Deputetja e PDK-së: Raporti i PE-së është sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Kosovës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e ka quajtur raportin e Parlamentit Evropian, ka për qëllim të diskreditimit të institucioneve demokratike të Kosovës dhe komprometimin e politikës amerikane në Kosovë.

“Raporti i Parlamentit Evropian ka qëllim të diskreditimit të institucioneve demokratike të Kosovës dhe komprometimit të politikës amerikane në Kosovë dhe rajon duke konspiruar situata të paqena nëpërmjet metodës së njohur ruse të përhapjes së dezinformatave”, tha ajo, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Deliu-Kodra, ka shtuar se raportet anuese në shërbim të një subjekti politik, duhet të shërbejë si alarm për vetëdijësim për gjithë shoqërinë.

“Raportet anuese në shërbim të një subjekti të caktuar politik, i cili ushtron politika konfliktuoze me të gjitha administratat amerikane dhe zbaton politikat e eksponentëve të caktuar evropian, të cilët mbajnë qëndrim të hapur kundër pavarësisë së Kosovës dhe mbështesin politikat që mëtojnë zhbërjen e shtetësisë së Kosovës duhet të shërbejnë si alarm vetëdijësimi për gjithë shoqërinë”, theksoi Deliu-Kodra.

Prandaj, sipas saj, ky raport i PE-së, është sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Kosovës.

“Raporti sulmon fundamentin e shtetësisë së Kosovës duke aluduar në paaftësinë tonë për të zgjedhur institucione demokratike, në mënyrë demokratike. Prandaj, Raporti është sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Kosovës dhe nuk ka të bëjë fare me sqarimin e ndonjë situate rivaliteti të brendshëm politik në Kosovë”, deklaroi deputetja e PDK-së.  /Insajderi.org

Sapo Ndodhi:

Leave a Reply

Your email address will not be published.