Ambasadori amerikan Hovenier: Jemi për formimin e Asociacionit, por i takon Kosovës të vendosë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se i takon Kosovës të vendosë se si do të veprojë lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për transmetuesin publik, Radio Televizionin e Kosovës, Hovenier ka theksuar se SHBA-ja pret që “Qeveria e Kosovës t’iu përmbahet zotimeve që i ka marrë”.

“Ka modele, të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovë që t’i shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje”, ka thënë Hovenier, duke mos dhënë detaje mbi këto modele.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Më 2015, palët kanë arritur edhe një marrëveshje për parimet e themelimit të këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Kosovë “nuk mund të ketë asociacion njëetnik”.

Pala serbe këmbëngul që Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin.

Ambasadori Hovenier ka thënë për RTK-në se angazhimi i SHBA-së lidhur me dialogun Kosovë-Serbi është intensiv dhe se në këtë proces, SHBA-ja nuk e sheh të diskutueshme çështjen e sovranitetit të Kosovës.

“Do të thosha që këto janë fakte historike. Kosova është shtet i pavarur. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është”, ka thënë ai.

Hovenier gjithashtu ka thënë se SHBA-ja pret angazhim nga Kosova dhe Serbia për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Uashington, në shtator të vitit 2020.

“Ka zotime për personat e zhdukur; ka zotime për kalimin e kufirit; ka zotime lidhur me tregtinë ndërkufitare. Ne besojmë se të gjitha këto do të ishin në dobi të Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë Hovenier.

Leave a Reply

Your email address will not be published.