Abdixhiku në cilësinë e kryetarit të LDK-së: LDK nuk ka kohë për të humbur, por duhet të ecë përpara

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku pas zgjedhjes si i pari i LDK-së ka thënë se sot do të hapin një faqe të re për ta kthyer LDK-në aty ku e ka vendin.

Abdixhiku po ashtu falënderoi ish kryetarin Isa Mustafa si dhe dy kundërkandidatët për kryetar Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën.

“Më lejoni që të falënderoj kryetarin e  deri tanishëm kryetarin Isa Mustafa, që për 11 vitet e fundit udhëhoqi në shtëpinë tonë të përbashkët. Falënderoj dhe dy kundër kandidatët e mi, Hazirin dhe Mustafën. Të dy me kulturën e tyre politike vendosën një standard të ri të garës, jo vetëm për LDK-në por përgjithësi spektrin politikë. Sot po e hapim një faqe të re me qëllime të qartë për ta kthyer LDK-në në vendin e vet. Sikurse në pozitë dhe në opozitë, në përballje të lehtë dhe fryma populliste u tregu promotere e këtyre vlerave”, ka thënë ai.

Kryetari i ri i LDK-së, gjithashtu theksoi se LDK-ja nuk arriti t’i mbaj dhe as të rris mjaftueshëm votuesit e saj, dhe për këtë siç tha ai arsyen duhet ta gjejnë tek vetja.

“LDK nuk arriti të mbaj dhe as të rris mjaftueshëm votuesit e saj, arsyen e vërtetë dhe të vetme e gjejmë tek vetja dhe nga vetja do të nisim rikthimin tonë të madh. Nderojmë të gjithë 110 mijë votuesit tanë. LDK nderon edhe udhëheqësin paraprake. Pavarësisht gjithë përpjekjeve është bërë e dukshme se ka pakënaqësi si brenda po ashtu edhe jashtë LDK-së”, u shpreh Abdixhiku.

Ai po ashtu tha se: “LDK nuk ka kohë për të humbur, por ka kohë të për ecur përpara. Ndjej obligim dhe nder t’i prij këtij procesi përpara, kjo detyrë nuk është aspak e lehtë. E gjen LDK-në në frymën populliste, e ideve të majta. Para një obligimi të tillë asnjëri s’mund të qëndrojmë indiferentë”.

Ndryshe, delegatët e Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, kanë zgjedhur sot për kryetar të ri të këtij subjekti, Lumir Abdixhikun.

Telegrafi mëson se  Abdixhiku ka arritur të marrë mbi 190 vota nga 329 delegatë që kanë votuar, duke arritur të zgjidhet kryetar qysh në raundin e parë.

Në garë për këtë post ishin edhe Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa. Haziri ka marrë 117 vota, kurse Mustafa vetëm 16.

Kujtojmë se në garë ishte edhe Anton Quni, por i njëjti pak para fillimit të Kuvendit Zgjedhor ka tërhequr kandidaturën e tij.

Pas certifikimit të zgjedhjeve, LDK-ja ka dalë partia e tretë me 12.76 për qind të votave. Pas rezultatit të shënuar, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dha dorëheqje. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.