Hap i mbarë: Çairi dhe Presheva po binjakëzohen!
Komuna e Çairit së shpejti do të binjakëzohet me Komunën e Preshevës. Kjo u bë e ditur, pas takimit të zhvilluar , sot ndërmjet kryetarit të Çairit Visar Ganiu me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, e cila ishte nën shqoërimin e kryetarit të Kuvendit komunal të Preshevës, Sami Salihu.
“Me zonjën Ardita Sinani u dakorduam që dy komunat që drejtojmë, ajo e Çairit dhe e Preshevës të fillojnë me procedurat e binjakëzimit, kështu që banorët e tyre do t’i sjellim edhe më afër njëri tjetrit, por edhe dy institucionet tona do të mund të bashkëpunojnë në shumë fusha që do të ndikonin drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik lokal” – ka shkruar pas takimit kryetari Ganiu.
Ai gjithashtu ka potencuar se një numër i madh i banorëve të Çairit janë me origjinë pikërisht nga Komuna e Preshevës, dhe të njejtit kanë familjarë në komunën shqiptare të Luginës së Preshevës.
Kujtojmë që Çairi dhe Presheva, janë pjesë e Unionit të Komunave Shqiptare në Rajon, gjë që, e lehtëson edhe më tej binjakëzimin në mes vete.
Më poshtë mundë të lexoni postimin e fundit të kryetarit të Çairit, Visar Ganiut:
Çairi e Presheva po binjakëzohen
Sot kisha nderin të jem nikoqir i kryetares së Komunës së Preshevës, zonjës Ardita Sinanit dhe kryetarit e Kuvendit të Preshevës z.Sami Salihut me të cilët biseduam për shumë çështje që janë më interes të ndërsjellë për të dyja komunat, të Çairit dhe të Preshevës dhe mirëqenien e banorëve që jetojnë në to.
E informova zonjën Sinani se një numër mjaft i konsiderueshëm i banorëve të Komunës së Çairit kanë prejardhje pikërisht nga Presheva dhe rajoni i saj, por edhe se të njëjtët kanë familje atje dhe vazhdojnë të ruajnë ato lidhje familjare.
Rrjedhimisht, me zonjën Ardita Sinani u dakorduam që dy komunat që drejtojmë, ajo e Çairit dhe e Preshevës të fillojnë me procedurat e binjakëzimit, kështu që banorët e tyre do t’i sjellim edhe më afër njëri tjetrit, por edhe dy institucionet tona do të mund të bashkëpunojnë në shumë fusha që do të ndikonin drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik lokal.