thelb ato nuk do të ishin masa represive vetëm ndaj popullsisë civile, por edhe atak i drejtpërdrejtë ndaj idesë së Ballkanit të hapur me të cilën Vuçiq po krenohet. Në fakt, kjo ide e mbylljes së kufirit në Konçul vetëm për shqiptarët do të ishte edhe fundi i Open Balkan.
Shqiptarët me siguri nuk do të duartrokisnin këtë rast. As nën kërcënimin e cilësdo fuqi nuk do të pajtoheshim me idenë që të na vendosin në ndonjë rezervat.
Ne tashmë jemi mësuar me prezentimin e shpeshtë të disa ideve të çmendura të cilat munden të nxisin konflikte, por në fund na vjen Vuçiq që po i “parandalon”. Kujtone idenë e Marko Gjuriqit me trenin shumëngjyrësh.
Në elitën qeverisëse serbe, mjerisht, janë të përditshme idetë që prodhojnë konflikte me fqinjët, e të cilat, paqeruajtësi Vuçiq po i “parandalon”. I gjithë qëllimi është ta prezentojnë atë si të “vetmin që i kontribuon paqes në rajon”.
Por më duhet patjetër ta them që personi i cili e ka propozuar këtë ide duhet të jetë një budalla i pastër politik. Sepse ndërmarrja e masave represive ndaj popullsisë civile (shqiptare) që de fakto janë shtetas të Serbisë, është një masë fashiste të cilën as një budalla sikurse ai që e paska propozuar nuk do të ketë shans për ta aplikuar.