Asociacion demagogësh!

188

10345550_10152326927533542_1541423370685227593_nNga: Lavdim Hamidi

Koalicioni i politikanëve demagogë ka vendosur ta themelojë Asociacionin e Komunave shqiptare në Luginë të Preshevës. Jo për shkak të diskriminimit të skajshëm që u bëjnë autoritetet e Serbisë banorëve shqiptarëve në Luginë, por në shenjë reciprociteti ndaj Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Republikën e Kosovës.

Edhe mund të kishte shpresa nga ky Asociacion i shqiptarëve, sikur këta liderë politikë që përfaqësojnë dhjetëra-mijëra qytetarë shqiptarë të Luginës së Preshevës në kontinuitet do të ishin dëshmuar unik në qëndrimet e tyre politike, nuk do të bënin luftë mes vete se cili po bën i pari koalicion lokal me partinë e Vuçiqit e Daçiqit, apo se cili po tregohet më i aftë politikisht për t’ia marrë nga dy paga buxhetit të Serbisë.
Por, kur dihen qartë veprimet e tyre politike, sidomos në dekadën e fundit, qoftë nga politikanët që janë në pozitë në Luginë të Preshevës, apo edhe nga opozitarët, shpresat nga Asociacioni janë baras me zero dhe asnjëherë të arritshme me kompetencat e Asociacionit të serbëve në Kosovë.

***

Si mund të ketë shpresa për shqiptarët e Luginës nga ky Asociacion, kur njëri nga iniciatorët për themelimin e këtij të fundit është kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili javë më parë solemnisht i ndau “Mirënjohje” (Zahvalnicë) kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për “trajtimin e mirë” që i bëhet komunitetit shqiptar në Serbi.

Ndërsa, tash po deklaron publikisht se Serbia nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve. Z. Mustafa, “Zahvalnica” për Vuçiqin dhe ankesat për diskriminim nga ky i fundit nuk kanë asgjë të përbashkët njëra me tjetrën. Në fakt kjo është vetëm demagogji politike!

Për më tepër, vetë përfaqësimi i qytetarëve të Preshevës nga Ragmi Mustafa është fyerje për ta.

Po të ishte lider i fjalës, Mustafa qysh moti do të ishte larguar nga skena politike në Luginë të Preshevës, pikërisht atëherë kur kishte thënë se do të dorëhiqej nëse hiqet lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së. Lapidari ka vite që është hequr, mirëpo Mustafa është ende aty, në krye të Komunës së Preshevës.

E lideri tjetër politik në Luginë, Jonuz Musliu, i cili udhëheq Këshillin Nacional të Shqiptarëve, bashkë me kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi, po u hedhin “pluhur syve” shqiptarëve me Asociacionin, ndonëse “tortën” e pushtetit lokal në Komunën e tyre e ndajnë me partinë e Vuçiqit dhe Daçiqit!

Edhe më joseriozë me veprimet e tyre u treguan kur deklaruan se Asociacioni i Shqiptarëve në Serbi do të ketë kompetenca sa edhe Asociacioni i Serbëve në Kosovë. Po të ishte ashtu, të hyrat nga pika doganore në Konçul dhe në Muçibabë do t’i merrnin Komunat e Bujanocit dhe të Preshevës, ashtu si i marrin Komunat serbe në Kosovë, apo do ta zgjidhnin një përfaqësues shqiptar në krye të Stacionit Policor në Bujanoc, ashtu siç i zgjedhin komunat serbe në Kosovë, etj. Ky krahasim mes dy asociacioneve mund edhe t’i lejohet Musliut, të cilit i mungon përgatitja e lartë shkollore, por jo edhe Arifit, i cili është magjistër apo doktor i shkencave juridike. Normalisht, se nuk i lejohet, nëse diplomat i ka marrë me mësim.

Këtij degradimi të të drejtave të shqiptarëve në Serbi i ka kontribuar mjaft shumë edhe kryetari i subjektit tjetër në Luginë, Riza Halimi, i cili është ndër liderët e paktë në Ballkan dhe Evropë që për gati tri dekada, edhe pas moshës së pensionimit, është shumë aktiv në jetën politike.
Halimi kur i ka fituar zgjedhjet në Preshevë, ka udhëhequr këtë Komunë, ndërsa kur i ka humbur atje, është kontrabanduar deputet në Parlamentin e Serbisë. Për të humbja e zgjedhjeve asnjëherë nuk ka nënkuptuar edhe humbjen e pushtetit politik.

Mosbashkimi i partisë së Halimit me partitë tjera shqiptare në themelimin e Asociacionit është pikërisht për shkak të inateve partiake, e jo se ky i fundit gjatë karrierës së tij politike me bashkëpunëtorë, ka ofruar alternativa më të mira politike për shqiptarët në Luginë.

***

Për të qenë më bindës para shqiptarëve për Asociacionin, këta liderë politikë të Luginës, do të duhej të dëshmoheshin edhe në të kaluarën me veprimet e tyre, ashtu siç u dëshmuan liderët serbë të Kosovës. Normalisht se këta të fundit e patën mbështetjen politike të Serbisë dhe të ndërkombëtarëve, e cila mbështetje u mungoi shqiptarëve të Luginës.

Mirëpo, askush nuk i pengoi liderët shqiptarë që të jenë unikë për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, ashtu siç ishte unike Lista “Srpska” në Kosovë, por problemi ishte se shqiptarët nuk merreshin vesh se cili kandidat do të renditej në krye të listave zgjedhore.

Nëse u mendua që me Asociacionin do të zgjidhen problemet e shqiptarëve në Serbi, një ditë më vonë Vuçiqi, të cilit iu nda “Zahvalnica”, e dëshmoi të kundërtën. Ua mbylli shqiptarëve kufirin në Mutivodë, duke i lënë të papërfaqësuar siç duhet në Kuvendin Komunal të Medvegjës. Politikanët shqiptarë vetëm se dëshmuan se janë shërbëtorë të Vuçiqit, e ky i fundit tregoi se edhe më tutje është një ultranacionalist i përbetuar.

Kështu që iniciativa për themelimin e Asociacionit të Shqiptarëve të Luginës është vetëm edhe një premtim tjetër i rremë për qëllime politike, të cilin dinë ta bëjnë politikanët demagogë si Ragmi Mustafa& Co.

(Autori është zv/kryeredaktori i të përditshmes “Zeri”)




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *