Halimi e Kamberi, kërkuan njohjen e diplomave të Kosovës!

451

Të mërkurën në Kuvendin e Republikës së Serbisë u aprovua ligji për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për arsim të lartë. Deputetët e Luginës së Preshevës, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi në procedurën kuvendore kishin paraqitur amandamentet në nenin 28 të këtij ligji, duke kërkuar njohjen e diplomave universitare të shteteve tjera në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare pa iu nënshtruar procedurave të deritanishme të stërzgjatura të nostrifikimit.
Deputeti Halimi si antarë i këshillit për arsim dhe shkencë këtë çështje të rëndësishme e kishte paraqitur paraprakisht në mbledhjet por edhe në diskutimin publik të organizuar nga ky trup punues i Kuvendit qendrorë. Andaj edhe në debatin e zhvilluar në parim por edhe për amandamentet, përveç çështjeve tjera paraqiti domosdoshmërinë e zgjidhjes urgjente të problemit të krijuar pas vendimit të gjyqit kushtetues të Serbisë i cili e ka shpallur jokushtetuese marrëveshjen e Brukselit për njohjen e diplomave universitare të Kosovës.
Njëkohësisht në këto debate u paraqit edhe problemi i procedurave të mundimshme të nostrifikimit të diplomave të univerziteteve të Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Pikërisht, për zgjidhjen e këtyre problemeve të rënda ishte paraqitur edhe amandamenti i theksuar, i cili nuk u pranua nga qeveria dhe shumica kuvendare.
Mirëpo, është me rëndësi të theksohet se megjithatë Kuvendi qendrorë e aprovoi amandamentin e propozuar nga këshilli për arsim dhe shkencë me të cilin parashihet kompetenca e qeverisë për të rregulluar me akt të veçant çështjen e pranimit të diplomave univerzitare të Kosovës. Gjithashtu duhet të shtohet se qeveria gjithashtu ka kompetencë që të nënshkruaj marrëveshje me shtete tjera për pranimin reciprok të diplomave univerzitare në bazë të parimit të ekuivalentimit, që mund të bazohet në faktin se të gjitha shtetet e Ballkanit vite me rradhë janë pjesë e procesit të Bolonjës.
Edhepse do të ishte shumë më mirë të ishte pranuar amandamenti i deputetëve Shqiptarë, megjithatë edhe me këtë kontribut të tyre po senzibilizohen gjithnjë e më tepër këto çështje të ndieshme arsimore. Andaj pritet që të zgjidhet edhe problemi i rëndë i krijuar pas vendimit të theksuar të gjyqit kushtetues të Serbisë me anë të amandamentit të këshillit për arsim dhe shkencë. Por është e mundur që qeveria serbe ta pranojë iniciativën e qeverisë shqiptare të paraqitur para shumë viteve për pranimin reciprok të diplomave univerzitare.
Këto diskutime të deputetëve të Luginës së Preshevës si dhe të gjitha diskutimet në parlamentin qendrorë janë të paraqitura në tërësi në faqen www.otvoreniparlament.rs.

Këshilli për Informim i

Partisë për Veprim Demokratik




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *