A e ka ndikuar në ekonominë e Kosovës taksa 100 për qind? Flet Bedri Hamza

130


Ministri i Financave, Bedri Hamza, në intervistë për lajmi.net ka folur edhe për taksën 100 për qind dhe konsekuencat që ka bartur me vete kjo masë tarifore ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Ministri Hamza ka theksuar se kjo taksë ka ardhur si pasojë e sjelljes së Serbisë, por sipas tij, statistikisht kjo taksë nuk ka ndikuar në buxhetin e Kosovës, shkruan lajmi.net.

I pari i financave, për lajmi.net ka thënë se masat ndaj politikave fiskale për lirim nga tatimi doganor si akciza e TVSH-ja kanë dhënë mundësi për prodhuesit të jenë më aktiv në treg.

Lexoni të plotë Intervistën më poshtë:

Lajmi.net: Si do ta vlerësonit treguesin dhe ecurinë e rritjes ekonomike në Kosovë viteve të fundit nga këndvështrimi i qëndrueshmërisë dhe objektivit tuaj dhe a mund të thuhet në mënyrë bindëse larg sloganeve politike se rritja ekonomike në Kosovë është cilësore dhe e garantuar nga faktorë të qëndrueshëm?

Bedri Hamza: Rritja ekonomike në Kosovë gjatë viteve të fundit ka qenë në nivel të mirë, duke u luhatur rreth një normë vjetore reale mbi 4%, duke tejkaluar kështu performancën e vendeve të rajonit. Për vitin 2018 pritet të shënojë një normë vjetore rritje prej 4.3% në terma real, ndërsa në periudhën afatmesme kjo rritje do të shkojë tutje në 4.7%, mesatarisht. Kontributi kryesor në këtë rritje ka ardhur kryesisht prej:

– reformave fiskale të ndërmarra nga Ministria e Financave dy vitet e fundit, që kanë shfaqur efektet e tyre pozitive në përmirësimin e kushteve të favorshme në të bërit biznes dhe nxitjen e prodhimtarisë vendore,

– konsumit privat dhe investimeve (private dhe publike),

– dërgesave të emigrantëve (remitancat),

– përmirësimit të kushteve kredi-dhënëse dhe qasjes në financa, dhe

– dinamikës së shtuar të ekzekutimit të shpenzimeve kapitale apo rritjes së kapaciteteve absorbuese nga institucionet financiare ndërkombëtare kanë qenë ndër faktorët shtytës të kësaj rritjeje ekonomike.

Deficiti tregtar i mallrave vazhdon të jetë i lartë, si rezultat i bazës së ulët të eksporteve të mallrave dhe propensitetit të lartë importues që karakterizon kryesisht projektet publike të infrastrukturës. Megjithatë, sinjalet e deritanishme mbi diversifikimin e eksporteve të mallrave, efektet pozitive të MSA-së dhe reformat në politikat fiskale kanë filluar të reflektohen në përshpejtimin e ecurisë së eksporteve të mallrave një rritje vjetore e eksporteve të mallrave prej 10.8% deri në muajin maj të këtij viti.

Edhe pse Kosova po rritet rreth potencialit të saj, zhvillimi i reformave sidomos në tregun e punës dhe në administratë publike, mund të kontribuojnë në rritje edhe më të lartë në të ardhmen.

Lajmi.net: Ju keni udhëhequr edhe politikat kreditore në Kosovë. Tregu i punës në Kosovë duket akoma pa-stabilizuar dhe i pa institucionalizuar dhe kërkesë-oferta për punësim shfaq një seri problemesh. A ka politika konkrete për ta bërë sa më funksional tregun e punës në Kosovë?

Bedri Hamza: Si Ministër i Financave, i ndjek me shumë kujdes zhvillimet dhe statistikat e tregut të punës, dhe gjykoj se punësimi me theks të veçantë i të rinjve vazhdon të jetë shqetësues. Megjithatë, mendoj që analizimi i të dhënave të punës duhet bërë me kujdes duke u bazuar në realitetin ekonomiko-social të vendit dhe duke ndërlidhur informacion nga burime të ndryshme të dhënash për të krijuar një panoramë më të mirë dhe të qartë të situatës në tregun e punës.

Për adresimin e problemeve apo sfidave të ndërlidhura me tregun e punës, një listë reformash strukturore janë në proces dhe këtë vit do të kenë prioritetin kryesor dhe të cilat kanë mbështetjen buxhetore, siç janë ngushtimi i hendekut të shkathtësive ndërmjet arsimit/ trajnimit dhe nevojave të tregut të punës dhe rritja e qasjes së punësimit për të rinjtë dhe gratë përmes ofrimit të shërbimeve cilësore të punësimit, masave aktive të punësimit dhe zhvillimit të ndërmarrësisë.

Gjithashtu, përpjekjet për të kanalizuar një pjesë të remitancave nga konsumi/kursimet apo nga investimi i tyre në pasuri të patundshme drejt përdorimeve më produktive siç është hapja e bizneseve të reja ose zhvillimi i atyre aktualeve apo ndërmarrja e iniciativave të tjera të ndërmarrësisë do të nxisnin aktivitetin në sektorin privat që do të gjeneronin vende të reja pune dhe do të rrisnin shkathtësitë e fuqisë punëtore në vend. Më pas ne kemi themeluar Fondin për Garantimin e Kredive që do ti ndihmoj shumë të rinjve dhe të rejave për fillim të biznesit.

Lajmi.net: Ligji i ri i pagave pritet të ndikojë në rritjen e pagave në sektorin publik, përveç këtyre afekteve buxhetore, si e shihni edhe efekti e tij në pagat e sektorit privat?

Bedri Hamza: Pozitive është se në Kosovë për herë të parë çështja e pagave po rregullohet me ligj. Unë besoj se një shumicë absolute është trajtuar në mënyrë shumë korrekte dhe pa dyshim që ekziston mundësi gjithmonë për ta vlerësuar se a ka ende vend për përmirësim në të ardhmen. Do të ketë ndikim në sektorin privat për arsye se sektori publik do të jetë më atraktiv për të kërkuar punë apo për tu punësuar.

Ne jemi duke punuar që ta ndihmojmë zhvillimin e sektorit privat, ashtu siç e thashë edhe më lartë janë ndërmarr një mori reformash fiskale me qëllimin e vetëm që bizneset me kosto sa më të ulët të bëjnë biznes në Kosovë. E kam thënë që nga fillimi i marrjes së detyrës së Ministrit se objektiv i imi është zhvillimi i sektorit privat, sektori privat duhet të jetë bartës i zhvillimit ekonomik. Andaj edhe pse Ligji i pagave do të ketë ndikim në sektorin privat prapë kemi arritur që biznesit t’i ofrojmë kushte të mira të të bërit biznes në Kosovë.

Lajmi.net: Ligji i ri i pagave, a do të ketë efekte edhe në shpenzimet kapitale në vitet e ardhshme. Pra, a do të kemi zvogëlim apo rritje të kësaj kategorie?

Bedri Hamza: Kosova brenda strukturës së vetë të Buxhetit ka nivelin më të lartë të shpenzimeve kapitale në krahasim me vendet e rajonit që e ruan dhe ky është një sinjal shumë i mirë për zhvillimin ekonomik dhe besoj se edhe në të ardhmen pavarësisht se kush do të jetë Ministër i Financave duhet ta ruaj këtë strukturë.

Kur jemi te Ligji i pagave nuk do të lejojmë që të ketë efekt në uljen e shpenzimeve kapitale për arsye se do të marrim të gjitha masat e mundshme që ta menaxhojmë implementimin e Ligjit për paga pa i cenuar shpenzimet kapitale.

Lajmi.net: Si ka ndikuar në ekonominë e Kosovës taksa 100 për qind ndaj Serbisë dhe çfarë konsekuenca mund të ketë në terme afatgjatë?

Bedri Hamza: Taksa 100% e kemi thënë edhe më herët se ka ardhur si pasojë e sjelljes së Serbisë ndaj Kosovës, dhe nëse i shikojmë të dhënat nga Dogana shihet se sasia e mallit e cila është importuar nga Serbia tani është duke u importuar nga vendet tjera, që do të thotë se në pikëpamje të buxhetit nuk ka pasur asnjë ndikim.

Më pas kemi marr edhe masa të politikave fiskale për lirim nga tatimi doganor, akciza dhe TVSH-ja për prodhuesit tanë dhe kjo ju ka dhënë mundësi të rritjes së prodhimit dhe të jenë më aktivë në tregun e Kosovës dhe më gjerë. Kështu që nuk ka pasur asnjë ndikim në ekonominë e Kosovës me përjashtim të disa prodhuesve që lëndën e parë është dashur ta importojnë në distancë më të largët se që e kanë importuar në të kaluarën.

Lajmi.net: Cili është mendimi juaj për pagat e veteranëve të rrejshëm dhe sa po dëmtohet buxheti i Kosovës nga kjo?

Bedri Hamza: Kjo është çështje që tani i takon sistemit gjyqësor meqenëse është duke u trajtuar nga organet kompetente nuk e kisha diskutuar për arsye se nuk kemi ndonjë vendim apo aktgjykim ende të organeve kompetente.

Lajmi.net: Si e komentoni gjendjen aktuale në Partinë Demokratike të Kosovës, me strukturat e reja dhe largimet me vendim të kryetarit të partisë, Kadri Veseli kur tani veçse jeni udhëheqës i degës së PDK-së në Mitrovicë?

Bedri Hamza: Zgjedhjet kanë përfunduar në Partinë Demokratike të Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme, fer dhe në mënyrë transparente duke promovuar vlerat dhe jam shumë i lumtur që në strukturat tona kemi shumë kuadro ekzistues por edhe të rinj dhe të reja të cilët kanë një bagazh profesional dhe etik, janë shumë premtues për të ardhmen jo vetëm të Partisë Demokratike të Kosovës por edhe për shtetin. Ne qëllim e kemi pasur dhe e kemi që të sjellim vlera në Partinë Demokratike të Kosovës duke ruajtur gjeneratat e më hershme dhe duke sjellë vlerë të shtuar përmes gjeneratave të reja, një kombinim ideal në mënyrë që Partia Demokratike e Kosovës të jetë e përgatitur për të konkurruar në çfarëdo zgjedhje në të ardhmen dhe çka është më e rëndësishmja do të jetë e përgatitur për çdo sfidë apo proces që e pret shtetin në të ardhmen. Pra, gjendja është e mirë në Partinë Demokratike të Kosovës dhe jam i lumtur për këtë. /Nehat Sadiku/ Lajmi.net/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *