Bushati me përfaqësues të Preshevës: Çështja Kosovë -Serbi të përmbyllet me një marrëveshje për njohje të ndërsjellët

201

Një marrëveshje për njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë do të sillte normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, por dhe garanci e fortë për stabilitetin e rajonit, është shprehur ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Ditmir Bushati në një takim me përfaqësues të Luginës së Preshevës.

Në kulmin e debatit rreth korrigjimit të kufijve, Ministri Bushati ndau me bashkëbiseduesit qasjen e Shqipërisë në raport me këto zhvillime, duke e vënë theksin tek rëndësia e vijimësisë së dialogut dhe orientimin e tij në mënyrë efektive, në terma të qartë, pa ekuivok dhe të balancuar për sa i përket zbatimit të plotë të marrëveshjeve dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës.
“Ne i qëndrojmë bindjes tonë se procesi i Dialogut duhet të përmbyllet me një Marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha ai, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.

Temë bisede ishin dhe shqetësimet e parashtruara nga përfaqësuesit politik të Luginës, për ecurinë socio-ekonomike, kulturore e arsimore, si dhe mungesën e shërbimeve dhe të standardeve parësore, që po çojnë drejt humbjes së perspektivës për të rinjtë dhe largimin e tyre nga Lugina.

Ministri Bushati ritheksoi angazhimin për mbështetje të pakushtëzuar në adresimin e kërkesave të tyre, çka është materializuar edhe në një sërë inisiativash e kontributesh për nxitjen e kapaciteteve zhvillimore nga ana e Qeverisë shqiptare. Ai i siguroi bashkëbiseduesit se shteti shqiptar do të vijojë të kërkojë nga Serbia për shqiptarët e Luginës atë që atyre u takon, më shumë mirëqënie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë.

“Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoriteteve serbe të sigurojë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negociimit me Bashkimin Evropian, si edhe të normave të gjithëpranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë nga Serbia për ju është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, u shpreh Bushati.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *