Arban Abrashi akuzohet se po organizon ‘banda’ për prishjen e kuvendeve të LDK-së (VIDEO)

317

Përplasje, por këtë herë vetëm verbale, vazhdojnë ta përcjellin garën për strukturat e reja të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Skena të tilla u panë edhe të enjten, në kuvendin zgjedhor të nëndegës së LDK-së në lagjen Mati1, pjesë e degës së tretë në kryeqytet, ku është rizgjedhur për kryetar Avdi Pireva, raporton KTV.

Me prezencë të policisë, në këtë ngjarje nuk i është lejuar hyrja Fatos Azemit, i cili pretendon të ketë qenë kundërkandidat i Pirevës.

Por, Pireva, në Interaktiv, ka thënë se Azemi nuk e kishte emrin në listë, derisa ka akuzuar Arban Abrashin se po organizon veprime të tilla.

Azemi i ka thënë KTV-së, në një përgjigje me shkrim, se ai ka konkurruar për ta masivizuar LDK-në dhe se dikush po i frikësohet kësaj.

“Nuk ekzistojnë banda në LDK. Thjesht, dikush po besoj që është frikësuar nga numrat e mi si kundërkandidat. Qëllimi im, dhe besoj i të gjithë kundërkandidatëve, duhet të jetë masivizimi i LDK-së, përkatësisht Degës së 3-të në këtë rast. Ekipi i Hazirit (Borovcit) nuk e ka njoftuar askënd. Madje, shumica nga kryesia e nëndegës Mati 1 nuk kanë pasur informata për kuvendin e djeshëm”, ka thënë Azemi.

KTV-ja ka provuar ta marrë një përgjigje për këto pretendime fillimisht nga Abrashi, i cili nuk ka dashur të prononcohet, derisa Azemi nuk është lajmëruar në thirrjet dhe mesazhet telefonike.

Një tjetër i përmendur nga Pireva ka qenë Amir Simnica, kryetar i Nëndegës “Muhaxhirët II”, proces që Pireva e ka kontestuar.

Sipas Simnicës, zgjedhja për kryetar të degës më 26 maj është legjitimuar, derisa, sipas tij, ndryshimet në këtë parti nuk po mirëpriten nga të gjithë.

Përveç në kryeqytet, procesi i brendshëm zgjedhor në LDK është përcjellë me skena të përplasjeve edhe fizike në disa komuna, si në Ferizaj e në Mitrovicë./Koha.net/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *