A duhet te agjerojne personat me semundjen e sheqerit?

313

Ndonese muaji i Ramazanit njihet si muaji me i vlefshem ne komunitetin fetare gjegjesisht ne shoqerine tone, per kategorin e personave me semundjet e sheqerit – diabetit kjo gje ndryshon, keshtu thote Ass.dr.Merita Emini Sadiku, Dr.Sci
Interniste-endokrinologe.
Doktoresha ne fjale eshte me origjine nga Komuna e Presheves, e cila aktualisht jeton dhe vepron me familjen e saj ne Prishtine.
Me kete raste ne realizuam interviste eksluzive per here te pare me soecilisten ne fjale.

Doktoreshe eshte hera e pare qe po relizojme nje interviste te tille me ju.

-Kenaqesia eshte e imja qe jap per here te pare kete interviste per portalet e vendlindjes time.

  • Mund te na shpjegoni rreth personave me sëmundjen e diabetit të tipit 1 dhe 2 , a duhet të agjerojnë ?
    Në mesin e mjaft sëmundjeve të cilat e rrezikojnë shëndetin gjatë agjërimit është edhe sëmundja e sheqerit, por jo të gjithë pacientët me këtë sëmundje kanë rrezik të njëjtë. Prandaj ekzistojnë përjashtime të cilat kanë si diferencim kontrollin e mirë ose jo të sëmundjes si dhe llojin e kësaj sëmundje.
    Pacientët me tip 1 të sëmundjes të cilën ekskluzivisht trajtohen vetëm me insulinë e rekomandueshme është që të mos agjërojnë si dhe ata të cilët kanë komplikime serioze kronike, si ato kardiake dhe të veshkave, si dhe pacientët të cilët kanë episode të shpeshta të rënies së sheqerit në gjak ose rritjes së tij apo kanë komplikime akute të sëmundjes.
    Ndërsa pacientët me diabeti tip 2, nëse kanë kontrollë të mirë të glikemisë, mund të agjërojnë, por duhet fillimisht të konsultohet me mjekun e tyre.
    -Cilat mund të jenë pasojat nëse agjërojnë dhe çfarë mund të përfitojnë nga agjërimi ( efektet anësore ) ?
    Rreziku nga agjërimi tek pacientët me sëmundje sheqerit përveç llojit të diabetit varet edhe nga trajtimi të cilin marrin, rreziku individual nga hipoglikemia, prezenca e komplikimeve dhe/ose sëmundjet tjera shoqëruese, rrethanat individuale sociale ose vendit të punës si dhe eksperienca e agjërimit të mëhershëm. Pacientët me rrezik për të agjëruar janë ata me kontroll të keq të sëmundjes.
    -Çfarë ushqimesh mund të konsumojnë gjatë dy vakteve ?
    Njihen disa rregulla të bazuara në udhërrëfyesit e mbajtjes së agjërimit të pacientët me diabet sipas IDF-DAR e të cilat janë:
  1. Kaloritë e marra të shpërndahen në iftar, syfyr si dhe në 1-2 ushqime të ndërmjetme.
  2. Ushqimet duhet të jenë të balancuara, me karbohidrate ( të preferuara janë ushqimet me indeks të ulët glikemik) duke përfshi 45-50% të kalorive të përgjithshme; proteina (bimore- bishtaja, shtazore-peshk, shpezë ose mish i kuq me pak yndyrë) që përfshin 20-30%; dhe yndyra (preferohen yndyra mono-të pangopura dhe poli-të pangopura) që përfshin <35% të racionit ushqimorë. Yndyrat e ngopura duhet të kufizohet nën 10% të konsumit total ditor të kalorive.
  3. Përdorni metodën e “pjatës së Ramazanit” për përpilimin e racionit ushqimorë
  4. Ëmbëlsira e pasura me sheqer duhet të shmangen pas iftarit dhe mes ngrënieve. Në vend të tyre rekomandohet një pjesë frut.
  5. Zgjidhni karbohidratet me indeks të ulët glikemik, veçanërisht ato të pasura me fibra (mundësisht drithëra të plotë të papërpunuar. Rekomandohet konsumimi i karbohidrateve nga perimet (e ziera ose të freskëta në formë sallatash), frutat e plota, jogurti dhe produktet e qumështit. Konsumimi i karbohidrateve nga sheqeri dhe drithërat e përpunuara (si mielli i grurit dhe niseshteja, misri, orizi i bardhë dhe patatja) duhet të shmanget ose minimizohen ndjeshëm.
  6. Është shumë e rëndësishme ruajtja e hidratimit adekuat duke pirë ujë të mjaftueshëm, lëngje pa shtesë sheqeri, ndërmjet dy racioneve ushqimore kryesore (lejohet marrja e lëngjeve dietale pa shtesa sheqeri). Duhet të pakësohet marrja e lëngjeve të kafeinizuara si çaj dhe kafe për shkak të efektit diuretik ose të humbjes së lëngjeve të organizmit.
  7. Praktikoni të hani patjetër syfyrin dhe atë sa më vonë që është e mundur
  8. Konsumoni një sasi të mjaftueshme të proteinave dhe yndyrës në syfyr si ushqime me nivele më të larta të këtyre makronutrientëve dhe më pak karbohidrate me indeks të ulët glikemik se sa të konsumoni karbohidrte të cilat rrisin nivelin e sheqerit në gjak pas ngrënies. Proteina dhe yndyrat gjithashtu nxisin ngopje më mirë se karbohidratet.
  9. Iftari duhet të fillojë me shumë ujë për të larguar dehidrimin nga agjërimi dhe 1deri në 2 hurma të thata ose të freskëta për të ngritur nivelin e glukozës në gjak.
  10. Midis ngrënieve kryesore, nëse është e nevojshme, mund të konsumohet një ushqim të lehtë si një pjesë frutash, një grusht arra ose perime. Në përgjithësi, çdo mes-ushqim duhet të jetë 100-200 kilokalori, por kjo mund të jetë më e lartë në varësi të kërkesës kalorike individuale. Disa pacientë mund të përdorin një mes-ushqim të lehtë për të bërë iftar dhe pastaj më vonë të marrin racionin e plotë të iftarit.
    Pasiviteti fizik ne kohen e Covid- 19, njekoheshsiht dhe agjerimi, si ndikojne tek kjo kategori ?
    Sa i përket aktivitetit fizik, nëse gjatë agjërimit pacientët me diabet janë aktiv, duhet të reduktojnë marrjen e trajtimit nën udhëzimet e mjekut të tyre sepse mund të vijë deri tek rënia e sheqerit( hipoglikemia). E rekomandueshme është që aktiviteti fizik të bëhet pas iftarit.Kur jemi në kushte të izolimit për shkak të COVID19, ky aktivitet duhet të bëhet në kushte shtëpie, duke i aktivizuar të gjithë muskujt e trupit.
  11. Çfarë u sygjeroni personave me sëmundjen e diabetit sa i perket disiplines,regjimit ? Nëse pacientët me sëmundje të sheqerit insistojnë të agjërojnë atëherë ata duhet të – marrin edukim të strukturuar për sëmundjen e sheqerit, ushqimin dhe aktivitetin fizik – të përcillen nga mjeku i specializuar për diabet-endokrinologu/diabetologu – të matin rregullisht glikeminë në gjak, gjatë kohës së agjërimit – të përshtatin trajtimin sipas rekomandimeve të mjekut
  12. – të ndërprejnë agjërimin në rast të hipoglikemive ose hiperglikemive ose të gjendjeve tjera shëndetësore

Shoqeria jone sa është e vetëdijësuar për këtë sëmundje dhe cila është porosia e juaj ?
Unë çdo ditë e më shumë në praktikën time klinike qoftë në Klinikën e Endokrinologjisë në QKUK qoftë në poliklinikën time “endoCLINIC” shoh pacientë që janë shumë mirë të informuar për sëmundjen e diabetit. Sigurisht që duhet të mbajnë regjimin ushqimorë të përcaktuar gjatë tërë jetës. Ndërsa tani, në muajin e ramazanit porosia ime do të ishte që pacientët me diabet duhet të ndërpritet menjëherë agjerimin në rast se glikemia është nën 3.9 mmol/L ose nën 70 mg /dL si dhe mbi 16.6 mmol/L ose mbi 300 mg/dl si dhe në rast të pranisë së shenjave të rënies së sheqerit (hipoglikemisë-konfuzionit, djersitjes, dridhjeve, të rrahurave të shpejta të zemrës, ndjenjës së urisë, gjendjes mentale, dhimbjes së kokës), ngritjes së sheqerit (hiperglikemisë-etje e theksuar, ndjenjë e urisë, urinim i shpeshtë, lodhje, konfuzion, vjellje, dhimbje barku) ose dehidrimit apo humbjes së lëngjeve të organizmit ose pranisë së sëmundjeve akute.
Ju falemnderit për intervistën dhe ju dëshiroj punë të mbarë!

Intervistoi: Ardita Saqipi




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *