A duhet Komuna e Bujanocit të vazhdojë bashkëpunimin me “People in Need” në implementimin e projektit ALVED

Në tetor të vitit të kaluar, Komuna e Bujanocit, pati nënshkruar memorandum bashkëpunimi me organizatat joqeveritare “Peaceful Change Initiative” dhe “People in Need” për implementimin e projektit “Fuqizimi i zërave lokal për zhvillim të barabartë”, i njohur si projekti  ALVED (Amplifying Local Voices for Equitable Development), financuar nga Qeveria Britanike.

Përkundër që kanë kaluar shumë muaj, projekti në fjalë, nuk po ec sipas planifikimit, ku tashmë po vërehet se është duke “çaluar”.

Në konkursin e shpallur në janar të vitit 2021, organizata “People in Need”, kishte ftuar të gjitha organizatat joqeveritare nga Bujanoci, Vranja, dhe Lebani, që të paraqesin propozim-projektet, të cilat do të merren me pasojat e postCovidit në këto tre komuna. Në njoftimin e organizatës “People in Need”, thuhej se do të ndahen grante të vogla deri në 25.000 euro për projektet që do të përzgjedheshin për realizim.

Mirëpo, diçka nuk shkoi siç ishte paralajmëruar në njoftimin e tyre!

Përkundër që shumë organizata joqeveritare nga Komuna e Bujanocit, kishin aplikuar, “People in Need”, zgjodhi vetëm një organizatë nga Bujanoci dhe projektin e saj e mbështeti me 13.000 euro, sa gjysma e vlerës që ishte premtuar, derisa në Vranjë dhe Leban, nuk dihet nga sa projekte janë mbështetur dhe cila është vlera që ato OJQ kanë përfituar.

Element tjetër, i cili po vë në pikëpyetje punën dhe misionin e kësaj organizate, është mungesa e transparencës nga konkursi në fjalë. Nuk është publikuar lista e përfituesve të këtyre granteve, edhe pse rezultatet do të duhej të publikohen për hirë të bashkëpunimit me komunat me të cilat kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Një shkelje e rradhës nga vet “People in Need” vërehet edhe tek mënyra e përzgjedhjes së koordinatorit të terenit, sepse nuk u përfillën kushtet e parapara me vet konkursin, në të cilin kërkohej edhe njohja e gjuhës shqipe.

Siç ka mësuar jozyrtarisht LUGINALAJM, kandidati më i parapëlqyer për ketë pozitë, nuk u përzgjodh, pa asnjë arsyetim, edhe pse për rezultatet e konkursit është dashur të priste me muaj të tërë. Si kusht në konkurs, ishte edhe njohja e gjuhës shqipe, pasi që projekti realizohet në Komunën e Bujanocit, në të cilën, gjuha shqipe është në përdorim të barabartë zyrtar me gjuhën serbe.

Për këto përzgjedhje të kandidatëve do të duhej të ishte e njoftuar edhe Komuna e Bujanocit, pasi që ajo është nënshkruese e një memorandumi bashkëpunimi dhe normalisht do të duhej të jetë në dijeni për veprimet e njëanëshme që po mirren vetëm nga “People in Need”, pra ajo që po financon projektin.

Në gjithë këtë proces të përzgjedhjes të koordinatorëve për të punuar në implementimin e projektit “ALVED” është krijuar një amulli e vërtetë, askush nuk ka informacione të qarta, besojmë njejtë as vet komuna si nënshkruese e memorandumit.

Andaj, vlen të theksohet se edhe organizata partnere në implementimin e këtij projekti “Grandjanske Inicijative”, në asnjë moment nuk ka qenë transparente rreth përzgjedhjes së dy kandidatëve për Koordinator tereni në Bujanoc dhe Leban.

Duke parë të gjitha këto paregullësi në ecurinë e realizimit të këtij projekti, Komuna e Bujanocit, seriozisht duhet ta shqyrtojë, se a duhet apo jo, të vazhdojë bashkëpunimin me këto organizata?!/LUGINALAJM/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.