19 vjet nga vrasja e kryeministrit serb – Zoran Gjingjiqin e vrau virusi i autoritarizmit kriminal

Marrëdhënia intime midis krimit të organizuar dhe politikës autoritare që u zhvillua për dekada në ish-Jugosllavi ishte faktori kryesor që çoi në vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në mars 2003.

Kjo javë shënon 18 vjet nga vrasja e Zoran Gjingjiq, kryeministri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Serbisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se çdo ngjarje tjetër në dy dekadat e fundit, kjo vrasje pati një efekt të dëmshëm në demokratizimin e vendit.

Megjithatë, sa më larg që të jemi nga ajo ditë fatale e 12 marsit 2003, aq më e paqartë bëhet kuptimi i ngjarjes dhe proceseve historike që çuan në vrasjen e demokracisë së Serbisë në djepin e saj. Duke lënë mënjanë teoritë më të çuditshme të konspiracionit, disa lexime (të rreme) në lidhje me vrasjen dominojnë diskursin publik.

Jo, ata nuk e vranë Zoran Gjingjiqin për shkak të vendosmërisë së tij për të ekstraduar kriminelë të dyshuar të luftës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Jo, ai nuk u vra për shkak të gatishmërisë së tij për të zgjidhur përfundimisht çështjen e Kosovës. Ndryshe nga luftërat vëllavrasëse jugosllave të viteve 1990, nacionalizmi fisnor nuk ishte shkaku, por një mjet i përdorur pa sukses në një përpjekje për të mbledhur masat pas krimit.

Gjingjiq u vra sepse ai ishte gati t’i jepte një goditje vdekjeprurëse një prej sindikatave më të fuqishme kriminale në vend. Njerëzit që e vranë atë vepruan në mënyrë që të shmangnin burgun. Ai u vra në një komplot të sajuar nga Klani Zemun, një bandë banditësh nga bota e krimit të Serbisë dhe anëtarët e sigurimit të vendit.

Në Serbi, historia e vrasjes së Gjingjiqit ndonjëherë krahasohet me vrasjen e John F. Kennedy. Megjithatë, përveç faktit që të dy u vranë nga një snajper, asgjë tjetër nuk mund të krahasohet.

Në filmin e vitit 1991 “JFK”, Kevin Costner, në rolin e Prokurorit të Qarkut Jim Garrison, merr në pyetje një burrë që dyshohet se është përfshirë në vdekjen e presidentit të 35-të të SHBA-së. Pyetjes së Garrison: “Dhe kush e vrau presidentin?”, burri i përgjigjet (duke huazuar një citat nga Churchill): “Është një mister! Është një mister i mbështjellë me një enigmë brenda një enigme! As ata që qëlluan nuk e dinë.”

Në kontrast me velin e misterit që shoqëron vrasjen e Kennedy-t që lejoi shtimin e teorive të konspiracionit, gjyqi i shqyrtuar gjerësisht për vrasjen e Gjingjiqit bëri të mundur të hidhej pothuajse një dritë e plotë mbi personin, arsyen dhe mënyrën e vrasjes së tij.

Megjithatë, shumë e refuzojnë mundësinë që gangsterë të vetëm guxuan të godisnin kreun e qeverisë serbe. Ata mendojnë se për të mbledhur guximin për të kryer një veprim të tillë, kriminelët duhet të kenë pasur mbështetës politikë të cilët u dhanë aprovim pak a shumë të qartë për të kryer operacionin.

Në dhjetor 2011, nëna dhe motra e Gjingjiqit dorëzuan një kallëzim penal privatkundër Nebojsha Coviç, aleati i deklaruar i Gjingjiqit dhe një zv/kryeministër në qeverinë e tij, dhe Velimir Iliçit, një anëtar i pakënaqur i koalicionit qeverisës, duke i akuzuar ata se ishin në dijeni të planeve për të vrarë kryeministrin paraprakisht dhe se nuk e kishin raportuar këtë gjë.

Disa dëshmitarë bashkëpunues në gjyqin e vrasjes së Gjingjiqit gjithashtu pretenduan se Coviç ishte në dijeni të planeve dhe se kishte për qëllim që ai të zinte vendin e Gjingjiqit pas vrasjes. Coviç ose Iliç të dy i mohuan akuzat dhe prokurori publik kurrë nuk ngriti akuza kundër asnjërit prej tyre.

Lucius Cassius, një nga gjykatësit më të nderuar romak, formuloi pyetjen “Cui bono” (“Kush përfiton?”) si një parim kryesor i hetimit penal. Coviç u bë kryeministër i përkohshëm pas vrasjes së Gjingjiqit, por qëndroi vetëm katër ditë në këtë post. Nga ana tjetër, atentati çoi në dobësimin e Partisë Demokratike të Djindiçit dhe në fund të të njëjtit vit, rivali i tij kryesor Vojislav Kostunica u zgjodh të drejtojë qeverinë serbe.

Partia e Kostunicës udhëhoqi fushatën më të ulët kundër Gjingjiqit para vrasjes dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kishin kontakte me komplotistët kryesorë në vrasjen e kryeministrit.

Bashkëpunëtorët e Kostunicës që ishin në kontakt me Klanin Zemun u arrestuan për pak kohë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme që pasoi vrasjen e Gjingjiqit, por më vonë u lanë të lirë. Ata kurrë nuk u akuzuan për përfshirje në komplotin për të vrarë kryeministrin.

Vrasje të porositura të emigrantëve politikë

A ishte e mundur vrasja e Gjingjiqit pa një konspiracion politik të detajuar? Në librin e tij “Anatomia e një çasti”, Javier Cercas përshkruan veprimet e ndryshme, në shumë raste krejtësisht të pakoordinuara nga aktorë të ndryshëm politikë, që ndodhën gjatë përpjekjes për grusht shteti në Spanjë më 23 shkurt 1981.

Duke përdorur një metaforë, Cercas i quan këto aktivitete politike “një placentë që ushqen grushtin e shtetit”. Në mënyrë të ngjashme, në rastin e vrasjes së Gjingjiqit, pa marrë pjesë direkt në komplotin për të vrarë, një rrjet i çrregullt manovrash politike të pakoordinuara nga grupe të ndryshme interesi të gatshëm për të destabilizuar qeverinë e kryeministrit ushqeu një terren në të cilën lulëzuan komplotistët.

Megjithatë kjo ende nuk shpjegon se si kriminelë të zakonshëm mund të guxojnë të vrasin kryeministrin. Për të kuptuar këtë, duhet të kthehemi pas të paktën në vitet 1970.

Deri në rënien e Murit të Berlinit, dhuna terroriste ishte një mjet i zakonshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në Europë dhe shërbimi sekret i Jugosllavisë komuniste praktikonte versionin e tij të terrorizmit shtetëror. Në mënyrë që të neutralizonte emigrantët politikë kundër regjimit të presidentit Josip Broz Tito, ai filloi kontraktimin e kriminelëve nga Jugosllavia për të kryer vrasje jashtë vendit.

Në vitin 2016, një gjykatë belge dënoi me burgim të përjetshëm një ish-agjent sekret jugosllav dhe dy kriminelë jugosllavë për vrasjen e vitit 1990 të një aktivisti të të drejtave të njeriut shqiptar të Kosovës. Në të njëjtin vit, një gjykatë gjermane dënoi dy agjentë të lartë të policisë sekrete kroate të epokës jugosllave me burgim të përjetshëm për një vrasje të një emigrant kroat në vitin 1983. Këto dy atentate ishin vetëm disa nga viktimat e policisë politike të Jugosllavisë komuniste.

Në këmbim të shërbimeve që ata i ofruan regjimit komunist, gangsterët morën mbështetje logjistike për t’u përfshirë në krim në Europën Perëndimore dhe shijuan jetën në Jugosllavi në pandëshkueshmëri totale. Gjatë dy dekadave, falë kësaj marrëdhënieje, aparati jugosllav i sigurimit u kriminalizua ngadalë.

Pastaj erdhën vitet 1990, luftërat dhe kapitalizmi i ashpër i tipit jugosllav post-komunist. Ish-banditë, të fuqizuar nga fitimet nga plaçkitjet e luftës, tregtia e drogës dhe privatizimet kriminale, iu bashkuan rrjedhës së jetës shoqërore dhe politike jugosllave. Vija ndarëse midis shtetit dhe krimit u mjegullua plotësisht. Ashtu si vrasësit e Gjingjiqit, të gjithë kriminelët filluan të besojnë se ata ishin më të fuqishëm se shteti.

Konsiderimi i Millosheviçit dhe viteve 1990 si burim i të gjitha të këqijave është një gabim i zakonshëm në interpretimin e historisë bashkëkohore të tokave jugosllave. Sundimi i Millosheviçit dhe luftërat e përgjakshme jugosllave shënojnë fundin e periudhës së inkubacionit, ku simptomat e një sëmundje infektive u bënë të dukshme.

Virusi i autoritarizmit kriminal ishte i pranishëm në Serbi dhe në pjesën më të madhe të rajonit të paktën që nga formimi i shteteve të para moderne. Komunizmi, nacionalizmi dhe kapitalizmi i Perëndimit të Egër të 30 viteve të fundit janë thjesht mutacionet më të fundit të të njëjtit virus.

Serbia dhe pjesa tjetër e vendeve në rajon po presin për një vaksinë, duke shpresuar se anëtarësimi në BE mund të jetë ilaçi që u nevojitet.

Srdjan Cvijic është një bashkëpunues i E Ardhmja e Europës në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë dhe anëtar i Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Europë.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *