Blerim Vela për këshilltarin e Hashim Thaçit: “Sa ishte në Presidencë promovoi ide për ndryshim të kufijve”

Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka reaguar ish-këshilltarit të Presidentit, Hashim Thaçi, Bekim Çollakut, pasi ky i fundit kishte thënë se deklarata e presidentes Osmani për moratoriumin e Marrëveshjes së Uashingtonit ishte një përpjekje për justifikim të dështimit të politikës së jashtme nga ana e Qeverisë dhe Presidencës.

Vela e ka quajtur Çollakun promovues të idesë së ndryshimit të kufijve, sa ishte këshilltar i ish-Presidentit Hashim Thaçi.

“Zedhenesi i koalicionit PDK-Srpska sa ishte në Presidencë promovoi ide per ndryshim të kufijve e veproi që politika e jashtme të jetë e çakorduar e pasive”.

Shefi i kabinetit të presidentes Osmani ka thënë se interesi i qytetarëve dhe Kushtetuta janë ‘doracak’ për institucionet e vendit në politikën e jashtm.

“Sot, Kushtetuta, interesi qytetar e forcimi i aleances Kosovë- SHBA janë udherrefyes të politikës së jashtme dhe jo interesat personale”, ka shkruar Vela në Twitter.

Çollaku ka thënë se “Në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, i cili u bojkotua nga pjesa dërmuese e opozitës, presidentja e vendit tërthorazi ka kritikuar edhe marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Presidentja në përpjekjen e saj për të justifikuar dështimet serioze në politikën e jashtme të Kosovës, ndër të tjera ka thënë se ‘moratoriumi i përcaktuar në marrëveshje cenonte rëndin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidim ndërkombëtar’ “.

“Kjo është një dëshmi e qartë se presidentja mban të njëjtin qëndrim kundërshtues njësoj sikur kryeministri Kurti lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit dhe obligimet që burojnë nga kjo marrëveshje”, ka deklaruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.