Italia fiton 1-0 takimin historik me Shqipërinë

379

Në një mbrëmje solidariteti për përmbyjet e kohëve të fundit në kryeqendrën ligure, kombëtarja nderon Italinë duke luajtur si e barabartë përpara saj.
Italia fiton ndeshjen e parë historike me Shqipërinë, në një stadium të tërin kuqezi dhe me një “dhuratë” shqiptare, pasi goli i fitores shënohet pas një devijimi të Salihit. Në një mbrëmje solidariteti për përmbyjet e kohëve të fundit në kryeqendrën ligure, kombëtarja nderon Italinë duke luajtur si e barabartë përpara saj, si për të treguar se ecuria në eliminatore nuk është thjesht një rastësi, por një vazhdimësi e një kërkesë për ndryshimin e madh. Në fund fiton Italia, ashtu dhe sic pritej në fakt, në përballjen e parë mes vendeve tona por Shqipëria gjithsesi nuk mund të largohet me kokën poshtë nga “Luigi Ferraris” për atë cfarë dhuroi në 90-të minuta.
Më shumë se në Gjenovë ndeshja dukej sikur luhej në Shqipëri , me “Luigi Ferraris” që ishte mbuluar i tëri nga ngjyrat kuqezi. Prania e tifozëve të kombëtares u ndje në korin prej 20 mijë zërash që pushtoi impiantin gjenovez në momentin e këndimit të himnit shqiptar.
De Biasi i besoi të njëjtit formacion që “mbajti” Francën, ndërsa Conte u kundërpërgjigj me një 4-4-2, me Destron e Giovincon përpara. Të kaltërit që në fillim vuajtën gjatësinë e mbrojtjes shqiptare ndaj kërkuan zgjidhjet me pasime të shkurtra, si ai i minutës së 11-të, kur Cercio u shfaq para Berishës por nuk e mposhti dot Etritin. Shqipëria dhe njëherë tregoi se nuk del thjeshtë nga detyrat dhe deri në të 30-tën nuk i fali asgjë Italisë, që provoi të gjente avantazhin me të njëjtën skemë që De Biasi ka aplikuar te kuqezinjtë, ku Cerci kërkoi Giovincon në zonë por goditja e këtij të fundit la për të dëshiruar. Shqipëria nuk është se doli shpesh në pjesën e parë, por kur doli ishte vërtetë tronditëse, si në minutën e 37-të, kur Cikalleshi përfitoi nga një gabim i të kaltërve duke bërë të tronditet shtylla e Sirigut. Topi shkoi te Memushaj që për pak centimetra nuk gjeti rrjetën.
Në aksionin pasardhës të kaltërit rrezikuan me Bertolaccin, që nuk kishte bërë llogaritë vetëm me Berishën. Tashmë ndeshja ishte e hapur dhe në të 41-tën, sërish Cikalleshi me një gjest të lartë teknik nxorri bosh Bonuccin por jo Sirigun edhe për faktin se goditja e tij nuk ishte e fortë sa duhej. Në pushim u vajt me një tjetër përgjigje të Berishës ndaj Cercit. Nga dhomat e zhveshjes të dyja përfaqësueset dolën me synimin për gol. Në të 50-tën, Giovinco goditi shumë në qendër për të shqetësuar Berishën, ndërsa në aksionin pasardhës Sirigu kaloi në panik nga prania e Cikalleshit, por Lenjani vonoi goditjen derisa u mbyll në anësore.
Përgjigja e Italisë erdhi në të 60-tën me Giovincon që kombinoi me Destron por goditja ishte jashtë, ndërsa për Shqipërinë provoi dhe Lenjani por goditja e tij u prit nga Sirigu. Sirigu kaloi në vështirësi dhe në goditjen e Memushajt në të 67-tën. Por pritjet më të mira gjithsesi erdhën nga Berisha në këtë përballje që në të 69-tën ndali Okakën nga dy metra. Në të 70-tën, një tifoz shqiptar hyri në fushë për “pushtimin” e fushës më miqësor në histori, duke i kërkuar një autograf Canës mbi flamurin kuqezi, për t’u larguar më pas i pashqetësuar drejt vendit të tij në tribunë. Gjesti i tifozit të parë nxiti dhe dy të tjerë, me të parin madje që mbuloi me puthje Agollin. Kjo detyroi Canën t’i drejtohej fansave që të mos pushtonin më fushën. Gjithsesi historia e kësaj ndeshjeje do të shkruhej në të 81-tën, fillimisht me hyrjen në fushë të Acerbit, që vetëm prej pak kohësh fitoi betejën më të rëndësishme atë për jetën. Prania e tij duket se ishte ogur i mirë për Italinë, që në goditjen nga këndi kaloi përpara me golin e Okakas falë dhe devijimit të Salihit.
Ky ishte momenti që vendosi këtë ndeshje, që u mbyll me fitoren e Italisë, përballë një Shqipërie aspak të ndrojtur, me kombëtaren që në fund vajti përshëndeti ata 20 mijë fansa shqiptarë që kishim mbushur tribunat./LuginaLajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *