Ardita Sinani priti në takim Ambasadorin e OSBE-së, Jan Braathu – bisedojnë për problemet e shqiptarëve të Luginës
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, gjatë ditës ka pritur në takim, Ambasadorin e OSBE-së në Beograd, Jan Braathu.
Sipas një postimi në facebook, kryetarja Sinani me Ambasadorin Braathu kanë biseduar rreth zhvillimit të dialogut të mbajtur sot në Bujanoc, ku Ardita Sinani, mes tjerash ka ngritur shqetësimet dhe problemet esenciale me të cilat po ballafaqohen shqiptarët në Serbi, si mosnjohja e diplomave, mosintengrimi i shqiptarëve nëpër institucioneve shtetërore, moszbatimi i marrëveshjeve të nënshkruar, e shumë të tjera.
Kryetarja Sinani, në ketë takim ka falenderuar Ambasadorin Braathu për qasjen progresiste që ka për zgjidhjen e këtyre probelemeve, si një nismë e mbarë e munguar prej shumë kohësh.
“Shpreha mirënjohjen time në emër të qytetarëve të Komunës së Preshevës, për angazhimin e Ambasadorit Braathu në funksion të rifillimit të dialogut të ngrirë në mes të përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve në Luginë dhe të organeve qendrore të Republikës së Serbisë” – ka shkruar mes tjerash, Ardita Sinani, kryetare e Preshevës.
Më poshtë mundë të lexoni postimin e plotë të kryetares Ardita Sinani, pas takimit të zhvilluar me Ambasadorin e OSBE-së në Beograd, Jan Braathu:
Sot pata kënaqësinë të mirëpres Shefin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Serbi, Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin Jan Braathu.
Pas takimit që kishim në zyrën e Misionit të OSBE-së në Beograd, më 16 qershor të këtij viti, ku ngrita shqetësimet dhe problemet esenciale me të cilat përballen shqiptarët në Serbi, sot Ambasadori Braathu tregoj hapat e ndërmarrë nga Misioni që udhëheq për zgjidhjen e tyre.
Gjatë kësaj periudhe, Ambasadori Braathu ka zhvilluar takime me Ministra të Qeverisë, e në veçanti me Presidentin e Serbisë, z.Aleksandar Vuçiq.
Temat si: njohja e diplomave, integrimi i shqiptarëve në institucionet publike, tekstet në gjuhën shqipe dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara e në veçanti ato të cilat garantuese ka qenë Misioni i OSBE, Ambasadori Braathu i kishte ngritur në takimin me Presidentin Vuçiq.
Theks të veçantë në atë takim, Ambasadori Braathu i kishte dhënë implementimit të Planit 7 pikësh, të nënshkruar dhe të miratuar nga Qeveria e Serbisë në mars të vitit 2013.
Shefi i Misionit të OSBE-së dëshmoi gatishmërinë se do të jetë monitoruesi kryesor i riaktualizimit dhe rifillimit të zgjidhjes së problemeve me të cilat përballen shqiptarët në Serbi.
Shpreha mirënjohjen time në emër të qytetarëve të Komunës së Preshevës, për angazhimin e Ambasadorit Braathu në funksion të rifillimit të dialogut të ngrirë në mes të përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve në Luginë dhe të organeve qendrore të Republikës së Serbisë.