16 vite nga zhdukja e Nezës; Kujtime dhe respekt për kampionin e palodhshëm të punës, bëmirësisë e urtësisë!

214
nebiuSot, më 2 shkurt 2016, mbushen 16 vjet nga kidnapimi i  dhunshëm dhe humbja pa gjurmë e mikut tim të shtrenjtë dhe biznesmenit më të suksesshëm të viteve të 90-ta në Preshevë dhe më gjërë, z. Nebi Nuhiut (Nezës).
Atë mëngjez të hershëm dimëror, pesë veta, kinse biznesmenë, kishin kërkuar Nebiun në shtëpi, përball pompës së tij private të benzinës në pjesën lindore të hyrjes në Preshevë, rrëfen me shumë mall dhe me vajë në buzë, djali i tij Fidani.
Ata paskan hyrë fillimisht në podrum të shtëpisë, të gjithë së bashku me Nebiun dhe pas shumë bisedimesh, zhurme dhe zënkash, kishin dalë nga podrumi, duke e kapur fortë me dhunë dhe bërtima Nebiun paraduarsh, dhe fuqishëm, me dhunë e kishin futur Nebiun në makinën e tyre afër dhe ishin larguar me shpejtësi të madhe, duke ia fishkëlluar gomat makinës, në drejtim kah lindja. dmth në drejtim të autostradës…duke e marrë me vete Nebiun, për të mos e kthyer kurrë në familjen e tij të njomë, pranë votrës familjare, ku kishte gruan, dy djemtë dhe tri vajzate tij.
Të kota ishin britmat, thirrjet e përgjërimet e familjarëve që vrapuan pas makinës, që kishte kidnapuar më të dashurin e tyre!
Nebiu nuk u kthye kurrë më nga ajo ditë, duke mbetur “as i gjallë e as i vdekur” deri në ditët e sotme.
Nuk e din askush deri më sot se kush e kidnapoi, e as cilat ishin motivet që i shtynë për ta bërë këtë vepër makabër e kriminele, në ditën e bardhë!
Edhepse e kishin lajmëruar policinë menjëherë dhe sipas deklaratës policore, iu paskan lëshuar pas për t’i zënë, megjithatë asgjë nuk doli dhe ata nuk u kapën dhe nuk u gjetën, duke e lënë przull familjen në trishtim e dhëmbje, duke shikuar gjithënjë kah dera, se mos vallë do të paraqitet babai i tyre i dashur.
Dyshimet e familjarëve të Nebiut ishin zgjuar menjëherë se po ndodhëte diçka e pazakontë reth pompës së tyre të benzinës, meqë organet policore kishin “kujdestaruar” ditë e natë, me ndërrime, pa e lëshuar asnjëherë zyren e benzinës dhe pa e lënë vetëm as pompën, e as Nebiun.
Por, atë mëngjez kishte ndodhur një befasi e pasqarueshme, meqë policia, për çudinë e Nebiut dhe familjarëve të tij, kishte munguar dhe pompa dhe Nebiu ishin lënë vetëm!
Misteri i kësaj mungese të policisë për ata ishte dhe mbeti sot e kësaj dite i pashpjeguesh.
Aq më parë, kur ishin mësuar që policia jo vetëm që nuk i kishte lënë vetëm asnjëherë më parë, por edhe ishte sjellur dhunshëm duke urdhëruar madje edhe kujt t’i jipej benzinë, e kujt jo!?
Me Nebiun më lidhin shumë momente dhe kujtime të ëmbla në jetë, meqë sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të jetës së tij, jemi shoqëruar intensivisht me te.
Nebiun e kam njohur personalisht qysh në rininē e tij djaloshare, kur punonte palodhshëm në punëtorinë e tij të latuesit apo drugëdhendjes, ku ai punonte palodhshëm natë e ditë dhe nga druri krijonte mrekullira artistike, duke i pritur myshterinjtë, apo hallexhinjtë që kishin nevojë për “duartë e arta” dhe pë buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe nuk linte askend të pakënaqur, të cilët në shumë raste e “shpërblenin” vetëm me falenderime, meqë nuk kishin para për të paguar. Por, Nebiut nuk i prishej “çehrja” dhe i përshëndeste përzemërsisht, duke u uruar mirëseardhje të sërishme.
Punëtoria e tij ishte bërë “strofull” e dashur miqësh dhe shokësh, të cilët e shoqëronin Nebiun në punën e tij të latuesit virtuoz, që njihej me epitetin se “Nebiut çka t’ia sheh syri, ia maron dora!”
Ndërkaq, mjetet dhe veglat me të cilat punonte, shkëlqenin nga pedantëria dhe kujdesi prej artizani të lindur.
Si sot më kujtohet rasti kur unë me një kusheri timin shkuam në punëtori të tij me nga një dru “gomari”, si i thonim atëherë drurëve të gjatësisë prej reth 1 m. me të cilët donim të bnim “ski të gjata”.
 Nebiu me shumë kënaqësi, buzëqeshje e dashuri, aty për aty ia filloi punës dhe pas dy-tri orëve na i dorëzoi skitë, që na mahnitën! Ishin bërë të përkryera, të cilat i kemi ruajtur “si sytë e ballit” gjatë fëmirisë, duke rrëshqitur në terrenet bregore me borë, te kisha dhe gjithandej rrëzës së malit.
Mbresat që i linte Nebiu tek të gjithë, e që të linte “pa frymë” ishte pedantëria e latimit të drurit me sopatën dhe latar e mprehura dhe të ruajtura për mrekulli!
Pra, ky ishte Nebiu në rininë e tij, punëtor i zellshëm dhe i dashur për të gjithë.
Pastaj, më kujtohet se Nebiu me vëllaun e vet kishte blerë një kanion, me të cilin transportonin zall, material ndërtimor, dru etj. dhe djersiteshin e lodheshin për ta fituar kafshatën e gojës, por sidomos Nebiut, nuk i hiqej nga goja buzëqeshja e tij dashamirëse e njerëzore.
Pra, i tillë ishte Nebiu në kohën kur me shumë vështirësi, por me shumë ndershmëri dhe bujari e fitonte  dhe familjen e tij.
Por i tillë mbeti si njeri Nebiu edhe kur arriti të bëhej biznesmeni më i suksesshëm në Preshevë, duke i ruajtur të gjitha virtytet njerëzore që ia kishte falur Perëndia.
Vitet e 90-ta ishin koha kur ishin mbyllur shkollat dhe universitetet, institucionef dhe fabrikat në Kosovë dhe Nebiu ka ndihmuar materialisht, mo lokalet e veta dhe me angazhimin e tij të palodhshëm, kudo që e kërkonte nevoja.
Meqë kishte hapsirë të madhe dhd të rregulluar më së miri në atë kohë, Nebiu dha kontribut të madh duke i lëshuar falas këto hapsira për kurse të ndryshme profesionale. Edhepse i kishte pajisur ne para të veta, me makina rrobaqepësie për kurset përkatëse, të cilët i vijonin shumë të rena në atë kohë falas. Pastaj kurset për kompjuterë, që në atë kohë i mbanin ish Ministri i ekonomisë, z. Fadil Ismajli, si dheuzh Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Qemal Mustafa. Donacionet e Nebi Nuhiut për Kosovë dhe për Preshevën janë të pafund.
Njëherë, meqë ishim ftuar  në shenjë falemnderimi dhe ndarje mirënjohjesh, për disa donacione të tilla, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë në një manifestim, udhëtuam bashkë unë dhe Nebiu. Na pritën shkëlqyeshëm, me nderime e falemnderime të posaçme dhe mbetëm shumë të kënaqur me mikpritjen e tyre bujare, si dhe me falemnderimet dhe respektin që e treguan ndaj nesh.
Shpeshë, kur pinim kafe bashkë, me shumë kënaqësi e krenari e kujtonim atë takim në Prishtinë.
Mjerisht, as familja, e as politika dhe institucionet preshevare, edhe 16 vjet pas kidnapimit të tij kriminal, ashtu edhe për rastin e vrasjes para shtëpisë të këshilltarit komunal dhe veprimtarit të dalluar, biznesmenit Ijsuf Azizi, në vitin 2009, akoma nuk arritën të ndihmojnë me sukses në zbardhjen e këtyre rasteve,  meqë asgjë nuk u zbulua dhe mbetën akoma mister këto raste, madje edhe pas tetë vjetë gjykimesh të kota dhe të pashpresë nëpër gjykatat e Serbisë.
 Këto figura të çmuara kombëtare, nuk guxojmë kurrësesi t’i lëmë në harresë.
Mbase, koha është që kujtimin ndaj tyre ta përjetësojmë duke i emëruar me emrat e këtyre burrave që i kontribuan me përkushtim e devotshmëri vendlindjes së tyre të dashur.
Lavdi e përjetëshme i qoftë jetës dhe veprës madhështore të Nebi Nuhiut (Nezës), Isuf Azizit dhe të gjithë heronjëve të tjerë të punës, biznesit e luftës për liri!
Nga: Nehat Hyseni



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *