Autobusi i tragjedisë me 45 viktima ishte mbushur me 30,000 fishekzjarre/ Dëshmi shokuese të të mbijetuarve

953

Autobusi që shpërtheu mëngjesin e të martës në Bullgari duke vrarë 45 shqiptaro-maqedonas përfshi dhe 12 fëmijë, kishte në bagazh 30,000 fishekzjarre, shkruanin sot mediat vendase dhe britanikja Daily Mail.

Zyrtarët besojnë se autobuzi turistik i tragjedisë u përplas me barrierat e rrugës me shpejtësi 100 km në orë dhe shpërtheu në flakë para se të hynte në Sofie, teksa kthehej nga Stambolli drejt Shkupit.

Një nga shtatë të mbijetuarit, që shpëtuan pasi arritën të thyejnë një dritare të mjetit, tha se skena i kujtonte një film horrori teksa kabina e pasagjerëve u mbush me tym dhe njerëzit e dëshpëruar ulërinin për ndihmë.

Zjarri tragjik që përfshiu më pas autobuzin ishte aq i fortë sa shumica e viktimave u dogjën sa trupat e tyre nuk mund të identifikoheshin.

Hetimet fillestare thonin se zjarri kishte nisur në anën e përparme të mjetit pas shpërthimit të fishekzjarreve, sipas agjencisë maqedonase  Infomax, por konfirmimi ende nuk ka ardhur nga autoritetet.

I mbijetuari Lulzim Sulejmani nga Veriu i Serbisë, tha për Klan TV: “Autobuzi goditi bordurën nga ana e djathtë dhe rrotat u shpuan”.

“Më pas autobuzi shpërtheu në flakë dhe u mbush me tym. Mjeti në flakë vazhdoi të ecte i lire për afro 20 metra, para se të ndalonte”.

Sulejmani shtoi: “Njerëzit po villnin e ulërinin, ishte si një ëndërr e keqe. Unë arrita të shpëtoj duke thyer një dritare me çekiçin, mora të fejuarën dhe pesë njerëz të tjerë për të shpëtuar”.

Zyrtarët thanë se shoferi i mjetit kishte vdekur ose humbur ndjenjat para se mjeti të përfshihej nga flakët prandaj nuk kishte se cili të hapte komandën e dyerve të mjetit dhe njerëzit mbetën të bllokuar.

Shumica e viktimave shqiptarë etnikë nga Maqedonia e Veriut ishin të rinj nga 20 deri në 30 vjeç, më të rinjtë prej tyre binjakët tragjikë katër vjeçare që u vranë nga zjarri bashkë me prindërit.

Te vegjelit Luan e Alban Ahmeti u dogjën bashkë me babanë e tyre Avni dhe nënën Xhihan.

Gazmend Ukali, 27 vjeç, dhe e fejuara Albina Belluli, 23, u identifikuan mes viktimave. Çifti i ri po ktheheshin nga Stambolli ku festuan ditëlindjen e Gazmendit.

“Kam humbur të gjithë familjen në atë zjarr”, tha një burrë i paidentifikuar për të përditshmen ‘Sloboden Pecat’, duke shtuar se 10 familjarë i kishin vdekur aty.

Të mbijetuarit janë shtruar në një spital në Sofie dhe janë në gjendje të qëndrueshme, tha Maya Argirova, drejtuese e klinikës së djegieve  Pirogov.

E fejuara e Lulzimit, Medina Lutfi, 25 vjeçe, tha se edhe ajo kishte shpëtuar duke dalë nga dritarja e autobuzit.

“Isha duke fjetur kur nisa të dëgjoj ulërimat dhe të qarat e pasagjerëve  … kishte tym të zi ngado dhe një shpërthim si një bombë … dëgjoja fëmijë që qanin, kishte shumë fëmijë,” thotë e mbijetuara e tragjedisë.

Edhe Iliya Nikolov, roje nate në zonën e tragjedisë, tha se kishte dëgjuar një shpërthim nga mjeti dhe më pas ishte afruar dhe kishte thirrur shërbimet e emergjencës.

“Ne vrapuam për në rrugë … diçka po digjen te barrierat e autostradës. Në fillim zjarri ishte i vogël por më pas e gjithë pjesa e prapme u ndez”, tha  Nikolov për rrjetin bTV.

Autobuzi i regjistruar me kompaninë turistike Besa Trans ishte një nga katër që udhëtonin së bashku, sipas raportimeve.

Ministri maqedonas i transportit tha se mjeti nuk ishte regjistruar për udhëtime ndërkombëtare.

Katër vende të Ballkanit kanë shpallur ditë zie për tragjedinë




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *