Brazili fiton trofeun e 9-të të “Copa America”

61

Mes shumë polemikash, Copa America 2019-të përfundon tek skuadra e Brazilit. Në stadiumin Maracana, Brazili mposhti mposhti 3-1 Perunë dhe rikthehet në fronin e Amerikës së Jugut pas 12 vitesh. Ndeshja nuk nisi shumë mirë për skuadrën e Tites që u vu në vështirësi nga peruanët në 15 minutat e para, por pikërisht në të 15-ën Everton zhbllokoi sfidën pas një solo aksioni të Gabriel Jesus i cili më pas shërbeu për 23 vjeçarin.

Brazili menaxhoi ndeshjen deri në minutën e 44-të, kur Peruja fitoi një penallti pas një prekje me dorë të Thiago Silvës brenda zonës, të cilën e ktheu në gol kapiteni i miqëve Paolo Guerrero. Por festa e peruanëve zgjati pak, pasi në minutën e 3-të shtesë të pjesës së parë, Gabriel Jesus kaloi sërish në avantazh Brazilin.

Pjesa e dytë ishte e baraspeshuar, me Brazilin që ruante rezultatin dhe Perunë me disa tentativa dëshpëruese, ku kërkohej Guerrero përmes krosimeve.

Në minutën e 70-të, sulmuesi i Manchester City-t, Jesus u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë por që nuk ndikoi në epilogun përfundimtar të finales, pasi 10 futbollistët e mbetur në lojë kryejtën detyrën e tyre, madje duke fituar edhe një penalti në minutën e 89 që e shndërroi në gol Richarlison. Vlen të theksohet se kjo penalti ishte e dyshimtë për shkak se u akordua pas një “bodycheck-u” mes Zambranos dhe Evertonit. Gjithsesi këto ngelin vetëm dyshime, ajo që ka rëndësi është titulli i 9-të i Brazilit në Copa America.

Lojtari i ndeshjes u zgjodh pikërisht Everton, i cili mori edhe çmimin e golashënuesit më të mirë me 3 gola. Ndërkaq lojtari më i mirë i kompeticionit u shpall Daniel Alves, në moshën 36 vjeçare.

Portieri më i mirë u zgjodh Alisson, me vetëm një gol të pranuar./Sport1sti/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *