HISTORI: Futbollisti tërnocas që shpëtoi karrierën e tij falë mbiemrit gjerman – rrëfimi i tij është rrëqethës

1860

Në moshën 12 vjeçare, Bashkimi dhe familja e tij u kthyen nga Gjermania, ëndrra për të luajtur futboll pothuajse u shua, por mrekullia ndodhi më pas kur mori mbiemrin gjerman…

Bashkim Ajdini, futbollisti shqiptar nga Tërnoci i Luginës së Preshevës që luan në Bundesliga 2 te Osnabruck në Gjermani ka një histori tejet interesante rreth karrierës së tij.

Ajdini deri në sezonin e kaluar ka bartur fanellën me mbiemër gjerman “Renneke” dhe krejt kjo falë një ngjarje që jetës së tij ia ndryshoi kahjen, shkruan Reporteri.net

Bashkimi u lind në Suedi, në qytetin e Halmstad. Që nga mosha 5 vjeçare, ai ishte i pasionuar nga futbolli. Prindërit e tij, të larguar nga Suedia për në Gjermani në atë kohë, e regjistruan Ajdinin në një Shkollë Futbolli Amator, te klubi i quajtur, SJC Hovelriege.

Në moshën 12-vjeçare, Bashkimi dhe familja e tij u kthyen në Preshevë, dhe sigurisht se ëndrra e tij të luante jashtë vendit pothuajse kishte përfunduar. Por, kush e priste një befasi të tillë. Trajneri i klubit ku shqiptari ushtroi si i ri, mori përsipër marrjen e Bashkimit në Gjermani, por për t’u lejuar kjo futbollisti duhej ta pranonte mbiemrin “Renneke”.

“Është dashur që ta ndërroj mbiemrin në mënyrë që të udhëtoj së bashku me trajnerin për në Gjermani, ishte vendim shumë i vështirë nga ana e prindërve të mi, por ata këtë e bën me dëshirë dhe për mua”, ka thënë Bashkim Ajdini në një rrëfim ekskluziv për Reporterin.

Deri në moshën 18-vjeçare, futbollisti qëndroi te klubi ku filloi hapat e parë të futbollit. Pastaj ai arriti marrëveshje me klubin e njohur në Gjermani, Arminia Bielefeld.

Bashkimi tani jeton në Gjermani dhe ka pasur fatin që t’ia bëjë letrat edhe familjes së tij. Ai tani jeton dhe vepron në Gjermani së bashku me prindërit dhe dy vëllezërit e tij.

Gjatë vitit 2015, “Renneke” u largua nga Arminia Bielefeld duke firmosur me klubin Sonnenhof Grossaspach. Pas një sezoni relativisht të mirë, shqiptari u transferua te klubi ku është që tri vite, VFL Osnabruck.

“Kam pasur shumë oferta gjatë verës, por kam kontratë ende me klubin që bën gara në Bundesliga 2 dhe ndihem shumë mirë dhe komod. Ndoshta kjo është arsyeja pse dua të qëndroj këtu”, shtoi tutje 26-vjeçari.

I pyetur nga Reporteri nëse do të luante për Kombëtaren e Shqipërisë apo për atë të Kosovës, ai është përgjigjur kështu:

“Padyshim se kam dëshirë të jem pjesë e vendit tim, qoftë për Kosovën apo për Shqipërinë. Por, deri tani unë ende nuk jam kontaktuar nga ta.

Në vitin 2012, ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, i ndjeri Fadil Vokrri ishte takuar me Bashkim Ajdinin në shtëpinë e legjendës së futbollit shqiptar, Fatmir Vata. Atë kohë ishte diskutuar për të ardhmen e Kosovës, se si do të ishte në Kampionatet Evropiane dhe ato Botërore.

“Për Kosovën gjithmonë kam pasur shpresë që një ditë të jenë pjesë e Kupës së Evropës dhe asaj Botërore. Madje këtë e kam biseduar edhe në vitin 2012 me Presidentin e ndjerë, Fadil Vokrrin, i cili ishte në vizitë te Fatmir Vata dhe Fekmi Kongjeli në Bielefeld. Tani unë po i shikoj të gjitha ndeshjet e Kosovës, dhe me shumë dëshirë shpresoj qe të kualifikohet sepse aty është synimi, por ndonjëherë duhet të punoj fati,” është shprehur ai.

Ajdini “Renneke” gjatë gjithë kohës inspirohet nga legjenda e futbollit francez, Zinedine Zidane. Ai dëshiron që ta ndjek hapin e tij të suksesit, por ndryshe nga trajneri i Real Madridit, Ajdini një ditë dëshiron të luaj për kampionin e Bundesliga-s, Bayern Munchen.

“Mua gjithmonë më ka pëlqyer stili i Zinedine Zidane. Ai ka qenë një super lojtar me mentalitet të hapur. Klubi që unë do doja të luaja një ditë është padyshim Bayern Munchen”, ka thënë ai në fund të intervistës.

Në fillim të sezonit të ri Bashkim Ajdini ka pasur një problem me lëndim, duke munguar kështu në 6 ndeshjet e para të skuadrës së tij. Më 15 shtator shqiptari u rikthye në formacionin e Osnabruck duke luajtur pastaj në katër ndeshjet e fundit [45 minuta, 90 minuta, 90 minuta dhe 17 minuta]./Reporteri.net/





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *