Erdoğan paralajmëron ndërtimin e 500 njësive banimi në Shqipëri

190

“Kjo është përgjegjësia që na e ngarkon qytetërimi ynë, pra, vëllezërit turq do të ndërtojnë atje 500 njësi banimi për vëllezërit shqiptarë”, theksoi presidenti turk.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, paralajmëroi se vendi i tij do të ndërtojë 500 njësi banimi në Shqipëri pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në Shqipëri ndodhi tërmet. Ministria e Mjedisit dhe Urbanizmit në kuadër të Administratës së Zhvillimit të Strehimit Publik (TOKI) do të zhvillojë punimet në vendet e përshtatshme dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi në Shqipëri”, tha Erdoğan në një ceremoni të hedhjes së gurthemelit të një kompleksi në Universitetin e Marmarasë në Stamboll.

“Kjo është përgjegjësia që na e ngarkon qytetërimi ynë, pra, vëllezërit turq do të ndërtojnë atje 500 njësi banimi për vëllezërit shqiptarë”, theksoi presidenti turk.

“Ashtu sikurse dërguam me avion ekipet tona, kamionë dhe vendosëm tenda, edhe tani do të veprojmë njëlloj duke ndërtuar sa më parë këto njësi banimi dhe do të zgjasim dorën tonë të ndihmës për ata njerëz që janë në vështirësi në këto ditë të dimrit”, shtoi presidenti Erdoğan.

Ndryshe, nga tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, kanë humbur jetën 48 persona dhe afër 800 të tjerë janë lënduar.

Tërmeti shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale, duke shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *