Fillojnë punimet në ndërtimin e urës që lidh Breznicën me Karaçevën

Me vënien e gurthemelit kanë filluar punimet në ndërtimin e urës që lidhë Breznicën me Karaçevën, respektivisht dy komunat, atë të Bujanocit me Kamenicën. Kryetari Arifi i shoqëruar nga zv.kryetari Musliu dhe kabineti i tij kanë marrë pjesë në inaugurimin e punimeve të urës që paraqet një projekt me rëndësi jetike për banorët e dy komunave.
Në fjalën e tij të rastit, kryetari i komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati u shprehë: ”Sot, për mua personalisht është një prej momenteve më të veçanta, edhe që kam një emocion të veçant, duke pasur parasysh që dy komuna së bashku, duke i pasur parasysh edhe raportet mes shteteve që i kemi, po arrijmë me fillu me ndërtu një urë me kushte më të mira për qytetarët e kësaj pjese, dhe shpresojmë që kjo ka me qenë veç një ndër investimet e para nga shumë investimet tjera dhe që të kemi mundësi të qarkullimit sa më të mirë”.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi para banorëve të dy fshatrave potencoi: ”Sot, është një kënaqësi e posaçme për juve dhe për neve, sepse sot për herë të parë me komunën e Kamenicës po e bëjmë një projekt të përbashkët, ku me ndërtimin e kësaj ure po e lidhim jo vetëm dy fshatra, por po lidhim komunën e Bujanocit me komunën e Kamenicës, si dhe Republikën e Kosovës me Republikën e Serbisë. Para një viti, saktësisht më 24 gusht të vitit 2020 kemi filluar për asfaltimin e rrugës nga fshati Muhoc për Zarbincë me një gjatësi prej 5600 metrave, me një kosto prej 1.100.000,00 euro, dhe tani në Malësi të Bujanocit ka filluar një gjallëri. Ne, Malësinë e Bujanocit nuk do ta harrojmë, dhe së bashku me kryetarin Kastrati do të bëjmë realizimin edhe të projekteve tjera, që këta qytetarë këtu, të cilët janë rojë e këtij vendi të bukur, do të ja mundësojmë që jetën ta kenë më të mirë dhe më me perspektivë”.
Fillimi i këtij projekti ka rrjedhur nga takimi i zhvilluar më 22 prill të këtij viti në zyrën e kryetarit të Kamenicës, me ç’rast janë caktuar detyrat dhe obligimet e secilës palë për ndërtimin e kësaj ure.

Leave a Reply

Your email address will not be published.