Deputeti Shaip Kamberi në Kuvendin republikan nxjerr në pah raportet e PE dhe DASH ku evidentohet diskriminimi shtetëror ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi (VIDEO)

296

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit republikan të Serbisë, deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, ka kritikuar Qeverinë e Serbisë, për diskriminin të shqiptarëve dhe boshjakëve, dy popujve pakicë në Serbi.

Kamberi, ka përmendur edhe  Raportin e fundit të State Department-it i cili ndër të tjera ka evidentuar edhe diskriminin dhe vështërsitë me të cilat përballen shqiptarët dhe boshnjakët gjatë tentimit për t’u punësuar, ku  në mënyrë eksplicite përmendet fakti se si zyrtarët e lartë shtetërore përdorin gjuhë fyese ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

“Kemi folur këtu për nevojën e pajtimit midis popujve, për rëndësinë e pjesmarrjes së përfaqësuesve të pakicave në jetën publike dhe politike, për integrimin, lirinë e medias, për qasjen raciste të zyrtarëve shtetëror dhe gjuhën e urrejtjes që e përdorin karshi pakicave, për vrasjet e pazbardhura, domosdoshmërinë e ballafaqimit me të kaluarën e dhunshme, dëmit që sjell glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe negacioni i krimeve të luftës, kemi folur edhe për shumë tema tjera, me qëllim që definitivisht të shkëputemi nga e kaluara dhe të ndërtojmë të ardhmen prosperuese.

Ne kemi folur. Ndërsa JU?” – ka pyetur deputeti, Shaip Kamberi.

Kamberi për më tepër ka vlerësuar se demokracia në Serbi, po matet me të drejtat e një deputeti të pakicës në kuvend.

“Fjalimeve mbi diskriminimin e Shqiptarëve dhe Boshnjakëve dhe mungesës së vullnetit politik për tu integruar, ju keni përgjigjur me krenarinë tuaj të pakuptimtë duke thënë „E shihni sa demokratike është Serbia. Deputeti Kamberi ka të drejtë të flasë lirshëm“.

Paramendone shtetin në të cilin vlera e demokracisë matet me lirinë e deputetit të flasë lirshëm në parlament. Sikurse demokracia të jetë një mëshirë, të cilën shumica parlementare ja falë një deputeti, i cili, së paku në aspektin formalo-juridik dhe mënyrës së zgjedhjes është i barabartë më të tjerët” – i ka kujtuar deputetët serbë, Shaip Kamberi, kryetar i PVD-së.

Ai për më tepër, qeveritarëve serbë i ka kujtuar edhe dy raportet e ndryshme në të cilën janë paraqitur diskriminimi ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi.

“Në Raportin e Progresit, Rezolutën e Parlamentit Evropian dhe Raportin e DASH të SHBA për gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi, mes tjerash flitet edhe për ngecjet serioze në demokracinë e Serbisë. Në Raportin e fundit të State Department-it flitet edhe për diskriminin dhe vështërsitë me të cilat përballen shqiptarët dhe boshnjakët gjatë tentimit për t’u punësuar, por edhe në mënyrë eksplicite përmendet fakti se si zyrtarët e lartë shtetërore përdorin gjuhë fyese ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Kjo paraqet një problem serioz. Nëse Rezoluta e Parlamentit Evropian është pranuar me arrogancë dhe kemi dëgjuar edhe fyerje ndaj eurodeputetëve, Raporti i DASH nuk guxon të trajtohet ashtu, përkundrazi, ai duhet kuptuar seriozisht dhe vepruar për të eliminuar vërejtjet” – ka shtuar ndër të tjera, deputeti, Shaip Kamberi.

Deputeti shqiptar, në fund ka pyetur Qeverinë e Serbisë: “A planifikoni që Ju dhe Qeveria që udhëheqni t’i merr për bazë këto konstatime qëllimmira të institucioneve të BE-së dhe SHBA-së drejtuar Serbisë për gjendjen e të drejtave të njeriut respektivisht për përshpejtimin e procesit të përparimit të Serbisë drejt BE-së?”

Më poshtë, mundë t’a ndjekni dhe t’a lexoni të plotë, fjalimin e deputetit, Shaip Kamberi:

Të rrespektohen vërejtjet që i jep Raporti i Departamentin amerikan të shtetit – të ndalet gjuha e urrejtjes dhe të krijohen mundësi të barabarta për shqiptarët.

Zonja dhe zotërinjë deputet,

Mirëdita – Dobardan,

Grupi parlamentar të cilit i përkas, si i vetmi grup opozitarë në këtë përbërje të Kuvendit, që nga seanca e parë po mundohemi që në mënyrë të argumentuar të flasim për problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët, boshnjakët dhe gjithë qytetarët.

Kemi folur këtu për nevojën e pajtimit midis popujve, për rëndësinë e pjesmarrjes së përfaqësuesve të pakicave në jetën publike dhe politike, për integrimin, lirinë e medias, për qasjen raciste të zyrtarëve shtetëror dhe gjuhën e urrejtjes që e përdorin karshi pakicave, për vrasjet e pazbardhura, domosdoshmërinë e ballafaqimit me të kaluarën e dhunshme, dëmit që sjell glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe negacioni i krimeve të luftës, kemi folur edhe për shumë tema tjera, me qëllim që definitivisht të shkëputemi nga e kaluara dhe të ndërtojmë të ardhmen prosperuese.

Ne kemi folur. Ndërsa JU?

Ju në vend që të kishit durimin për të na dëgjuar, krijonit zhurma të panevojshme.

Në vend që të kuptonit shqetësimet tona, zgjidhnit sulmin ndaj nesh.

Ndoshta edhe nga pushteti nuk mund të presësh diçka tjetër, sepse, siç ka thënë M. Selimoviq „Askush në pushtet nuk është i mençur sespe edhe të mençurit humbin urtinë, askush nuk është i durueshëm sepse urrejnë ndryshimin“.

Fjalimeve mbi diskriminimin e Shqiptarëve dhe Boshnjakëve dhe mungesës së vullnetit politik për tu integruar, ju keni përgjigjur me krenarinë tuaj të pakuptimtë duke thënë „E shihni sa demokratike është Serbia. Deputeti Kamberi ka të drejtë të flasë lirshëm“.

Paramendone shtetin në të cilin vlera e demokracisë matet me lirinë e deputetit të flasë lirshëm në parlament. Sikurse demokracia të jetë një mëshirë, të cilën shumica parlementare ja falë një deputeti, i cili, së paku në aspektin formalo-juridik dhe mënyrës së zgjedhjes është i barabartë më të tjerët.

Keni heshtur kur ministri Vulin, ka përdorur terminologjinë ofenduese e raciste „Shiptari“, keni heshtur kur Gjykata e Lartë ka legalizuar përdorimin e gjuhës fyese, duke shpallur të pafajshëm ministrin e punëve të brendshme, për shkak të përdorimit të termit pezhorativ „shiptari“, e në baza të padisë së Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Nga të gjitha vërejtjet që kemi bërë, për ju më e rëndësishmja ishte „Kush po shkruan fjalimet tona“.

Pikërisht me këtë raport ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, repektimit të parimeve të demokracisë, dhe shkeljes së standardeve të BE-së, në tre muajt e fundit kemi tre Raporte të institucioneve relevante të cilat japin vërejtje serioze për të gjitha temat për të cilat ne kemi folur në këtë parlament.

Në Raportin e Progresit, Rezolutën e Parlamentit Evropian dhe Raportin e DASH të SHBA për gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi, mes tjerash flitet edhe për ngecjet serioze në demokracinë e Serbisë.

Në Raportin e fundit të State Department-it flitet edhe për diskriminin dhe vështërsitë me të cilat përballen shqiptarët dhe boshnjakët gjatë tentimit për t’u punësuar, por edhe në mënyrë eksplicite përmendet fakti se si zyrtarët e lartë shtetërore përdorin gjuhë fyese ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Kjo paraqet një problem serioz.

Nëse Rezoluta e Parlamentit Evropian është pranuar me arrogancë dhe kemi dëgjuar edhe fyerje ndaj eurodeputetëve, Raporti i DASH nuk guxon të trajtohet ashtu, përkundrazi, ai duhet kuptuar seriozisht dhe vepruar për të eliminuar vërejtjet.

Tash, këto raporte nuk i kam shkruar unë apo opozita parlamentare ose ajo jashtëparlamentare, por ekspertët të cilët në bazë të analizave të tyre kanë ardhur në këto përfundime.

Meqë bëhet fjalë për raporte të institucioneve relevante të Bashkimit evropian dhe SHBA-së, që mund të sjellin pasoja në rrugëtimin evropian të vendit, pyetja ime për Kryeministren Ana Brnabiq është:

A planifikoni që Ju dhe Qeveria që udhëheqni t’i merr për bazë këto konstatime qëllimmira të institucioneve të BE-së dhe SHBA-së drejtuar Serbisë për gjendjen e të drejtave të njeriut respektivisht për përshpejtimin e procesit të përparimit të Serbisë drejt BE-së?

Faleminderit.

 




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *