Dhuna aktuale në Kosovë, për shtet apo për pushtet?

93
Shkruan: Nehat Hyseni
Në rrugët e Prishtinës është instaluar dhuna!
 Ky është lajmi më i rëndësishëm, që aktualisht dërgohet në mediat botërore nga Kosova.
Skenat e tmerrëshme në rrugët e Prishtinës, këto ditë, japin një pasqyrë trishtuese të energjisë negative që e ka kapluar shoqërinë kosovare: protestuesit militantë, të cilët janë në gjendja ta kallin Kosovën dhe t’i japin ultimatum policisë dhe shtetit, sepse, sipas tyre (Albin Kurti)  pushteti na qenka rruga, sepse aty na qenka populli.
 Andaj, rrjedhimisht, atyre u takon edhe të hyjnë në Qeveri dhe ta nxjerrin Kryeministrin jashtë, e të vendosin vet rend e rregull, duke sfiduar kështu institucionin më demokratik që njeh bota sot, dmth atë të zgjedhjeve dhe votës së lirë.
Pra, porosia e protestuesve është e qartë: rruga do i zgjidhë të gjitha problemet e Kosovë!
Kurse, në rrugë ata lusin shtetin që të mos i pengoj në rrugëtimin e tyre për “Revolucionin e vonuar Demokratik” të 2007-tës në Shqipëri.
Pra, ta kallim, rrënojmë e rrafshijmë Kosovën dhe padtaj do fillojmë nga fillimi, për ta ndërtuar “Kosovën e re”!
Sa bukur tingllon kjo dhe sikur jemi mësuar me “Shqipërinë e re”, dhe me të reja.
Sepse, kur e morën komunistat pushtetin para 70 vjetëve, gjithçka filluan “nga fillimi”. Madje edhe historinë filluan ta shkruajnë nga vetvetja.
Po tani, çfarë hallesh ka Kosova dhe cila është arsyeja e vërtetë e protestave?
Së pari, duhet të shohim se kush janë organizatorët e saj, për ta pasur të qartë arsyen e organizimit të tyre.
Organizatorët e protestave aktuale në Kosovë fillimisht ishin Nënat gjakovare të viktimave të luftës me në krye zonjën Kumnova dhe organizoheshin si protestë kundër fyerjeve makabre nga ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Jabllanoviq, i cili në një deklaratë publike kundër moslejimit të vizitës së pelegrinazhit serb me rastin e festës fetare ortodokse të 7 janarit në kishën  ortodokse serbe të Gjakovës, i quajti “egërsira” (divljaci)!
Natyrisht, një deklaratë e tillë e pamatur, madje fyese dhe  fashiste, i fyu në formën më të rëndë nënat e viktimave dhe të të pagjeturve, si dhe mbarë popullin e Kosovës dhe paraqiste pretekst të arsyeshëm për të protestuar në mënyrë dinjitoze, ashtu si edhe ndodhi disa herë në Gjakovë dhe në qytete të tjera anembanë Kosovës, në shenjë mbështetjeje dhe përkrahjeje nënave gjakovare.
Askund, në asnjërin qytet nuk u shënua asnjë eksces, dëmtim probe apo përleshjeje me policët. Përkundrazi, gjithkund ato protesta ishin të qeta dhe kishin një porosi: të shkarkohet Jabllanoviqi!
Ndërkaq, më vonë, në organizimin e protestave në Prishtinë, të shtunën, më 24 janar u kyç legalisht edhe Lëvizja Vetëvendosje në ballë të saj, kurse në “prapavi” kishte liderin e AAK Ramush Haradinajn dhe atë të Nismës Fatmir Limajn.
Pra, protestat e filluara nga nënat kundër Jabllanoviqit në Gjakovë, tani derivoi në organizim politik, nga tri parti politike opozitare dhe iu shtua edhe sllogani për Trepçën. Kërkohej “mbrojtja e
Trepçës”, sepse Qeveria e Isa Mustafës, sipas tyre ishte e gatëshme për t’ia dhënë Serbisë!
Andaj, këto parti opozitare e panë shansin ideal për ta rrënuar Qeverinë. Kuptohet, me motivacionin se po e mbronin Trepçën.
 Prandaj, në protestën e 24 janarit ara kishin në radhët e veta edhe nënat gjakovare dhe OVL, por jo edhe në protestën vandaliste të 27 janarit (të marten). Sepse, u pa puna se LVV , AAK dhe Nisma synonin ta instrumentalizonin revoltën e arsyeshme të Nënave Gjakovare dhe mllefin popullor, për interesa të tyre politike, duke synuar që ta arrijnë atë që nuk mundën ta arrijnë me ngërçin e dështuar politik gjashtëmujor me anë të koalicionit LDK, lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit 2014, për ta penguar PDK-në, e cila doli fituese e atyre zgjedhjeve, si parti e parë me 37 deputetë, LDK doli e dyta me 30. CV me 16, AAK me 11 dhe Nisma me 6 deputetë, dmth gjithsej 63 deputetë shqiptarë,  në formimin e Qeverisë “Thaçi-3”.
Mirëpo, meqë koalicioni LVAN dështoi në këtë përpjekje, për shkak të pengesave në Kushtetutë, e më tepër nga (keq) interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe rolit militant pro PDK të kryetarit të saj, duke pamundësuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Isa Mustafa, i cili kishte marrë gjithsej 66 vota dhe ishte zgjedhur me votat e LDK, AAK, Nisma dhe minoritetet, por jo edhe me votat e partnerit të koalicionit LVAN, Lëvizjes Vetëvendosje!
Pra, VV kishte qëndrim jokorrekt dhe të çuditshëm ndaj LDK-së dhe Isa Mustafës personalisht, duke e vënë kështu Koalicionin LVAN në pozitë të brishtë.
Situata e re, e krijuar nga pamundësimi i partisë së parë të Koalicionit LVAN, LDK-së, e cila përbënte pothuajse gjysmën e tij, dmth kishte 30, kurse VV, AAK dhe Nisma së bashku 33 deputetë.
 Në këtë situatë absurde, përfitonte vetëm AAK, e cila kishte paraqitur Ramush Haradinajn si kandidat përbpostin e Kryeministrit.
Pra, i binte që AAK të fitonte gjithçka nga Koalicioni LVAN, edhepse kishte vetëm 1/6 e 63 deputetëve të LVAN dhe 1/10 e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
 Pra, po të zgjidhej Ramush Haradinaj Kryeministër i Kosovës me reth 9% të votave të popullit, do ishte  më absurde se sa të ishte tani Ilir Meta Kryeministër i Shqipërisë, e jo Edi Rama!
Natyrisht se LDK, por edhe asnjë parti tjetër politike që do ishte në pozitë të tillë, nuk do e pranonte një situatë të tillë, që praktikisht do i zhgënjente votuesit e saj.
Prandaj, si e vetmja zgjidhje mbeti solucioni që Isa Mustafa të kandidohej nga LVAN për postin e kryeministrit.
Por, AAK dhe Ramush Haradinaj këtë e refuzuan, madje kategorikisht!
Atëherë, madje u deklarua personalisht nga z. Haradinaj në një tubim në Obiliq, se “LVAN nuk ekziston më”!
Kështu, tani mbeti si e vetmja zgjidhje reale koalicioni me PDK-në.
Pikërisht këtu edhe qëndronte problemi. Sepse, LDK gjatë fushatës elektorale ishte deklaruar kategorikisht dhe kishte premtuar se “në asnjë variant nuk do bëjmë koalicion me PDK-në”, AAK e shikonte si monopol të vetin që t’i ofroj koalicion PDK-së, natyrisht që Ramush Haradinaj të bëhej Kryeministër.
Në radhët e LDK-së shumë vështirë u pranua koalicioni md PDK-në, duke lënë madhe edhe pasoja përçarhehe e pakënaqësie të madje brenda saj. Por, megjithatë u votua nga shumica e konsiderueshme e saj.
Pra, tani shtrohet pyetja se cilat janë motivet reale të këtyre protestave?
Jabllanoviqi do të shkarkohet gjatë kësaj jave.
Atëherë mbetet Trepça.
 Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi!
Sepse, Trepça u shpëtua në momentin e fundit nga falimentimi dhe likuidimi me votat e Koalicionit PDK-LDK, kurse nga “mbrojtësit” e saj, që tani derdhi  “lotë krokodili”, Trepça do shkonte në likuidim! Edhe ate, qysh nga data 3 shkurt 2015.
 Pra, Trepça do pushonte së ekzistuari, kurse punëtorët e saj i bashkëngjiteshin armatës së madhe të të papunëve, mbase edhe ekzodit drejt Serbisë e kampeve për refugjatë tëvendeve të BE-së!
Pra, realisht kjo është e vërteta politike aktuale në Kosovë.
Verbëria për pushtet, synon ta rrënoj shtetin e Kosovës, duke e demoluar e kallur flakë. Dhe nga flakët e djegjes së Kosovës, mbase dikush gjen shansin që të “ngrohet” politikisht?!
Aktualisht, mendoj se problem kryesor i Kosovës është gara për t’i treguar “muskujt” secili, duje dashur të tregojnë dhe dëshmojnë se sa të fuqishëm janë për ta rrënuar këtë shtet të brishtë, që mezi qëndron në “këmbë të qelqit”, duke iu ekspozuar stuhive shkatërruese nga Serbia dhe nga akumulimi i  skajshëm i pakënaqësive sociale, ekonomike e politike nga mbrenda.
Mbase, një koordinim, qoftë edhe i padëshiruar dhe i pavetëdijshëm i këtyre dy faktorëve, do mjaftonte për ta dërmuar e shkatërruar rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të shtetit që synojmë dhe dëshirojmë dhe për të cilin aq shumë sakrifica, viktima e vuajtje u shkaktuan gjatë historisë sonë të dhimbëshme e të shumëvuajtur kombëtare.
Andaj, apetitet e tepruara dhe të papërmbajtura, si dhe verbëria për pushtet nëpërmes rrugës e dhunës, e jo nëpërmes votës së lirë, duhen përmbajtur dhe duhet shndërruar energjinë negative të shkatërrimit, demolimit dhe djegjes së pasurisë së Kosovës, në vullnet dhe energji pozitive, për ta ndërtuar e përparuar atë sa më shumë për të siguruar mirëqenie dhe shtet të fuqishëm e stabil, që aq shumë e synuan gjenerata e gjenerata që u flijuan për këtë ideal!



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *