Hahn: Për liri të medieve nuk mjaftojnë vetëm ligjet

805

Komisionari evropian për zgjerim Johannes Hahn ka bërë thirrje që të ndihmohen mediet në Ballkanin Perëndimor me përkrahje konkrete financiare dhe ka porositur se për liri të medieve dhe për mbrojtje të gazetarëve nuk mjaftojnë vetëm ligjet, por edhe gjyqësia efikase dhe e pavarur e cila do të mundësoj që këto ligje të zbatohen.

Strategjia e BE për Ballkanin Perëndimor ka krijuar një dinamikë të re në perspektivën evropiane të rajonit dhe procesi i zgjerimi “ka marrë një ritëm pozitiv” por, fatkeqësisht, ky nuk është rasti edhe me planin e lirisë së medieve, ka konstatuar Hahn, duke e hapur konferencën dyditore “BE-Ballkani Perëndimor: Ditët e Medieve” në Shkup bashkë me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev dhe përfaqësuesin e OSBE për liri të medieve Harelm Desir, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Hahn ka vlerësuar se mediet mund të kontribuojnë shumë në pajtim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke i kundërshtuar polarizimet. Duke folur për gjendjen ekonomike të medieve, Hahn ka folur për nevojën që të ndihmohen mediet në Ballkanin Perëndimor me përkrahje konkrete financiare.

“Është e qartë se duhet të angazhojmë më tepër punë, mendime dhe përkrahje konkrete financiare dhe krijim të modeleve të reja të qëndrueshme afariste të medieve”, ka thënë Hahn.

Në tubimin, në të cilin po marrin pjesë rreth 300 përfaqësues të medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesi i OSBE Harlem Desir ka thënë se nëse shikohet globalisht dhuna ndaj gazetarëve është në rritje, dhe që veçanërisht janë të rrezikuar gazetarët në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev konsideron se lajmet e rreme po shkaktojnë konflikte dhe se në rajonin tonë lajmet e rreme po e minojnë evropeizmin./Insajderi.com.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *