Fillet Arsimit Shqip në Preshevë e rrethinë

571

12787608_10207501854217591_1548958138_oZhvillimin e arsimit, si në të gjitha viset shqiptare, duke përfshirë këtu edhe komunën e Preshevës, e shoqëruan kushte specifike në krahasim me viset tjera të ish -Jugosllavisë. Zhvillimi i arsimit në komunën e Preshevës hasi në pengesa të mëdha . Ato ishin të natyrës ekonomike, politike, mungesës së kuadrit arsimor, por mbi të gjitha ishte prapambetja arsimore e kulturore e trashëguar nga e kaluara si pasojë e një politike diskriminuese e pushtetit të atëhershëm jugosllav.( Ilir Zylfiu , Arsimi Shqip në Luginë të Preshevës gjatë shek XX, Presheva, Bujanoci  dhe Medvegja Dje , Sot dhe Neser, Institui Albanologjik, Prishtinë, f. 202).

Shkruan: Dr.Sc. Ilir  A. ZYLFIU

E drejta për arsim u përcaktua si e drejtë kushtetuese.  Me kushtetutën e 31 janarit të vitit 1946 të RFPJ –së. Në kushtetutën e lartpërmendur theksohej se shkollimi fillor ishte i detyrueshëm dhe pa pagesë, shkollat dhe institucionet arsimore ishin të hapura për të gjitha shtresat popullore.    (Kushtetuta e RFPJ (Službeni list FNRJ) nr. 10, shkurt 1946 ,neni 37).

Shkollat fillore në të gjitha viset shqiptare , duke përfshirë këtu edhe komunën e Preshevës  në periudhën e viteve 1945 – 48 punuan në bazë të një dokumenti të Ministrisë së Arsimit të Federatës Jugosllave, të lëshuar më 10 gushtë 1945 me titull  ” Drejtimet për punën e shkollave të pakicave kombëtare “. Me këtë dokument ishte përcaktuar se kur mundet të hapet një shkollë me mësim në gjuhën e pakicave, sa nxënës duhet të ketë paralelja, kush mund të zhvilloj procesin mësimor etj. ( Ana Lalaj, Kosova rruga e gjatë e vetëvendosjes 1948 – 81, Tiranë, 2000, f.115.)

Pra, Ministria e Arsimit kishte parashikuar këto orientime për hapjen e shkollave për pakicat kombëtare :

  • Për të gjitha pakicat kombëtare hapen shkolla në gjuhën amtare, nëse së paku ka 20 nxënës dhe nuk ka shkollë tjetër. Nëse në atë vendbanim ekziston shkolla fillore, pranë kësaj shkolle hapet paralelja për pakica vetëm nëse ka 30 nxënës.
  • Çdo republikë kujdesej për hapjen e mbarvajtjen e shkollave fillore dhe të mesme për pakicat.
  • Gjithashtu, pagesa e arsimit kryhet nga ana e republikave popullore.
  • Prej klasës së tretë në shkollat e pakicave mësohej gjuha e njësisë federale amë, nga tri orë në javë .
  • Duke pasur parasysh që në disa pakica kombëtare mungonte kuadri arsimor qe parashikuar që deri në vitin 1951 të pranohen si mësimdhënës edhe shtetasit e huaj që kanë kualifikim të nevojshëm.
  • Shkolla parashihej që me dispozita ligjore të ishte nën mbikqyrjen e pushtetit popullor.
  • Për tekstet shkollore parashihej që të botoheshin në vend. Ato tekste që nuk mund të botohen, do të importohen nga jashtë me leje të autoriteteve arsimore. (Avzi Mustafa, Zhvillimi I Shkollës Fillore Shqipe në Republikën e Maqedonisë 1945-1975, Shkup 1998, f. 79, 80).

Mbi  bazën e dokumentit të lartëpërmendur edhe në komunën e Preshevës filluan të hapen shkolla fillore.

Një rol të rëndësishëm në hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe ka luajtur Abdulla Krashnica. (Shiko më shumë : Skender Latifi, Rrugtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006, f.93).

Sa i përket hapjes së  shkollës së  parë  në  gjuhën shqipe në  komunë  të  Preshevës edhe sot e kësaj dite ka një  konfuzion. Në  monografinë  e Haki Sylejmani, Selver Murati, Rexhep Selimi, Arsimi Fillor Shqip në Komunën e Preshevës 1945 – 1995, Preshevë,  2001, thuhet se shkolla e parë  u hap më  6 shkurt në  fshatin Raincë. (Haki Sylejmani, Selver Murati, Rexhep Selimi, Arsimi Fillor Shqip në Komunënë e Preshevës 1945 – 1995, Preshevë,  2001, f.47). Mirpo, në  fletoren e shkollës fillore ‘Zenel Hajdini’ në  Raincë  thuhet se shkolla në  mënyrë  solemne u hap më  10 shkurt të vitit 1945.

Në Preshevë shkolla fillore katërvjeçare me mësim në gjuhën shqipe, u hap më 7 shkurt të vitit 1945 në mënyrë solemne. Nëse marrim parasysh hapjen solemne të shkollave, atëherë  mund të  vijmë  në  përfundim se shkolla e parë  në  gjuhën shqipe në  komunën e Preshevës është  hapur më  7 shkurt të  vitit 1945 në  Preshevë . Objekti shkollor ka qenë Villa Letafet – shtëpi private ( pronë  Abdullah Veliut). Shkolla mbante emrin “Selami Ibrahimi”. Shkolla kishte dy paralele, kuadri arsimor ishte i pamjaftushëm.mësimet i vijonin 32 nxënës. Në këtë vit shkollor në komunën e Preshevës gjithsej ishin 130 nxënës prej tyre 27 femra dhe 103 meshkuj. ( Arkivi i Serbisë, Fondi Ministria e Arsimit, f.89, br.29, Lista statistikore për shkollat fillore për vitin shkollor 1945/46 ).  Ndërsa te monografia e Haki Sylejmanit,Selver Muratit,Rexhep Selimit të regjistruar  paraqiten 227 nxënës. (Haki Sylejmani, Selver Murati, Rexhep Selimi, vep. përm., f.84). Mësuesit e parë të kësaj shkolle kanë qenë Hilmi Qerimi, Abdulla Ukshini, Tajar Zylfiu nga Elbasani, Demirali Ramadani. Në periudhën 1945-49 në komunën e Preshevës janë hapur 14 shkolla fillore katër vjeçar me mësim në gjuhën shqipe. ( Haki Sylejmani, Selver Murati, Rexhep Selimi, vep. përm. f. 84, 85.)

Sipas dokumentit që ka të bëjë me listën e shkollave  të rrethit të Preshevës, që i përket datës 18. IX 1945, mësojmë se shkollat e para shqipe u hapën në pjesën e dytë të vitit shkollor 1944/45 edhe atë në Preshevë, Miratocë, Rahovicë. ( Arkivi Serbisë, Fondi Ministria e Arsimit, fasc 74, Lista kontrolluese e shkollave të pakicave e vitit 1945/46).

Në fshatin Miratoc shkolla fillore katër klasëshe me mësim në gjuhën shqipe ka filluar punën në mars të vitit 1945. (AS, Fondi Ministria e Arsimit, fasc 74, Lista kontrolluese e shkollave të pakicave Rrethi i Preshevës 18.IX. 1945). Në mungesë të kuadrit arsimor ishte angazhuar nga Komiteti i Rrethit të Preshevës i quajtur Isuf Asan Skoro nga Struga. Me fillimin e veprimtarisë edukativo-arsimore në vitin 1945, disa shkolla në territorin e komunës së Preshevës nuk kishin emra përcaktues. (Gafurr Hyseni, Historiku i shkollës fillore “ Abdulla Krashnica “ Miratoc,2000, f. 36)

Në fshatin Rahovicë mësimi ka filluar në muajin shkurt të vitit 1945. Mësimi është zhvilluar në lokalet e shkollës fetare. Mësuesi i parë ka qenë Hysen Struga. ( Haki Sylejmani, Selver Murati, Rexhep Selimi, vep. përm. f. 53). Në fshatin Tërrnavë mësimi ka filluar me 10.12.1945. Në listën e regjistrimit të shkollës fillore – Tërrnavë 19.09.1945 në klasën e parë gjithsej ishin 31 nxënës. Prej tyre 20 meshkuj dhe 11 femra. ( AS, Fondi Ministria e Arsimit, fsc. 89, nr. 29, Lista statistikore për shkollën fillore në fshatin Tërrnavë e vitit 1945).  Në vitin shkollor 1946/47, shkolla në Tërrnavë ka pasur paralele ku mësimi është zhvilluar në gjuhë sërbe dhe në gjuhën shqipe. Me mësim në gjuhën shqipe në klasën e parë kanë qenë të regjistruar 49 nxënës, në klasën e dytë 31 nxënës. (AS, Fondi Ministria e Arsimit, fsc. 89, nr. 29, Lista statistikore për shkollën fillore në fshatin Tërrnavë 1946/47).  Gjatë vitit shkollor 1945/46 në komunën e Preshevës u hapën gjashtë shkolla fillore katër vjeçare me mësim në gjuhën shqipe, si në fshatin Corroticë, Zhunicë, Norçë, Bukuroc, Geraj. Shkolla fillore katërvjeçare u hapen në vendbanimin Ilincë dhe Bushtarn. Përveç shkollave të lartëpërmendura që vazhdojnë punën, në vitin shkollor vijues u hapën dy shkolla fillore katër vjeçare në fshatin Corroticë dhe Strezoc. Hapja e shkollave ne gjuhën shqipe vijoi edhe në vitin shkollor 1948/49 si në Depcë, Buhiç dhe Gare. ( Shih më  tepër : Ilir Zylfiu, Zhvillimi i Arsimit Shqip në Komunën e Preshevës, KOSOVA, nr. 35, 36,  Instituti Historik – Prishtinë, f. 364).

Hapjen e shkollave nuk e ka shoqëruar një trend i vazhdueshëm. Ndodhte që viti shkollor në disa shkolla të fillonte në shtator e në disa shkolla tjera në muajin shkurt të vitit vijues. Kjo gjendje na paraqitej nga mungesa e kuadrit arsimor, lokalit. Hapja e shkollave shoqërohej edhe me problemet të natyrës politike dhe religjioze. ( AS, Fondi Këshilli për Arsim dhe Kultur, fsc. 20,Lista e shkollave fillore rrethi  Bujanoc në të cilën punojnë2 apo më shumë mësues e vitit 1952/53).

 

Zhvillimi i arsimit  në komunën e Preshevës, pas Luftës së Dytë Botërore, u zhvillua mbi një bazë të kuadrit të dobët  për nga numri. Në Preshevë, kuadrat e para ishin mësuesë të ardhur nga Shqipëria, Peja, Istogu, Vushtrria, Mitovica, Kamenica, Rogoçica, Struga të cilët dhanë një kontrbut të jashtëzakonshëm. Ardhja e mësuesëve dhe mesuseseve nga Shqipria  ka të  bëjë  me marrëdhëniet e mira  në mes dy shteteve. Ardhja e mësuesëve nga shteti amë  ishte parashikuar edhe në  orientimet e Ministrisë  së  Arsimit ku thuhej : “Duke pasur parasysh që në disa pakica kombëtare mungonte kuadri arsimor qe parashikuar që deri në vitin 1951 të pranohen si mësimdhënës edhe shtetasit e huaj që kanë kualifikim të nevojshëm”. Pas vitit 1948, me ngjarjet e inforbyros, marrëdhëniet në  mes dy shteteve  prishen. Prishja e marrëdhënieve ndërshtetërore  u reflektua edhe në  fushën e arsimit. Mirëpo me kohë u bë edhe kuadri vendas. Për disa vite për t΄u aftësuar kuadri arsimor u organizuan kurse e seminare të ndryshme.( Ilir Zylfiu, Zhvillimi i Arsimit Shqip në Komunën e Preshevës, KOSOVA, nr. 35, 36,Prishtinë, f. 365)

Kontribut të madh në fillet e arsimit shqip në komunën e Preshevës dhanë mësues të ardhur nga viset e ndryshme shqiptare si Abdullah Ukshini – Vushtërri,  Ali Bektashi- Nasalcë,  Ali Turbetari – Prishtinë ( Mazgit), Enver Keka Kamenicë,  Fehmi Salihu Pë rlepnicë Gjilan, Fetah Alifeta Lotovicë – Bujanocë, Hysen Struga – Strug, Isuf Skoro- Strug, Jusuf Selimi Nasalcë,Mark Gjecaj – Shkodër, Marko Gashi – Selishtë – Viti, Mefail Abdullahu Tërrnovc,  Mehmet Halili Hoxha,  Mustaf Venhari- Vushtrri, Nexhat Boriqi – Shkodër, Ndoc Stojku – Shkodër, Rexhep Gashi – Pejë,  Salih Jonuzi – Nasalcë- Bujanocë, Sejdi Kryeziu – Kamenicë, Selim Elashanaj- Pejë, Shefqet Karakashi – Vushtrri, Shukri Rahimi Nasalcë- Bujanocë,  Skender Burgia – Mitrovicë, Sylejman Hana – Prishtinë, Tajar Zylfiu – Elbasan,  Tefik Geci – Gjilan, Tefik Kallaba – Rogoçic, Zeqir Jakupi- Medvegj, Zija Myftia Shkodër.

Rolë të rëndësishëm në fillet e arsimit shqip në komunën e Preshevës dha edhe femra shqiptare. Mësueset e para kryesishtë vinin nga viset tjera, si  :  Anastasie Elshanaj – Pejë,  Cicilie Gashi Prishtinë, Ilmie Turbetari – Prishtinë, Lara Stojku – Shkodër, Kadrije Qerimi– Preshevë, Mediha Karaxha –, Mysherefe Mustafa – Mitrovicë, Nazmie Karaceva – Kamenicë, Sadie Limani – Pejë. ( Tahir S. Berisha , Emërat që nuk Harrohen 1, 2, Prishtinë, 1994, 1996 dhe shënime nga vetë mësuesit dhe familjarët).

Në këtë rastë është më rëndësi të përmendim edhe hoxhallarët që dhanë mbështetje në fillet shkollës shqipe në Preshevë e rrethinë si : Hafëz Jashari- Preshevë,  Demirali Ramadani Hoxha – Preshevë,  Hafëz Lutfi Ahmeti – Preshevë, Ejupi – myftija i Gerajve.

Në vazhdim paraqesim pasqyrën e kuadrit arsimor të komunës së Preshevës dhe kualifikimin e tyre që kanë punuar në shkollat fillore në Komunën e Preshevës gjatë peridhës kohore1945-49.

Abedin Memeti – kurs pedagogjik në vitin 1945, në Shkup.

Adem Memeti – kurs pedagogjik në vitin 1945.

Emin Ramadani – kurs pedagogjik në vitin 1949, në Shkup.

Esat Ibrahimi – 6 muaj  kurs pedagogjik në vitin 1945, në Shkup.

Fahredin Mustafa – kurs pedagogjik në vitin 1946, në Shkup.

Hilmi Qerimi  – 1941/42 klasë e pestë të Shkollës Normale – Gjimnazi “Sami Frashëri”    në Prishtinë e gjtaë verës 1942 kursin pedagogjik në Prishtinë.

Hulusi Ibrahimi –  kurse Pedagogjike në vitin 1945/46, 1947, në Shkup.

Isa Selimi – kurs pedagogjik në vitin 1948, në Prizren,Gjakovë dhe Shkup.

Kadrije Qerimi – kurs pedagogjik në vitin 1947 në Shkup.

Memet Kadriu – kurs pedagogjik 1945/46, në Pejë.

Nevzad Jashari – kurs pedagogjik në vitin 1949, në Prizren .

Nexhati Ramadani – kurse pedagogjike tre mujore 1945, 1946, 1947, në Shkup.

 

Ramiz Duraku – kurs pedagogjik në vitin 1948, në Shkup.

Rexhep Salihu – kurs pedagogjik ne vitin 1949, në Prizren e Pejë.

Sadri Ymeri – kurse të gjimnazit pedagogjik në vitin 1949, në Prizren.

 Shukri Shaqiri – kurs pedagogjik në vitin 1945, në Shkup.

Xhavit Limani – kurs pedagogjik në vitin 1949, në Prizren.

Zejush Shabani – kurs pedagogjik 1945/46, në Pejë e Prizren.   (Dok. biografit e mësimdhënësve).

Mësuesit caktoheshin me dekret nga Ministria e Arsimit të R.P të Sërbisë. Mësuesit përveç betimit ishin të obliguar të sillnin edhe këto dokumente, çertifikatën e drejtësisë, të shtetësisë, datëlindjes, mjekut, dëftesën për shkollën e kryer. (Hyseni , Gafurr, vep. e përm.,f. 41).

Shkolla shqipe gjatë periudhës 1945-49 ballafaqohej me mungesën e lokalit shkollor. Në shumë raste çështja e lokalit zgjidhej edhe me meremetimin e objekteve të dëmtuara gjatë luftës.

Në këto rrethana, për sigurimin e objekteve shkollore përveç organeve kompetente, kontribut të jashtëzakonshëm dhanë mësimdhënësit dhe populli. Shumë shtëpi private qenë lëshuar për shkolla. Mirëpo, e gjithë kjo gjendje pasqyrohej krahas zhvillimeve ekonomike, shoqërore dhe marrëdhënieve politike, çka mund të jetë e qartë duke e marrë parasysh që Presheva me rrethinë ishte një ndër komunat më të pazhvilluara, andaj edhe objektet shkollore ishin në gjendje të palakmushme (AS, Fondi Ministria e Arsimit, fsc.74, Lista kontrolluese e shkollave të pakicave Rrethi i Preshevës 18.IX1945). Procesi mësimor në periudhën 1945-49 në Preshevë e rrethinë u zhvillua në objektet e xhamisë ( 8 objekte të xhamisë), shtëpitë private ( 3 shtëpi private) dhe objekte shkollore ( 1 objekt shkollor edhe ate në fshatin Bushtran), ndërsa në fshatin Tërrnavë u shfrytëzua lokali e minierës në Tërrnavë). Si objekte shkollore me numër më të madh ishin objektet e xhamisë. ( Ilir Zylfiu , Arsimi Shqip në Luginë të Preshevës gjatë shek XX, Presheva, Bujanoci  dhe … , f. 207).

BURIMET ARKIVALE  DHE LITERATURA

Arkivi i Serbisë në Beograd :

  • Fondi :

Ministria e Arsimit

Këshilli për Arsim dhe Kulturë

Kushtetuta e RFPJ (Službeni list FNRJ) nr. 10, shkurt 1946 ,neni 37).

Literatura :

Berisha, S. Tahir, Emërat që nuk harrohen, pjesa e dytë, Prishtinë, 1996.

Berisha, S. Tahir, Emërat që nuk harrohen, pjesa e parë, Prishtinë, 1994.

Hyseni , Gafurr, Historiku i shkollës fillore “ Abdulla Krashnica “ Miratoc, Miratoc,2000.

Lalaj, Ana, Kosova rruga e gjatë e vetëvendosjes 1948 – 1981, Tiranë , 2000.

Latifi, Skender, Rrugtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006.

Mustafa, Avzi, Zhvillimi I Shkollës Fillore Shqipe në Republikën e Maqedonisë 1945-1975, Shkup 1998.

Sylejmani, Haki, Selver Murati, Rexhep Selimi, Arsimi Fillor Shqip në Komunënë e Preshevës 1945 – 1995,Preshevë, 2001.

Zylfiu, Ilir, Arsimi Shqip në Luginë të Preshevës gjatë shek XX, Presheva, Bujanoci  dhe Medvegja Dje , Sot dhe Nesër, Institui Albanologjik, Prishtinë, 2015.

Zylfiu, Ilir,  Zhvillimi i Arsimit Shqip në Komunën e Preshevës, KOSOVA, nr. 35, 36,  Instituti Historik, Prishtinë, 2013.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *