Edhe kjo ndodh në Kosovë: Vidhet Thesari i shtetit, 2 milionë euro, nga MI-ja te barten tek një biznes privat

261

Që nga 9 tetori, 4 herë, Labinot Gruda, zyrtar i Thesarit të Kosovës, dyshohet se ka transferuar mjete në total prej 2.1 milionë eurosh prej Ministrisë së Infrastrukturës në llogari të një operatori ekonomik.

Një pjesë e mjeteve që u bartën nga buxheti i shtetit, tashmë janë tërhequr.

Sipas burimeve të KOHËS, operatori ekonomik është LDA Group. Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, veprimtari parësore e ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, e selia e të cilit është në Drenas.

Në ARBK, biznesi është regjistruar më 21 gusht 2019, drejtor i të cilit është Valon Shala e në të dhënat e biznesit figuron edhe emri i Kadri Shalës.

Të dy këta, sipas burimeve të KOHËS janë në arrati.

Gjatë së mërkurës, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, bëri të ditur se me t’u vënë re mungesa e mjeteve, kanë njoftuar policinë.

Bajrami njoftoi për arrestimin e një zyrtari dhe suspendimin e një tjetri.

Mjetet e buxhetit, pavarësisht skandalit, sipas Bajramit, megjithatë, janë të sigurta.

Gjatë ditës, policia ka njoftuar se janë kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve.

“Më 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare, duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milionë euro. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Zyrtari i Thesarit kishte 11 vjet që punonte në këtë departament.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *