“Ka sulmuar luftën e drejtë të UÇK-së”, Këshilli i Qarkut të Kukësit i heq titullin “Nder i Qarkut” Veton Surroit (VIDEO)

217

Këshilli i Qarkut Kukës ka vendosur që t’i heqë titullin qytetar publicistit të njohur të Kosovës, Veton Surroi. Këshilli i Qarkut ka argumentuar një vendim të tillë me qëndrimet që z. Surroi ka mbajtur kohët e fundit për luftën e UÇK-së në Kosovë.

Këshilli i Qarkut të Kukësit përbëhet nga përfaqësues të Partisë Socialiste dhe vendimi është marrë pas propozimit të bërë nga një mjek (Misin Braha) dhe një gazetar (Baudin Murati). 

Kreu i Qarkut Kukës, Avdullah Domi gjatë një deklarate pas vendimi tha se, vendimi ishte marrë pas disa debateve ndërsa në votim propozimi u miratua me shumicë votash.

“Ajo çfarë po bën z. Surroi shkon në kundërshtim me vlerat universale dhe patriotike të zonës sonë dhe konkretisht Qarkut të Kukësit duke sulmuar luftën e drejtë të UÇK-së”, është shprehur z. Domi.

Për këtë vendim ka reaguar dhe kryeministri, Edi Rama, i cili pasi e cilëson “lajthitje kolektive” i kërkon Prefektit të Qarkut të mos e firmosë një vendim të tillë.

“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve”, shprehet z. Rama.

“Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftërave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd”, ka shtuar kryeministri.

Disa orë pas vendimit në Këshillin e Qarkut të Kukësit, kreu i Bashkisë Kukës Safet Gjici e ka cilësuar vendimin si “të nxituar”. Z. Gjici në një reagim në rrjetet sociale tha se, vendimi kishte ardhur pas kërkesës nga 57 familje dëshmorësh ë UÇK-së.

“Në emër të Bashkisë Kukës kërkoj ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut , lidhur me vendimmarrjen për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së! Duke u ndjerë shumë pranë atyre familjeve dhe dhimbjes së tyre në raport me këtë kohë lëndimesh për UÇK nuk e menduam më gjatë kërkesën e tyre emocionale”, përfundon reagimi i z. Gjici.

Veton Surroi është një nga intelektualët më të shquar të Kosovës. 59-vjeçari është publicist, politikan dhe ish-gazetar dhe ka qenë përfaqësues i Kosovës në bisedimet për Marrëveshjen e Rambujesë. Surroi në vitin 2011 ka marrë çmimin SEEMO për të drejtat e njeriut.

Veton Surroi u shpall “Qytetar Nderi” i Kukësit në vitin 2015 me propozim të klubit letrat “Anton Pashko” për kontribut të veçantë në fushën e medias dhe politike gjatë krizës së luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Këshilli i Qarkut të Kukësit përbëhet nga 13 anëtarë, përkatësisht 5 nga bashkia e Kukësit, 4 të Hasit e 4 nga Tropoja. Të tre këto bashki drejtohen nga përfaqësues të PS-së të dalë nga zgjedhjet lokale të  30 qershorit, të cilat u bojkotuan nga opozita.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *