A do të kandidojë Fatmir Sejdiu për kryetar të LDK’së???!!!

92

sejdiu-mustafaVetëm një javë para kuvendit të ashtuquajtur të unitetit, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës besojnë se kryeministri Isa Mustafa është në pozitën më të favorshme për t’u rizgjedhur kryetar i kësaj partie, shkruan sot Koha Ditore.

Haki Rugova, anëtari i Kryesisë së LDK-së, nuk e ka asnjë pikë dyshimi se ky do të jetë rezultati i zgjedhjeve partiake. Pavarësisht se interesimin e tij për pozitën e shefit të kësaj partie e shfaqi edhe një nga figurat themeluese e që shihet si kundërshtari më serioz i Mustafës, ish-presidenti Fatmir Sejdiu.

“Shikoni vendimin, mund ta marrë vetë Fatmir Sejdiu se a do të kandidojë apo jo, të drejtën statusore e ka gjithsecili, mirëpo e sigurt është që kryeministri Isa Mustafa do të kandidojë dhe është favorit, këtë mund ta them me plotni”, ishte përgjigjja e Haki Rugovës.

Por, deklaratat e tilla thotë se nuk e mërzisin aspak ish-presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili kishte dhënë dorëheqje në shtator të vitit 2010, pasi Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se ai ka shkelur aktin më të lartë të shtetit, duke mbajtur postin e kryetarit të LDK-së dhe postin presidencial në të njëjtën kohë.

“Mund të deklarojnë çfarë të duan, nuk mërzitet askush për ato, as unë, as ju dhe askush besoj”, ka thënë Sejdiu, duke lënë të kuptohet se është skeptik sa i përket kandidimit të tij, derisa pohoi se akoma nuk e di saktë nëse do të kandidojë. “Shikoni, jam ende duke analizuar situatën dhe pasi të kem një analizë më të qartë sigurisht do të bëj të qartë qëndrimin tim”, ishte përgjigjja e tij vetëm shtatë ditë para mbajtjes së kuvendit zgjedhor.

Burime të gazetës kanë bërë të ditur ndërkaq se gjasat janë që Sejdiu të mos e shpallë fare kandidaturën./LuginaLajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *