I heq dilemat shefi i EULEX-it, Borchardt: “Ekstremizmi në Kosovë, shumë më i vogël se në shtetet e tjera” (Video)

235

Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, në një intervistë për RTK ka folur për të gjitha zhvillimet e fundit, që kanë ngritur temperaturën e debatit në opinionin publik, mes të cilave edhe raportin e Clint Wlliamsonit dhe arrestimin e mbi 40 qytetarëve të Kosovës për pjesëmarrje në organizata terrorriste në Siri dhe Irak – si ISIS apo al-Nusra.
Ai tha se raporti prokurorit Special të Task-Forcës për Krime Lufte, Clint Williamson, është shumë i qartë dhe se nuk duhet keqinterpretuar.
“Natyrisht, prokurori asnjëherë përpara ngritjes së aktakuzës nuk do të thotë se ndaj kujt do të ngritet aktakuza. Unë e kam lexuar këtë raport dhe e kam kuptuar se Clint Williamson po flet në mënyrë shumë të qartë për individë të caktuar dhe jo për një organizatë”, tha ai. “Ne do t’i mbështesim nëse hetuesit dhe prokurorët vijnë në Kosovë. U kemi ndihmuar në identifikimin e lokacioneve, i kemi përcjellë ata deri aty, u kemi ofruar sigurinë e tyre”.
Ai foli edhe për aksionin e policisë për arrestimin e 40 të dyshuarve për bashkëpunim me organizatat terroriste dhe thotë se ekstremizmi dhe terrorizmi në Kosovë janë shumë më të vogla sesa në vendet e tjera.
“Me të vërtetë jam impresionuar me nivelin e lartë të policisë së Kosovës se si kanë organizuar një operacion shumë të madh dhe konfidencial ,me pjesëmarrjen e më shumë se 500 policëve. Kjo është një punë shumë e mirë dhe është shumë e rëndësishme që institucionet për sundimin e ligjit ta trajtojnë, ta ndjekin këtë kërcënim. Se sa profesionalistë do të dalin, është gjykata që do të vendos. Mendoj se duhet të ndiqen këta persona që kanë marrë pjesë në Siri dhe besoj se legjislatura e ardhshme do të bisedojë për këto gjëra. Këtu ekstremizmi dhe terrorizmi janë shumë më të vogla se në shtetet e tjera”.
Kreu i misionit evropian vlerëson se prezencën e EULEX-it nuk e duan kriminelët dhe radikalët politikë.
“Në veri nuk pranohemi kryesisht nga kriminelët. Mendoi se radikalët politikë dhe kriminelët të cilët nuk kanë një interes për sundimin e ligjit, nuk i mbështesin institucionet e Kosovës. Në të dyja anët e lumit Ibër ka një perceptim se ne po bëjmë një drejtësi politike dhe unë po konfirmoj tërë kohën se prokurorët dhe gjyqtarët tanë janë të pavarur dhe politikisht të paanshëm. Nuk ka asnjë interes as nga unë dhe as nga anëtarët e misionit që të vendosim jashtë kornizës së prokurorisë dhe gjyqësisë”.
Në këtë intervistë ai inkurajoi institucionet e vendit për një sistem të sundimit të ligjit i cili funksionon i lirë nga ndikimet politike. Madje, bëri të qartë se me mandatin e ri EULEX-i nuk është përgjegjës për sundimin e ligjit.
Borchardt shpreson që shumë shpejt të zgjidhet edhe situata e fundit politike dhe të konstituohen institucionet. /RTK/ – /LuginaLajm/

Video:




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *