Berisha: Ka ardhur koha që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme

153

Ndonëse në vazhdimësi kanë pohuar se koalicioni qeverisës është duke funksionuar siç duhet, zyrtarë të koalicionit PAN, gjegjësisht të AAK-së dhe të Nismës Socialdemokrate, ditëve të fundit janë përplasur ashpër mes vete. Përplasja e tyre përmes replikave publike ka ardhur si rrjedhojë e deklarimit të deputetit të AAK-së Muharrem Nitajt, i cili teksa ka folur për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë ka thënë se ka lloj-lloj thashethemesh, duke përfshirë edhe atë se lideri i Nismës, Fatmir Limaj, do të kthehet në PDK, shkruan gazeta “Zëri”.

Si pasojë e kësaj zyrtarë të Nismës kanë dalë menjëherë me reagime të njëpasnjëshme në publik. Disa prej tyre madje kanë kërkuar që partitë në pushtet të ulen të diskutojnë dhe të merren vesh për zgjedhje të parakohshme. Mirëpo Nitaj ka thënë se deklarata e tij është keqkuptuar totalisht nga zyrtarët e Nismës.

Pavarësisht kësaj, zgjedhje të parakohshme së fundi kanë kërkuar edhe disa anëtarë të PDK-së, sado që deputetët e këtij subjekti pa reshtur e kanë mohuar një opsion të tillë.

Pas tërë këtyre përplasjeve deputeti i Nismës, Zafir Berisha, ka vlerësuar se ka ardhur momenti që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Një e vërtetë është se ka ardhur koha që mazhoranca të mendojë për shkuarje në zgjedhje dhe të mendojë për institucione e shtet, jo vetëm për pushtet. Mosfunksionimi i Kuvendit është shqetësues, rrjedhimisht edhe i Qeverisë”, ka deklaruar ai në një prononcim për gazetën.

Duke mos saktësuar nëse do ta votojë mocionin në rast se ngrihet nga opozita, Berisha ka thënë se partitë duhet të ulen të diskutojnë dhe të merren vesh për shkuarje në zgjedhje.

Ditë më parë edhe deputeti i pavarur që është në kuadër të Grupit Parlamentar të Nismës, Milaim Zeka, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Ndërkohë, teksa ka pohuar se duhet të ketë zgjedhje të reja, anëtari i PDK-së Qemajl Mustafa, i cili ka qenë kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se partitë politike duhet të merren vesh për datën e zgjedhjeve. “Kam thënë shumë qartë që do të ishte mirë sikur subjektet politike të Kosovës ta krijonin një konsensus rreth përfundimit të këtij mandati dhe zgjedhjeve të ardhshme”, ka deklaruar ai për “Zërin”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *